Personaliteti i muzikës popullore nga Përmeti, Laver Bariu i njohur si këngëtar dhe instrumentist në gërnetë, përcillet për në banesën e fundit. Usta Laveri u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare. Homazhet për të do të mbahen sot, ora 12.00 -13.00 në Pallatin e Kulturës në Përmet.
Laver Bariu njihet si themeluesi dhe drejtuesi i sazeve të Përmetit, që janë të njohura në Shqipëri edhe jashtë saj. Dhuntia e tij natyrale për t'u marrë me veglat e thjeshta muzikore, që i sajonte nga degët e pemëve apo edhe nga kallami i grurit treguan lidhjet e tij më këtë gjini që në vegjëli.
Muzikologu Vaso Tole në një intervistë për gazetën “Shekulli” tregon për rendësin e këtij personaliteti, për kontributin që ai ka dhënë, por dhe për merakun që kishte shfaqur vjet, në 84-vjetorin e tij të lindjes, mbi fatin e kësaj trashëgimie kulturore, që sipas tij ishte në zhdukje.
Zoti Tole, është ndarë nga jeta Laver Bariu, kjo është një humbje për familjen, por dhe për shoqërinë shqiptare...
Usta Laveri ishte një nga personalitetet më të shquara të muzikës sonë tradicionale dhe padyshim personaliteti më i shquar i iso-polifonisë popullore me saze, i muzikës qytetare të Shqipërisë së Jugut. Rëndësia e tij është e shumanshme, por ndër vlerat e padiskutueshme që ai kishte është fakti që gërneta e tij foli në shqip.
Ky element i referohet gjithmonë traditës më të mirë të identitetit muzikor me saze. Elementi i dytë ka të bëjë me faktin që falë Lever Bariut, ne sot kemi një nga gjinitë më interesante të muzikës iso-polifonike me saze, kaba me saze.
Është një punë shumë e madhe e mjeshtrit Laver Bariu. Sigurisht, që ndarja fizike është e dhimbshme për familjen, të afërmit dhe përgjithësisht për shoqërinë shqiptare. Por problematika më e rëndësishme që hapet pas vdekjes së usta Laverit, ka të bëjë me trashëgiminë e tij.
Kjo po, por gjithashtu edhe se çfarë do të bëhet për të pasur trashëgimtarë në të ardhmen. Ndoshta jo në kalibrin e usta Laverit. Këta muzikantë nuk kalkulohen dot as nga politikat kulturore as nga rastësia, sepse ata janë produkte të historisë.
Prandaj shtrohet pyetja se çfarë do të bëhet për të pasur një traditë të gërnetarëve apo të gërnetistëve, siç janë ata që vazhdojnë traditën popullore pas usta Laverit. Këta faktorë e quajnë Përmetin kryeqendër të gërnetarëve edhe sot që është në ditët më të vështira.
Kjo ndodh për faktin se formacionet e sazeve nuk janë më në ato nivele që duhet të ishin, për sa i përket cilësisë artistike, por dhe sasisë. Po bëhen përpjekje shumë të mëdha për t’i mbajtur gjallë, por mesa duket përpjekjet vendore nuk mjaftojnë.
A mund të bëhet diçka konkrete?
Këtu kërkohen edhe rishikimet e politikave në nivel kombëtar, për të bërë të mundur që pjesë të identitetit të qyteteve tona, krahas trashëgimisë natyrale dhe zhvillimeve bashkëkohore ekonomike të jetë edhe trashëgimia shpirtërore.
Kjo është një pyetje e madhe që lind sot në ditën e mbrame të usta Laverit, të këtij njeriu që për mua konsiderohet një fenomen natyror. Përmetarët thonë: kemi Vjosën, gurin e qytetit, që është një gurë pre historik, por kemi edhe usta Laverin.
Cilën pjesë keni më përzemër nga gjithë interpretimet e Laver Bariut?
Padiskutim që kam disa.
Pse është i rëndësishëm usta Laveri?
Është i rëndësishëm sepse ai me personalitetin e tij, përfaqësonte një unitet të disa profesioneve të muzikës.
Ai ishte klarinetist, ose gërnetist, ashtu siç donte që ta quante veten, ishte edhe këngtatar. I binte gërnetës edhe kur mbaronte me gërnetën interpretonte. Ishte interpretues në llautë, në firzamonikë dhe në disa vegla të tjera.
Pikërisht duke pasur këto profesione të ndryshme, këto nivele të gjykimit të muzikës, ai bëri të mundur që produktin e tij ta kishte të kontrolluar më së miri, më mirë se çdo lloj gjëje tjetër. Këtë standard ai e kishte përvetësuar nga mjeshtërit paraardhës, por e përcolli edhe te më të rinjtë.
Puna e tij kryesore ishte kabaja me klarinetë. Ai ka pasur rreth gjashtë a shtatë kaba, të cilat janë edhe trashëgimia e tij më e mirë për brezat e ardhshëm.
Ju keni qenë i pranishëm edhe në 84-vjetorin e tij të lindjes, çfarë ju kujtohet nga ajo ditë?
Ai ishte i shqetësuar për trashëgiminë e tij. Kishte merak se çfarë do të bëhet me këtë trashëgimi, kur të mos ishte më.
E kishte shumë të madh këtë shqetësim. Ai ishte në gjendje të krahasonte se çfarë intensiteti kishte kultura me saze në periudhën e tij dhe sesa është rralluar kjo traditë në ditët e sotme. Prandaj, mendoj se vdekja e tij është një thirrje për trashëgiminë kulturore shqiptare.
Usta Laveri, krijuesi i sazeve
Laver Bariu (1929-2014) lindi në Përmet.
Në moshën 10-vjeçare ushtrohej në shtëpinë e tij me llautën e të atit, por luante edhe në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalikë që prodhoheshin dhe shiteshin në dyqanet e Korçës, aty ku ishte zhvendosur për të jetuar me familjen.
Për herë të parë luan në gërnetë së bashku me të atin, i cili e shoqëronte me llautë vallen e “Dados”.
Në vitin 1944 kthehet së bashku me familjen në Përmet. Aty takohet me usta Vangjel Leskovikun, pranë të cilit punoi me llautë për rreth 1 vit, ndërkohë që ushtrohej në gërnetë në mënyrë autodidakte.
Pas largimit të usta Vangjelit për në Vlorë, usta Laveri organizon grupin e tij, me të cilin mori pjesë edhe në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar, Tiranë 1952, në të cilin ai vlerësohet me çmimin e parë si instrumentist popullor.
Në vitin 1954 bën regjistrimin e këngës së parë me saze, në vitin 1957 regjistrohet nga ekspedita shqiptaro-gjermane e më pas regjistron në Radio Tirana. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet folklorike lokale edhe ato kombëtare.
Gjatë kësaj periudhe sazet kanë pësuar disa riorganizime strukturore, të cilat kanë reflektuar para së gjithash orientimin artistik të krijuesit të tyre, usta Laverit.
Në vitin 1951 ato përbëheshin nga një gërnetë, dy lahuta, dy fizarmonika, për të ardhur në formacionin e tij të qëndrueshëm të vitit 1976 (e deri më sot), të përbërë nga gërneta, një lahutë, një fizarmonikë, def dhe violinë.
Ato janë konceptuar edhe si saze klasike, pra që vetë interpretojnë në vegla dhe vetë këndojnë, por dhe si formacion shoqërues i këngëtarëve të tjerë popullorë.
Nga kjo pikëpamje është shumë e vështirë që të dallosh personalitetin e usta Laverit si interpret (gërnetë e këngëtar) dhe krijues i shumë stileve aq të njohura sot nga muzika popullore përmetare.
Këtu përfshihen me dhjetëra hyrje këngësh, kaba, valle dhe mjaft riinterpretime të pjesëve të repertorit të vjetër të Sazeve të Përmetit. Këto saze kanë një veprimtari të dendur kombëtare e ndërkombëtare, duke u njohur kudo ku kanë shkuar si “Bilbilat e Përmetit”.
Meritë kryesore e këtyre sazeve është se formuan edhe një tjetër identitet të këngës popullore të Toskërisë: këngën popullore përmetare.
Ai mund të cilësohet si i fundit prej ustallarëve të traditës së madhe të sazeve të Shqipërisë së Jugut. Sazet e Usta Laverit janë formacioni më i kompletuar i sazeve të Jugut për periudhën ndërmjet viteve 1950-‘90.
Vaskë Curri / Një këngë për Laver Bariun
Vaskë Curri është një këngëtar popullor, i cili ka pasur mundësinë të bashkëpunojë me usta Laverin. Ai thotë se nuk do t’i harroi asnjëherë bashkëpunimet që ka pasur me të. Ai tregon edhe për udhëtimet që kanë pasur së bashku e sidomos për disiplinën që e karakterizonte usta Laverin në punë. “Zakonisht takoheshim te klubi. Vetëm dje ai nuk doli.
Nuk kishte vënë në buzë as cigare dhe as raki. Mund të them se me të kam qenë shumë i afërt. Nëse nuk do të ishte usta Laveri, as unë nuk do ta kisha këtë emër që kam sot. Mbaj mend bashkëpunimet dhe udhëtimet që kemi bërë së bashku në dhjetëra festivale kombëtare e ndërkombëtare.
Ai ishte kritik dhe i saktë në punën që bënte. Këngën që kam bërë për të, ‘Laver Bariu’ ma kërkojnë për ta kënduar kudo që shkoj, brenda edhe jashtë vendit, jo nga një herë, por nga dy apo tre herë. Si njeri do të thoja se ishte shumë fanatik, në intonacion e në çdo gjë.
Ai nuk këndonte asnjëherë sa për të thënë. Nëse orkestra nuk ishte e gjitha në rregull, nëse provat nuk ishin bërë ashtu sikurse duhej, ne nuk vazhdonim më tej. Ishte një njeri i thjeshtë që, edhe kur ulej për të interpretuar në klarinetë nuk merrej me tjetër gjë, madje as nuk hante”.