Lamtumire Atjonit djalit te vetem te shkrimtarit Visar Zhiti

Lamtumire Atjonit, djalit te vetem te shkrimtarit Visar Zhiti

Sapo kishte mbushur 19 vjeç në fund të gushtit. Atjon Zhiti, një djalë plot energji dhe gjithnjë i gatshëm për të krijuar në Shqipërinë e tij një realitet më të mirë, është ndarë ditën e djeshme nga jeta. Ia ka marrë jetën një motor, një mjet pa jetë, një të riu që në fakt rrezatonte shumë jetë. I përfshirë madje edhe në fushata rinore, në Parlamentin Europian të të Rinjve, ai ëndërronte një vend më të mirë, një Shqipëri më të bukur se sa ajo që i ka prezantuar i ati i tij, Visar Zhiti, madje edhe më të mirë se sa ajo që kishte filluar të jetonte vetë. Shkoi me studime në Itali, ndërkohë që kishte miq në të gjithë botën. Sikur të mos i mjaftonte një jetë e mbushur me ngjarje të errëta, shkrimtarit Visar Zhiti i përcillet sot një dhimbje e madhe nga ato që nuk ka fjalë për ta rrëfyer. Miq të shumtë, madje edhe disa nga ata që dikur nuk guxonin as t’i shkonin në burg, sot bashkohen me të, me dhimbjen e tij të madhe, që i shkaktoi ndarja nga jeta e të birit Atjonit, i cili kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur në shtëpi. Ishte kthyer nga Italia, ku studionte në degën e Filozofisë, për të shijuar pushimet e fundvitit me miq, të afërm e familjarët e tij. Së bashku me mikun e tij, Serxhon kishin vendosur të festonin këtë fundjavë në një nga klubet e kryeqytetit. Ishte e premte, fundjavë dhe si shumë të rinj të tjerë, edhe ai kishte dalë me miqtë e tij. Pas festës që nisi të premten mbrëma dhe përfundoi në orët e para të së shtunës, udhëtimi me motor do t’i merrte jetën Atjonit. Ai do të përcillet për në banesën e fundit sot në ora 15.00. “Shekulli” i gjendur edhe në Spitalin Ushtarak të Tiranës informon se miku i tij është ende në reaminacion në gjendje të rëndë. Por, përpos të lajmit të hidhur, ne ju përcjellim edhe disa nga fjalët e miqve të tij duke nisur nga Dania Bazaiti, modele dhe një nga miket e tij më të mira për të vijuar më tej me të njohur të Atjonit dhe prindërve të tij.

Dania Bazaiti

Jeta është kaq e shkurtër dhe nga momenti në moment mund të mbarojë si pa e kuptuar fare... Ai na dha një mesazh: Jetojeni pa pendime dhe ashtu siç doni, pa zënka dhe hatërmbetje, pa armiqësi apo inate të kota! Dhe unë e di, miku im Atjon V. Zhiti, që ti e jetove ashtu siç ti deshe! Do të të kujtoj gjithmonë të qeshur dhe shakator ashtu siç ishe! Baluja ime! Do të të kujtoj si ai i çmenduri me të cilin kërceja dhe këndoja rrugëve pa ua vënë veshin njerëzve përreth! Do të të kujtoj si atë që më ngrinte humorin, kur isha e mërzitur. Do të të kujtoj si atë që tallej gjatë gjithë kohës me ata që nuk dinin të flisnin asnjë fjalë italisht në kurs. Do të të kujtoj kur mërziteshe sa herë të thoja që e kishe gabim se ishe më i vogël se unë. Do të të kujtoj kur të shkoj në Milano dhe kur të jem në aeroport, do të kujtoj reagimin tënd kur të thash datën..., ishte e njëjta datë si ti, i njëjti fluturim, i njëjti destinacion. Dhe filluam duke bërë plane se çdo të bënim andej, çdo të blinim dhe ku do të shëtisnim. Qielli është me fat që ka një engjëll si ti atje lart... Por nuk është e drejtë për ne që nuk na e la atë engjëll, edhe pak më shumë këtu në tokë! Nuk do të të harroj kurrë miku im! Prehu në Paqe! Do të shihemi prapë, por nuk është akoma koha, ama do të shihemi! Mirupafshim, i dashur Balu!

Miranda Haxhia

Kur ktheheshin njerëzit nga varrimi i nënës së shkrimtarit Visar Zhiti, dikush tha: Iku si nënë e vuajtur, por e lumtur. Vuajti burgun e të birit, por provoi krenarinë që i biri u bë ministër. Por sot, të gjitha fjalët kanë marrë arratinë dhe nuk gjendet dot as edhe një germë për të ngushëlluar Edën dhe Visarin. Pavarësisht hatërmbetjeve apo qejfmbetjeve, zemra me dhimbjen për humbjen janë jashtë kontrollit të çdo lloj kujtese. Dhe ajo, zemra mbart vetëm një pyetje: “O Zot, nuk u ngope që e bëre të vuaje si djalë Visarin, kur ishte i ri? Por kërkon prova prej tij edhe si at?!”. Më i bukuri i djemve, dy metra djalë, plot ëndrra, dëshira dhe mall, me të fshehta të rinjsh dhe bukuri ende të papërfunduar, iku, u shemb nga një send pa jetë, nga një motor i parëndësishëm që në një sekondë, transformoi tre jetë, Atjonin e la përgjithmonë 20 vjeç, Edën dhe Visarin filloi t'i zbardhë, t'i kërrusë, t'i mbushë me të pamundurën, të paimagjinueshmen dhimbje. Sepse kjo është një nga ato dhimbje, ku asnjë prej miqve të ngushtë, shokëve, të njohurve dhe të panjohurve nuk të heq dot asnjë gramë. Asnjë fjalë e të gjithëve neve së bashku nuk e ngushëllon dot Edën e Visarin, por nëse në qeli, i shkoi vetëm ndonjë shok i rrallë, tani, të paktën, t'i jemi pranë. I qoftë dheu i lehtë Atjon Zhitit! Lotët pushtojnë tërë qenien time... Mbahu Visar! Mëso të durosh edhe këtë gjëmë! Eda, nuk ka ngushëllim, derisa t'i shkosh pranë djalit më të bukur që qielli e deshi sot aq dëshpërimisht, sa e mori! Dhembshurisht, Miranda e Maks Haxhia.

Petrit Palushi

Një lajm i rëndë, pelin i hidhur - në kufijtë e së pabesueshmes: Ndahet prej jete, Atjoni, i biri i vetëm i poetit të njohur Visar Zhiti. Atjon/ Ati ynë/, studenti i Milanos ishte vetëm 19 vjeç dhe e mbylli jetën aksidentalisht, pa pasur mundësi për të lënë një përshëndetje dhe pa menduar se mëngjesi i sotëm do të ishte edhe pamundësia për të dhënë një lamtumirë. Vetëm engjëjt ikin kështu. Sa vend paska në qiell për engjëjt?! S’u ngop ky qiell me engjëj?! Kjo botë mizore ku e gjen kohën me u marrë me engjëjt?! E kam takuar, si dhjetë vjet më parë kur ishte fëmijë. E kam takuar, më pas në Prizren (5 korrik 2012), në një mbrëmje letrare për nder të krijimtarisë së babait të vet, Visarit. Po, edhe të nesërmen e takova në Kukës bashkë me prindërit e tij te pinim kafe te bar “Amerika”. I qeshur, me një humor të lehtë, me një vështrim gati-gati ëndërrimtar, kështu do të mbetet në mendjen time. Por tani e mbrapa, në mendje më mbetet edhe pamundësia e këtij djaloshi për ta vazhduar jetën, për të kënaqur prindërit, shokët dhe shoqet. Fjalët ngushëlluese për prindërit e tij vështirë se mund të përcillen, sepse është një dhembje e madhe. Por po e mbyll me një varg të Fishtës; “Leht’ të kjoftë mbi vorr lëndina!” Lamtumirë, Atjon, lamtumirë!...

Visar Zhiti, poeti i dënuar

Ishte koha e Plenumit të 4-të të KQ të Partisë së Punës (Partia Komuniste) në të cilin diktatori komunist Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që pëlqenin kulturën perëndimore. Babai i Zhitit, aktori dhe poeti Hekuran Zhiti kishte pasur më parë një konflikt me autoritetet dhe poeti i ri papritmas u bë një nga viktimat politike të diktaturës. Dorëshkrimi i përmbledhjes së tij u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist. Ai u arrestua më datë 8 nëntor 1979, në Kukës ku edhe punonte si mësues. Mbasi u dënua në një gjyq qesharak në prill të vitit 1980 me 13 vjet burg, ai u dërgua në burgun e Tiranës dhe më vonë transferohet në burgun famëkeq të Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore. Pas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku punoi në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe një vit më pas në ShBA. Pas kthimit të tij në Shqipëri, ai punoi si gazetar dhe u emërua kreu i ndërmarrjes botuese, e cila kishte planifikuar të botonte librin e tij të parë. Ai ka qenë i punësuar më vonë nga shërbimet administrative të parlamentit të ri shqiptar dhe në 1996 u zgjodh vetë në parlament. Mbas realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Në vitin 1997, ai u emërua atashe kulturor në Ambasadën e Shqipërisë në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999. Para dy vjetësh ai arriti të bëhej edhe Ministër i Kulturës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama