Lamtumire Dhimiter Xhuvanit! Shkrimtari qe vetem dashuroi...

Lamtumirë Dhimitër Xhuvanit! Shkrimtari që vetëm dashuroi...

Dhimbja, pakënaqësia, protesta... ishin këto disa prej arsyeve kryesore që e motivonin të shkruante. Jeta e tij kaloi sa në një vepër, në tjetrën. "Një stërmundim i vazhdueshëm, i përgjithshëm" thoshte, sepse për të e shkruara ishte vuajtje, shkrimtari i përjeton njësoj vuajtjet e personazhit. Ky është shkrimtari, ky është Dhimitër Xhuvani. Studioja ku qëndronte me orë të tëra deri "sa më dhemb koka", nuk do e presë më personalitetin e shquar të letrave shqipe. Dhimitër Xhuvani ndërroi jetë në orët e para të ditës së djeshme. Shkrimtari, dramaturgu, skenaristi dhe publicisti u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare për shkaqe natyrale.

Dhimitër Xhuvani u lind më 23 maj 1934 në Pogradec, në një familje intelektuale. Pas mbarimit të shkollës së mesme për mjekësi, ka punuar për disa vjet me radhë në zonën e Librazhdit. Më pas studioi në Moskë për letërsi. Pas kthimit në Shqipëri, punoi në shtypin letrar pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në Pogradecin e dashur, vendin ku lindi, kthehej shpesh. Ishte "oazi" i krijimtarisë së tij, vendi ku gjente qetësinë, ku frymëzohej për të përcjellë më pas ndjesitë te lexuesi i tij. Debuton në letërsi në vitin 1958, me vëllimin e tij të parë me tregime, titulluar "Kambanat e fundit", për të vijuar më pas, në vitin 1962, me vëllimin e dytë të tij, "Midis dy netëve".

Romani i tij, i botuar në vitin 1966, "Tuneli", do të paraqiste gjendjen e vërtetë në Shqipëri në ato vite, dhe për këtë arsye shkrimtari u dëbua nga Tirana dhe punoi në Cërrik e në disa fabrika të qyteteve të tjera. "Ishin pesë vite të hidhura të jetës sime", do të shprehej në një intervistë vetë Dhimitër Xhuvani. "Më trembën dorën", është shprehur në lidhje me këtë pjesë të jetës së tij, e cila pati ndikimin e vet edhe në krijimtari. Pas kthimit, Dhimitër Xhuvani "i rehabilituar" botoi në vitin 1970 romanin "Përsëri në këmbë". Ishte ky romani që u dha kthesë zhvillimeve në jetën dhe krijimtarinë e tij. E megjithatë pati provuar që ndryshimi të vinte më herët se kaq me një dramë të shkruar për Gjergj Dimitrovin, si dhe me një dramë për elektrifikimin e Shqipërisë.

Mendoi se këto dy tema do të bënin mirë për të ndryshuar pak. Pas romanit "Përsëri në këmbë", Dhimitër Xhuvani nisi punë në Kinostudio, si redaktor skenarësh. Pas këtij romani, Dhimitër Xhuvani vjen para lexuesit edhe me disa romane të tjerë, si ai në vitin 1976 me titullin "Zgjimi i Nebi Surrelit", në vitin 1979 me romanin me titull "Do të jetojmë ndryshe", në vitin 1981 me romanin "Vdekja e zotit Kaloti", ndërsa në vitin 1984 me "Bota ime", "Dashuri e harruar", etj. Ndërkaq, ai është angazhuar edhe me shkrimin e rreth 15 skenarëve, filmave artistikë dhe dokumentarëve. Skenarët i shkruante shumë shpejt. Asnjëherë nuk i ka dhënë dot shpjegim faktit se përse ato i përfundonte më lehtë dhe më shpejt se romanet. Thoshte se ndër skenarët që ka shkruar, i pëlqente më shumë "Mëngjese lufte", "Rrugicat që kërkonin diell", apo "Dashuria e fundit". Vepra e fundit kinematografike në të cilën Dhimitër Xhuvani ka qenë i angazhuar, është skenari "Lindje, Perëndim, Lindje". "Është një histori tepër e thjeshtë", pat thënë Xhuvani për skenarin, të cilin e shkroi në bashkëpunim me të birin, Gjergjin, dhe me Jani Durin. Është historia e pesë çiklistëve që shkojnë jashtë për një aktivitet, pas rënies së Murit të Berlinit. Kanë ëndrrat e tyre, kanë dëshirat e vogla të tyre, por këto ëndrra shemben njëra pas tjetrës.

Ata nisen, arrijnë në Trieste në atë kohë kur shoqëria pothuajse u bllokua me eksodet e mëdha, ambasadat u shembën, humbën kontaktet, paratë iu mbaruan, anija që i solli nuk kthehej më, ishte e bllokuar në mol dhe ata vendosin të kthehen me biçikletat që kishin. Duhet të kalonin nga Jugosllavia për t‘u kthyer, por nuk kishin viza, kishin vetëm një për në Francë. Këtu fillojnë peripecitë, kur mbërrijnë në kufirin e fundit arrestohen nga milicia e Jugosllavisë. "Hapja për Shqipërinë në atë kohë qe një zhgënjim, qe një dhimbje, një tragjedi", do të nënvizonte Dhimitër Xhuvani. Artistë, shkrimtarë, regjisorë por edhe personalitete, miq, bashkëpunëtorë e të njohur e kanë përjetuar shumë këtë humbje të madhe për letërsinë shqipe.

Ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, zv.ministrja Suzana Turku; shkrimtarët Dritëro Agolli, Teodor Laço, Sabri Godo, Bardhyl Londo, Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Musa Vyshka, Natasha Lako, Aurel Plasari; regjisorët dhe aktorët Dhimitër Anagnosti, Vladimir Prifti, Mihallaq Luarasi, Saimir Kumbaro, Rikard Ljarja, Kristaq Skrami, Mevlan Shanaj, Drita Pelingu dhe Petrit Malaj i janë bashkuar kësaj dhimbjeje të madhe. "Vdekja e tij është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për gjithë kulturën dhe letërsinë kombëtare dhe për ata mijëra lexues e shikues që kanë ndjekur me interes e vëmendje veprat e krijuara gjatë gjithë jetës së tij", janë shprehur në një letër ngushëllimi të përbashkët ata.

"Me shpirtin krijues që e karakterizonte, me dashurinë për letërsinë dhe artin, me humanizmin e gjerë dhe të pashoq, shkrimtari vazhdoi të shkruante dhe të botonte deri në fund të jetës së tij", vijohet më tej në letër. Veprat e tij dëshmojnë për një shkrimtar që u vu në radhët e para të asaj plejade shkrimtarësh shqiptarë, të cilët bënë përpjekje të shumta për ta zhvilluar dhe emancipuar këtë letërsi, për ta zhvilluar atë më tej. Xhuvani kaloi një jetë të cilën ia kushtoi me përkushtim letërsisë, dramaturgjisë dhe kinematografisë shqiptare, duke dhënë një kontribut të vlefshëm për kulturën kombëtare.

Shkrimtari që vetëm dashuroi

Nuk e mbaj mend me saktësi se si e kam njohur Dhimitër Xhuvanin, nuk e mbaj mend as vitin dhe as stinën kur e kam njohur. Më kujtohet se kur isha pedagog në Elbasan, andej nga viti 1986, i kam shkuar për vizitë në shtëpi, në banesën e vjetër te Rruga e Durrësit, prapa "Kafe Florës" së njohur. Natyrisht që e njihja qysh më parë si shkrimtar dhe kisha lexuar gjithë librat e tij. Nga ajo kohë e deri para një muaji, jemi takuar e kemi ndenjur e biseduar thuajse rregullisht. E gjitha kjo, edhe për shkak se prej rreth 17 vjetësh jemi edhe fqinj.

Kjo jeta e dytë, në mund ta quaj kështu, pra ajo pas viteve ‘90, na afroi më shumë dhe na lidhi më fort akoma. Kishim kafen tonë, ku takoheshim çdo mëngjes. Te kafja te Vefi, gruaja e shkrimtarit Jani Duri, mblidheshim çdo mëngjes dhe nuk mbaj mend qoftë edhe një ditë të vetme që Dhimitër Xhuvani të mos vinte duke qeshur.

Që kur dilte nga shkallët e pallatit të tij e deri sa linte dyqanin e fundit, ai ishte gjithmonë i qeshur. Nga sytë e ëmbël ngjyrë kafe buronte vetëm dritë dhe ishte gati ta kthente çdo ngjarje serioze në humor. Ishte i gjithi dritë, ashtu si e bija, Buqja, apo si mbesa e tij e dashur, Sara, vajza e Gjergjit dhe Luizës. I ëmbël, i qeshur dhe i dashur me të gjithë, Dhimitër Xhuvani ishte një prej atyre njerëzve dhe një prej atyre shkrimtarëve që duket se po rrallohen dhe nuk do të na vijnë më. Ai nga pesë pasionet primitive të njeriut: dashuria, urrejtja, dëshira, gëzimi dhe trishtimi, nuk zotëronte urrejtjen.

Dhimitër Xhuvani nuk dinte të urrente, nuk dinte të kishte zili ndokënd, ai dinte vetëm të dashuronte dhe të gëzonte. Edhe i trishtuar ishte shumë rrallë. Edhe nëse ishte i dëshpëruar, ti e kishe të vështirë që ta kuptoje, sepse ai ishte pajisur me një vetëpërmbajtje të tillë sa të tjerëve u dhuronte vetëm gëzim dhe dashuri, sepse sa takonte dikë, sytë e tij ndrisnin nga gëzimi. Sot natyrisht emocionet janë më të forta dhe unë që e kam njohur nga afër kam dëshirë të flas për Taqon e shtrenjtë si njeri, por ai do të kujtohet në letrat shqiptare si shkrimtari që u mor vetëm me njeriun, që u përpoq të tregonte me sinqeritet vuajtjen dhe dëshpërimin njerëzor.

Edhe atëherë kur donte të tregonte me më shumë sinqeritet e dashuri se ç‘duhej, pra edhe kur shkroi romanin "Tuneli", nuk donte t‘i kundërvihej askujt, donte vetëm të tregonte me shumë dashuri vuajtjet e njerëzve që punonin. Mirëpo "Tuneli" i tij u bë metaforë dhe për shumë kohë u përmend si një formë jo komuniste e dashurisë njerëzore. Edhe këtë dramë të jetës së tij ai e tregonte me humor dhe kur e pyesja më thoshte se në internim, atje në punën e detyruar, kishte takuar edhe personazhin e romanit të tij, infermieren e famshme, sepse edhe ajo ishte përjashtuar nga puna dhe po riedukohej bashkë me të në brigadën e punës me krah. Pas kësaj ai u bë i famshëm me romanin "Përsëri në këmbë", roman që edhe sot po ta shohësh me vëmendje ka më shumë solidaritet njerëzor, më shumë dashuri për jetën sesa politikë.

Në romanet e Xhuvanit ka vetëm rrëfime dhe histori për fate njerëzish, që edhe në diktaturë vuanin e gëzoheshin, sepse edhe atëherë njerëzit e jetonin jetën. Pas viteve ‘90 ai shkroi shumë romane të tjerë me personazhe që vinin nga realiteti shpeshherë tragjik i tranzicionit shqiptar, siç ishin romanet "Kupa e helmit" apo "Letra e Sonjës".

Natyrisht do të doja të shkruaja më gjatë për Taqon si shkrimtar, por sot ti nuk jeton më i dashur Taqo dhe rrugës sonë do t‘i mungojë e qeshura jote, humori dhe batutat. Ti nuk do të vish më te kafja te Vefi që të qeshim e të tregojmë anekdotat e fundit, nuk do të vish që të na tregosh për historitë e tua të mrekullueshme që ti i tregoje me aq kripë. Ti nuk do të kalosh më te dyqani te "Biondja" dhe Sara e vogël që e di pasionin tënd, nuk do të të thotë më me naivitetin e fëmijës: Gjysh nuk do të kthehemi te Biondja? Jo, i dashur Taqo, ti nuk do të bësh asnjë prej këtyre.

Mbrëmë, nuk e mbaj mend në ëndërr apo zgjuar, më shkoi mendja te ti. Kishe kohë që vuaje dhe unë ashtu si gjysmë zgjuar e gjysmë fjetur, duke ndier shiun që binte dhe duke të menduar edhe ty, thashë me vete se vetëm tani nuk është koha për të vdekur. Por sëmundja nuk pyeti, i dashur Taqo. Megjithëse sot nuk ishte koha për të vdekur.


Lamtumirë, miku im i shtrenjtë Taqo!

Gazeta Shqip
Ilir Yzeiri dhe Arjola Hekurani.

 



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama