Lamtumira fisnike e ish-ushtarakut

Lamtumira fisnike e ish-ushtarakut
Në një garë të gjatë e të vështirë, siç ishte kjo fushatë, suksesi i tij më imponon respekt për aftësinë dhe këmbënguljen që tregoi. Ai arriti që të frymëzonte shpresën e miliona amerikanëve, të cilët mendonin se nuk kishin shumë në dorë në zgjedhjen e Presidentit të tyre.

 Për këtë e admiroj thellësisht. Këto ishin zgjedhje historike dhe jam i ndërgjegjshëm për domethënien e veçantë që ka ky moment për afro-amerikanët dhe krenarinë e ligjshme që ata duhet të ndjejnë sot. Gjithmonë kam besuar se Amerika u ofron mundësi të gjithë atyre që kanë vullnetin për ta kapur atë. Senator Obama është shembull i kësaj. Por ne të dy e dimë se, pavarësisht se kemi bërë shumë rrugë e kemi ecur shumë përpara nga padrejtësitë e vjetra që dikur prishën reputacionin e kombit tonë dhe u mohuan disa amerikanëve bekimin e plotë të nënshtetësisë amerikane, kujtimi i atyre kohëve ende sot mbart fuqinë e të lënduarit. Një shekull më parë, Presidenti Theodore Roosvelt ftoi për darkë Booker T.Ëashington në Shtëpinë e Bardhë dhe kjo u konsiderua si një fyerje nga shumëkush. Amerika sot është një botë që nuk ka të bëjë me fanatizmin e frikshëm dhe mizor të kohëve të shkuara. Për këtë nuk ka dëshmi më të qartë se zgjedhja e Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara.

Senator Obama ka arritur diçka të madhe për vetveten dhe për vendin. Për këtë e duartrokas dhe i ofroj ngushëllimet më të sinqerta për gjyshen e ndjerë, që nuk mundi ta shohë t‘ia arrinte kësaj dite. Siç na e garanton edhe besimi, tani ajo është në paqe, pranë Krijuesit, dhe tepër krenare për ndihmën dhe kontributin që dha për rritjen e një njeriu të mirë. Senator Obama dhe unë kemi pasur dhe kemi debatuar për disa çështje dhe ai arriti që të mbizotëronte. S‘ka dyshim që shumë nga këto ndryshime mbeten ende. Këto janë kohë të vështira për vendin tonë dhe sonte zotohem që të bëj gjithë sa kam mundësi për ta ndihmuar përballë gjithë sfidave me të cilat do të përballet.

 U bëj thirrje amerikanëve që më mbështetën, që jo vetëm të më bashkohen në këtë urim, por t‘i ofrojnë Presidentit tonë të ri vullnetin e mirë dhe përpjekjen e gjetjes së rrugëve për t‘u bërë bashkë, për të gjetur kompromiset e nevojshme që të sheshojmë diferencat dhe për të ndihmuar në risjelljen e begatisë, për mbrojtjen e sigurisë në një botë të rrezikshme dhe për t‘u lënë fëmijëve e nipërve tanë një vend më të bukur e më të fortë. Pavarësisht dallimeve, ne jemi amerikanë dhe ju lutem, besomëni kur ju them se asgjë nuk ka pasur më shumë rëndësi tek unë se ky fakt. Është e natyrshme sonte që të ndjejmë pak zhgënjim, por nesër duhet të hedhim gjithçka pas krahëve dhe të punojmë së bashku për të mirën e vendit.

 Ne luftuam me aq sa mundëm dhe dështimi është imi, jo juaji. Unë u jam thellësisht mirënjohës gjithë atyre që pata nderin të më mbështesnin dhe për gjithë sa keni bërë për mua. Do të doja që rezultati të kishte qenë ndryshe, miqtë e mi. Rruga ishte e vështirë, por mbështetja dhe miqësia juaj nuk mungoi kurrë. Nuk di ta përkufizoj saktë tani gjithë mirënjohjen që ushqej ndaj jush. I jam veçanërisht mirënjohës gruas sime, Sindi, fëmijëve, nënës sime, dhe gjithë familjes dhe miqve të dashur që më kanë qenë përkrah përgjatë gjithë ulje-ngritjeve të kësaj fushate të gjatë.

 Kam qenë gjithmonë një njeri me fat dhe kurrë më shumë se tani që pata dashurinë dhe inkurajimin tuaj. E dini që fushatat janë shpesh të vështira dhe kryesisht të vështira për familjarët e kandidatit. Gjithë sa unë mund të ofroj tani si kompensim është dashuria, mirënjohja dhe premtimi për vite më të paqta. I jam gjithashtu shumë mirënjohës guvernatores Sarah Palin, një nga pjesëmarrëset më të mira që kam parë. Nuk e di se çfarë mund të kishim bërë më shumë për të fituar këto zgjedhje. Do t‘ua lë të tjerëve ta gjejnë.

 Çdo kandidat bën gabime dhe jam i sigurt që unë pata pjesën time të gabimeve, por nuk do të kaloj asnjë moment duke u qarë për atë se si mund të kishin shkuar ndryshe gjërat. Fushata ishte dhe do të mbetet një nder i madh në jetën time dhe zemra ime është e mbushur me shumë mirënjohje për përvojën dhe për amerikanët që më dëgjuan me vëmendje para se të votonin për senator Obamën dhe mikun tim të vjetër, senatorin Biden, të cilët do të na qeverisin 4 vitet e ardhshme. Nuk do të isha një amerikan i denjë nëse do të më vinte keq për një fat që më dha mundësinë dhe privilegjin e rrallë që t‘i shërbej këtij vendi përgjatë një gjysmë shekulli. Sot isha një kandidat për postin më të lartë në këtë vend, vend të cilin e dua shumë.

Po sot mbetem një shërbëtor i tij. Ky është një bekim për të gjithë dhe për këtë falënderoj popullin e Arizonës. Sonte, si asnjë natë tjetër, mbaj në zemrën time veçse dashuri për këtë vend dhe qytetarët e tij, ata që më mbështetën mua dhe ata që mbështetën senator Obamën. I uroj krahë të lehta njeriut që ishte kundërshtari im dhe që do të jetë tashmë Presidenti im. U bëj thirrje amerikanëve, siç u kam bërë gjatë gjithë kësaj fushate, që të mos dëshpërohen për vështirësitë aktuale, por të besojnë, gjithmonë, në premtimin dhe madhështinë e Amerikës, sepse asgjë nuk është fatale dhe e pashmangshme. Amerikanët nuk tërhiqen kurrë. Ne nuk i fshihemi historisë. Ne e bëjmë historinë. Ju falënderoj dhe Zoti ju bekoftë! Zoti bekoftë Amerikën!


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama