Lamtumire Liza Laskes artistja qe gdhendi ne teater dhe kinematografi figuren e nenes labe!

Lamtumire Liza Laskes, artistja qe gdhendi ne teater dhe kinematografi, figuren e nenes labe!

Artisten e madhe, Liza Laskën, nënën labe në jetë dhe në film nuk do ta kemi më midis nesh. Ajo u nda nga jeta në datën 31 gusht pa shumë zhurmë. Dje të afërmit, miqtë dhe kolegët nga çdo anë e Shqipërisë, i dhanë lamtumirën e fundit, duke e nderuar në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë. Derisa aktorja Liza Laska ishte gjallë, dekorimet për të ishin të pakta në numër, i është akorduar vetëm titulli “Artiste e Merituar”, por vlerat e saj artistike nuk do të mohohen asnjëherë nga publiku, nga njerëzit e thjeshtë, ata që e deshën aq shumë dhe që, do ta mbajnë të ngulitur fort në kujtesën e tyre, nëpërmjet figurës së nënës heroinë.

Ajo do të mbahet mend për interpretimin e roleve të nënave të forta dhe të drejtpërdrejta labe te “Dimri i fundit”, (Mara) ku në mes të dëborës sakrifikon për të ndihmuar partizanët, te “Male me blerim mbuluar”, teksa ndihmon Lilo Laben e plagosur, te “Lulëkuqe mbi mur” si pastruesja me shami të bardhë, si nëna e Belulit te “Guna mbi tela”, Evgjenia te “Në prag të lirisë”, nëna te “Vendimi”, hallë Sofia te “Gurët e shtëpisë sime” dhe në sa e sa role të tjera, që i ka interpretuar me mjeshtëri për popullin e saj. Disa nga artistët që patën nderin që të bashkëpunojnë me të tregojnë për “Shekulli”-n, se patën fat që interpretuan me një artiste kaq të madhe, me një artiste të papërsëritshme, jo vetëm në film, por edhe në teatër, duke spikatur jo vetëm në rolet tragjikë, por edhe ata komikë.  

“Ajo ishte një perlë Jugu”

Aktorja Rajmona Bulku kontaktin e parë me aktoren Liza Laska e ka pasur në filmin “ Dimri i fundit” (1976). Ajo e kujton si një aktore të mrekullueshme, si një perlë të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë, për karakteret e fuqishëm që ka interpretuar në kinematografi dhe në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë.

“Liza Laska ka bërë mrekullira. Unë me dëshirën time të madhe do doja që të ishte më shumë e nderuar sesa vetëm një “Artiste e Merituar”, do doja që të ishte një “Artiste Gjigante”, sepse ajo do të ngelet një artiste me potencial të jashtëzakonshëm. Portreti i saj është magji në ekranin tonë. Liza ka dhënë kontribut të madh, të fuqishëm, të bukur dhe me shumë vlerë në artin shqiptar. Unë e kam vlerësuar shumë si aktore, por e kam dashur shumë edhe si njeri. Mbërrita sot (dje) në Vlorë me shumë dhembje për t’i dhënë lamtumirën e fundit”. Sipas Bulkut, Laska nuk është vlerësuar siç e ka merituar, ajo është e madhërishme ashtu siç janë; Tinka Kurti, Margarita Xhepa dhe një plejadë e tërë aktorësh, të cilëve u duhet thënë faleminderit për punën e tyre, jashtëzakonisht të mrekullueshme në artin shqiptar.

“Unë së fundmi e kam takuar në Tiranë te vajza e saj. Jam çmallur me të. Ajo ishte me një portret sa tragjik, aq edhe me humor të hollë, prandaj mund të them se Liza ishte e veçantë dhe e madhërishme në artin e saj”.

Roli në të cilin, Bulku e kujton me shumë nostalgji është te “Gunat mbi tela”. “Liza Laska te ‘Gunat mbi tela’ për mua ka qenë një perlë, një rivierë siç quajmë edhe Vlorën, një perlë Jugu. Në këtë film është një grua e fortë që mbështet luftën, që mbështet patriotizmin, po ashtu siç ka qenë edhe te “Dimri i fundit”. Ajo kishte një fuqi të jashtëzakonshme, që të jepte kënaqësi të jashtëzakonshme gjatë xhirimit me atë humor që përcillte. Portreti i saj është i pafund edhe në komedi. Ajo ka lënë punë të jashtëzakonshme në teatrin e Vlorës, prandaj mund të them se humbja e saj është një dhembje e madhe. Është një karakter, një potencë aktoriale dhe një figurë e gruas labe që nuk vjen më. Do të ngelet një njeri i mrekullueshëm, që na bëri të qeshte më humorin e saj, pafund. Me shumë dhembje do t’i them sot (dje) lamtumirë”.

“Një aktore e shkëlqyer për rolet e nënave”

Birçe Hasko e kujton si një aktore të shkëlqyer në rolin e nënave që ka interpretuar, në kinema dhe në teatër.

“Ishte një aktore e shkëlqyer për rolet e nënave, nga më të shkëlqyerat në kinema dhe në teatër, do të ngelet një qytetare dhe artiste e madhe. Unë i jam mirënjohës në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, për edukatën e saj artistike, për edukatën e saj qytetare. Ne do ta kujtojmë për nivelin artistik të filmave dhe të shfaqjeve teatrore për shumë vjet si vlonjate, njeri fisnik dhe shumë të edukuar, me klasë të lartë artistik.

Marrëdhëniet e mia me të kanë qenë shumë njerëzore, pa bërë dallime artistike midis nesh. Me humbjen e Liza Laskës, humbasim një njeri, një nënë në skenë edhe në jetë. Ajo ka qenë një njeri i mrekullueshëm që ka dhënë shumë për të tjerët dhe ka marrë prej tyre”.

Bio

Liza Laska ka luajtur mbi 22 role në filma shqiptarë dhe mbi 100 role në teatër.  Ka interpretuar në shfaqjet: “Fundosja e skuadrës”, “Sinjali i kuq”, “Lidhur si fishekë gjerdani”, “Fytyra e dytë”, “Jatagani”, “Familja e peshkatarit”, “Luani i shtëpisë”, “Rruga Budi 723”, “Nëntori i  flamurit”, “Sakrifica” etj.

Laska ka interpretuar edhe 13 role të ndryshme në kinematografi si; nëna te “Shtigje lufte” (1974), Mara te “Dimri i fundit” (1976), me të cilin ka fituar “Medaljonin e Festivalit”, pastruesja te “Lulëkuqe mbi mur” (1976), nëna e Belulit te “Guna mbi tela” (1977), Evgjenia te “Në prag të lirisë”(1981), nëna te “Vendimi” (1984), hallë Sofia te “Gurët e shtëpisë sime” (1985), shoqja e Bonit te “Vdekja e burrit”(1992) etj. Mban titullin “Artiste e Merituar”. Homazhet do të mbahen sot në Teatrin “Petro Marko”, në Vlorë.

Kryeministri i vendit ka postuar në “Facebook” një fotografi të Liza Lakës me mbishkrimin: “ U shua Liza Laska, një tjetër yll i filmit dhe skenës që sot ka mbështjellë në të zeza Shqipërinë e artit dhe të kulturës. I paharruar qoftë kujtimi i saj!”. 

Fate Velaj këshilltari i Kulturës, në emër të Kryeministrit Edi Rama vendosi dje mbi arkëmortin e artistes Liza Laska një kurorë me mbishkrimin: “Me mirënjohje dhe respekt, Edi Rama!”. 

Deputeti i Qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima shkruan se: “ U nda nga jeta aktorja e madhe, ikona e kinematografisë shqiptare, Liza Laska. Ajo njihet nga publiku shqiptar si, themeluesja e Teatrit Profesionist të Korçës dhe si një nga aktoret e para që formuan trupën e Teatrit Profesionist të Vlorës. Liza ka luajtur mbi 100 role në teatër dhe mbi 22 role në kinematografi. Besoj se, të gjithë e kanë në mendje Lizën në rolin e Marës te filmi shqiptar, “Dimri i fundit”, apo në rolin e nënës te “Shtigje Lufte”, por dhe në shumë filma të tjerë. Ndarja e Lizës nga jeta është një humbje e madhe për kulturën shqiptare dhe për të gjithë ne. I paharruar qoftë kujtimi i saj!” “Është nderi dhe krenaria e Teatrit ‘Petro Marko’”

Ilirian Ali, aktor në Teatrin e Vlorës “Petro Marko” e konsideron aktoren Liza Laksën një nga figurat më të rëndësishme që ka lënë gjurmë me krijimtarinë e saj në artin skenik edhe atë kinematografik shqiptar. “Liza Laska ka krijuar një galeri të tërë tipash edhe karakteresh në Teatrin “Petro Marko” të Vlorës, në Teatrin “A.Z. Çajupi” në Korçë, në Teatrin Kombëtar dhe pa përjashtuar këtu dhjetëra figura në filmin shqiptar. Ajo ka spikatur në krijimtarinë e saj për aftësinë, talentin dhe organizimin. Ajo kishte një portret interesant dhe dukej shumë ekspresive. Lexonte shumë, tregonte bukur dhe interpretonte shkëlqyeshëm. Ishte një shembull ideal për ne, të rinjtë që vinim nga shkolla. Ishte fjalëmbël unë nuk e pashë një herë të mërzitur, por vetëm të qeshur dhe me një humor tepër të këndshëm dhe me shumë fines”. Alia kujton se, para fillimit të provës gjithmonë kjo artiste do të krijonte një atmosferë që ndikonte në ecurinë e punës. “Liza pa asnjë diskutim është nderi dhe krenaria e Teatrit “Petro Marko”, ku ajo ka gdhendur me shpirtin e saj dhjetëra figura, që kanë zënë vend jo vetëm në memorien e qytetarëve nga Vlora, por tek i gjithë populli artdashës shqiptar”.

Bashkëpunimet e Ilirian Alisë me të zënë qysh kur ky i fundit mbaroi shkollën, derisa Liza Laska doli në pension, por edhe më mbas. “Kontakti im i parë ka qenë në vitin ‘78 në një komedi, te "Marifete të dështuara”.  Filluam edhe turnet nëpër fshatra. Ishte fantastike, shfaqja nuk i ngjante shfaqjes, si ishte një natë nuk jepej natën tjetër, me improvizime, kapërcime, dialog dhe me një marrëdhënie të fortë midis personazheve që nuk kam për ta harruar, me një humor që buronte natyrshëm. Gjithçka dhe katalizator ishte Liza e madhe. Bashkëpunimi me Lizën ishte një shkollë më vete, një eksperiencë, që ka lënë gjurmë tek të gjithë brezat e mëvonshëm që erdhën në Teatrin P. Marko”.

Liza Laska ishte e lidhur me teatrin ka dhënë ndihmesë në Bordin e Teatrit “P. Marko”, por dhe në Këshillin e Artistik ndihma e saj ka qenë e dukshme dhe e rëndësishme sepse, kishte të bënte me përzgjedhjen e repertorit, me analizat e spektaklit dhe diskutimet. Prandaj bashkëpunimi me të, sipas aktorit nga Vlora, ka qenë i vazhdueshëm dhe shumë frytdhënës me trupën e teatrit.

“Teatri “P. Marko”, por edhe arti skenik shqiptar, ka humbur një aktore të mrekullueshme, një personalitet të shquar të interpretimit skenik dhe kinematografik, që krijuan epokë dhe që do t’i mungojë gjatë teatrit edhe artit shqiptar. Unë mendoj se, duhej bërë edhe më shumë edhe për Liza Laskën, për të cilën i jam mirënjohës, unë dhe kolegët e mi për gjithçka që ka dhënë për Teatrin “P. Marko”. Ne do ta kemi përherë si udhërrëfyese në interpretimet skenike. Lamtumire Ila jonë e dashur të ndritët shpirti edhe do të jesh gjithmonë mes nesh!”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama