Los Anxhelosi regjistroi 55 të vdekur, 3 mijë të plagosur, të paktën një miliard dollarë dëme dhe pushtimin ushtarak të getove të zezakëve me tanke dhe makina të blinduara. E gjetën pa jetë në pishinën e një vile në Hollivud, ku kishte shijuar frytet e të bërit të famshëm fare pa dashur. Qyteti që duhet të ishte ai i engjëjve, nuk kishte jetuar më asgjë të tillë që nga vitet e revoltës së Watts.
Më 1999-n, Rodney King ishte 30 vjeç. Ishte marsi i atij viti kur policia e ndali, për shkak të shpejtësisë mbi normat e lejuara në makinën me të cilën udhëtonte. Ajo rrahje brutale prej tyre kishte në qendër motivin e vetëm: urrejtjen mes racave. Pa dashur King u bë objektivi i një videokamere, që e xhiroi ngjarjen fshehurazi, për fat të mirë të Rodney dhe për fat të keq të policisë. Ishte një kalimtar që e kishte regjistruar gjithë ngjarjen, e çuditshme kjo nëse mendohet për një kohë shumë larg “Facebook”-ut, “Twitter”-it apo telefonave me kamera dhe videoregjistruesve.
Ngjarja
Pas mijëra kilometrave në ndjekje të tij nëpër rrugët e Los Anxhelosit, King ishte ndaluar më në fund nga autopatrulla e agjentëve Singer, Melanie dhe Tim, burrë e grua, pak pas mesnatës së 22 marsit të vitit 1991. U detyrua të dalë nga makina me pistoletën e policëve në kokë dhe i rrethuar nga agjentë të tjerë, djaloshi me ngjyrë doli nga makina, u rrëzua mbi tokë dhe mbi të nisi të ushtrohej një dhunë barbare që përfundoi me 11 fraktura të vogla në kokë, thyerjen e nofullës dhe dhëmbëve, hematoma dhe të tjera fraktura në të gjithë trupin.
Gjithçka u krye nën objektin e një kamere të vogël që regjistroi fshehurazi në një minikasetë, e cila më pas iu dërgua të gjitha agjencive të shtypit dhe stacioneve televizive lokale. Por në fakt nuk ishte rrahja e tij barbare ajo që i vuri flakën Los Anxhelosit. Një vit më vonë, pikërisht në pranverën e vitit 1992, u lanë të lirë të tre agjentët që kundër një njeriu me ngjyrë kishin përdorur edhe elektroshokun.
Vetëm një orë pasi ishte dhënë verdikti, rrugët e pjesës lindore të Los Anxhelosit, dhe sidomos asaj të quajtur “Normandy”, shpërthyen nga revolta. Zemërimi i rezidentëve afrikanë u shfry jo vetëm mbi të bardhët, por edhe mbi emigrantët aziatikë, sidomos koreanët, që kishin marrë, pasuritë që dikur u përkisnin të zinjve, e që ishin larguar që aty pasi nuk i pranonin. Shpërthyen kështu beteja të gueriljes urbane. Shitësit aziatikë, që kishin investuar gjithë jetën e tyre në ato dyqane, i mbrojtën me armë, ndërsa ata që guxonin t’u afroheshin për t’i shkatërruar e paguanin me jetën e tyre. U dogjën lagje të tëra, dyqane, supermarkete, kisha. Shpërthime, zhurma, të shtëna gjithandej.
Me pak fjalë një luftë e vërtetë. Një qytet i gjithi në luftë. Për të normalizuar gjendjen ishte e nevojshme të hynin në qytet të njëjtat reparte ushtarake, me të njëjtat mjete të blinduara, që vetëm një vit më parë, në shkurtin e vitit 1991, kishin hyrë në “Kuwait City” për të larguar ushtarët e fundit të Sadam Huseinit. E ndërsa “zjarri” shtrihej drejt pjesës veriore, bregut dhe vilave të Beverli Hills, Rodney King do të shfaqej duke qarë në të gjitha ekranet e televizioneve lokaleve dhe kombëtare, duke deklaruar: “Po përse nuk mund të bashkëjetojmë të gjithë në paqe”. E në të vërtetë paqja u kthye vetëm kur forcat e armatosura morën në kontroll të gjithë territorin, kur njerëzit u qetësuan dhe kur mbi të gjitha ministri i Drejtësisë nga Uashingtoni, atëherë nën drejtimin e George Bush Plakut, denoncoi policinë e Los Anxhelosit për dhunimin e të drejtave civile të King, duke e cilësuar si një krim federal.
Procesi u mbyll me dënimin prej tre vjetësh të policëve dhe me një dëmshpërblim prej 4 milionë dollarësh që Bashkia e Los Anxhelosit i dha atij. Qetësia u kthye përfundimisht, ndërsa Rodney u shndërrua në një “celebrity”, një personazh pjesëmarrës nëpër “talk show”, i pranishëm në programe të tipit “Big Brother” dhe në një njeri shumë aktiv dhe orator, sidomos kur bëhej fjalë për të drejtat civile dhe ato të njerëzve me ngjyrë. Me ato lekë kishte ndërtuar një vilë me ish të dashurën në Hollivud, vetëm pak hapa larg kodrave të Beverli Hillsit, nga të cilat ai, pa dashur, dikur u kishte vënë flakën. Do të ishte e fejuara ajo që do ta gjente pa jetë në pishinën e vilës së tij në Hollivud, heroin e gjorë pa lavdi.
Etapat
Ndalimi - Më 3 mars të vitit 1991, taksisti afro-amerikan Rodney King, u rrah barbarisht nga policia e Los Anxhelosit
Videoja – Një kalimtar i rastësishëm filmoi gjithë këtë veprim të policisë mbi të. Skenat përfunduan në televizionet e gjithë botës
Procesi - Agjentët dolën të pafajshëm dhe ky verdikt çoi në fillimin e revoltës së njerëzve me ngjyrë në Los Anxhelos, ku vdiqën 55 vetë