Kur vdes një aktore që ka shkruar historinë e kinemasë është e lehtë të thuash që u shua një yll. Për Elizabeth Taylor mund të thuash të njëjtën gjë. Me Liz u largua edhe ylli i fundit i Hollivudit të madh të viteve ‘50-‘60, ai që bën akoma të ëndërrojë gjithë botën. Herën e fundit që u shfaq në publik ishte në qershor të vitit 2009, në funeralin e mikut të saj.
Michael Jackson. Pastaj u largua ngadalë, edhe pse kishte qenë në qendër të vëmendjes për gjithë jetën. Taylor, një nga ikonat më të mëdha të Hollivudit, vdiq në moshën 79-vjeçare, për shkak të problemeve me zemrën. Aktorja ishte shtruar në Cedar Sinai Medical Center në Los Anxhelos në ditët e kaluara. Lajmi është dhënë nga faqja e internetit “Tmz.com” (i njëjti që njoftoi për vdekjen e Michael Jackson). Aktorja kishte vite që kishte probleme me zemrën dhe vitet e fundit lëvizte vetëm me karrocë, madje në vitin 2009 i ishte nënshtruar edhe një ndërhyrje kirurgjikale. Ylli i madh i Hollivudit kishte bërë pesë ndërhyrje në shpinë, kishte kaluar një tumor në tru, një tumor në lëkurë, vuante nga diabeti, si dhe kishte probleme me mushkëritë.
Vajza e dy amerikanëve rezidentë në Britaninë e Madhe, Elizabeth Taylor kishte lindur në Hampstead afër Londrës më 27 shkurt 1932. Kinemanë në një farë kuptimi e kishte të shkruar në ADN-në e saj, duke qenë se e ëma, Sara Viola Warmbrodt, ishte një ish-aktore e famshme e njohur me emrin e artit Sara Sothern, që u tërhoq nga skena kur u martua në vitin 1926 në Nju Jork. Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore prindërit e saj u kthyen në SHBA dhe familja u transferua në Los Anxhelos. Eksperienca e saj e parë në botën e kinemasë nis shumë herët: në vitin 1942 do të ishte protagoniste në filmin “There's One Born Every Minute”. Menjëherë më pas, aktorja u bë pjesë e filmit “Back Home Lassie” (1943), që tërhoqi menjëherë vëmendjen e publikut. Roli i parë si protagoniste do të ishte ai i Velvet Brown, me filmin “National velvet” me Mickey Rooney. Filmi arriti një sukses të madh dhe i dha asaj statusin e fëmijës gjeni. Që aty filloi karriera e saj e jashtëzakonshme që e çoi në fitoren e dy çmimeve “Oskar” dhe disa nominimeve të tjera për Çmimin e Aktores Më të Mirë Protagoniste. Ajo fitoi në vitin 1961 me filmin “Butterfield” dhe në 1967-n me “Who is Afraid of Virginia Wolf?”. Po ashtu ajo do të mbetet përgjithmonë Kleopatra bukuroshe e kinemasë, në sheshin e xhirimeve të të cilit njohu edhe Richard Burton-in, burrin me të cilin u martua dhe u divorcua dy herë. Në vitin 1963 me “Kleopatrën” ajo u bë edhe ylli kinematografik më i paguar në botë, pasi iu ofrua një milion dollarë për të interpretuar në të. Gjithsesi Elizabeth e përshkruante shpesh atë si burrin e jetës së saj. Për Burtonin ajo u nda nga bashkëshorti Eddie Fisher, jo shumë kohë pasi vetë Fisher në mënyrë të ngjashme ishte ndarë nga gruaja e tij Debbie Reynolds për t’u martuar me Elizabeth Taylor.
Një histori dashurie që në atë kohë mbushi faqet e para të gazetave në të gjithë botën dhe e bëri atë një femër fatale të vërtetë. I dashuri i saj i fundit me të cilin u fejua në moshën 78-vjeçare ishte 49-vjeçari Jason Winters që Liz e kishte cilësuar si një nga burrat më të jashtëzakonshëm që kishte njohur në jetën e saj. Martesa e saj e fundit me muratorin Larry Fortensky mbaroi në vitin ‘96 pas 5 vjetësh lidhjeje. Jo më kot aktorja me sytë me ngjyrën më të veçantë në botë (shumë thoshin se i kishte lejla) ka pasur plot tetë martesa dhe 7 burra në jetën e saj. Interpretoi më shumë se 50 filma dhe punoi me regjisorët më të mëdhenj të kohës së kinematografisë botërore dhe ka pasur përkrah aktorët dhe aktoret më të famshme. Aktive sidomos vitet e fundit edhe në televizion dhe në teatër, Taylor luftoi me gjithë shpirt për të mbrojtur të sëmurët me AIDS dhe në favor të parandalimit të kësaj sëmundjeje të tmerrshme. Mikja më e mirë e Montgomery Clift dhe e Michael Jackson ajo ishte diva e fundit e vërtetë e “star sistem” të Hollivudit. Sipas zërave, për të qëndruar e bukur deri në ditën e fundit të jetës Elizabeth Taylor iu nënshtrua më shumë se 100 operacioneve plastike. Ajo njihej edhe për pasionin e saj të shfrenuar për diamantet. "White Diamond", parfumi nga Elizabeth Taylor, ka qenë aroma më e shitur në vitin 2009 nga ato që janë realizuar nga të gjithë yjet. Linja e parfumit të Taylor është prodhuar nga Maison Elizabeth Arden.
“Oskari” i fundit
Elizabeth Taylor ka kaluar 79 vite duke parë “Oskarët”. Kishte bërë tifozllëk për filmin “King’s Speech”, i cili mori katër çmime gjatë ceremonisë së fundit.