Ikona e muzikës shqiptare Vaçe Zela ka ndërruar jetë sot në Zvicër ku banonte prej vitesh. Këngët e saj vazhdojnë të mbeten frymëzim dhe në ditët e sotme. Siç mësohet ajo ishte në një gjendje jot ë mirë shëndetësore prej shumë kohësh dhe sot në orët e para të mëngjesit ka ndërruar jetë në shtëpinë e saj në Bazel të Zvicrës.
Amaneti I fundit I saj ka qenë që të prehet në vendin e saj, në Shqipëri.
Vaçe Zela, e cilësuar si një legjendë e muzikës shqiptare, është e vetmja artiste e dekoruar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.” Një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.
Gjithashtu ajo është fituesja e çmimit të parë në Festivalit e Parë të RTSH-së.
Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
Artistë dhe politikë shprehin pikëllimin e tyre për humbjen e madhe
Në faqet e facebookut të të gjithë artistëve shqiptarë, të politikanëve, por dhe të njerëzve që e adhuronin zërin e saj kanë nisur statusit ku shprehet dhimbja për këtë humbje. Më poshtë po ju sjellim disa nga mesazhet e artistëve dhe politikanëve.
Agim Krajka: Ka vdekur vetëm fizikisht, ajo do të mbetet e pavdekshme në skenën shqiptare.
Sherif Merdani: Na mësoi si të dashurojmë këngën. Është një humbje aq e madhe sa nuk e krahasoj as me 100 politikanë. E kam njohur kur kam qenë në Lushnjë, këndonte në estradën e Lushnjes, me shokun tim u njoh që iu bë dhe bashkëshorti i saj. Ishte mina e Shqipërisë. Një dhuratë nga Zoti
Bujar Kapexhiu: Do të mbetet e paharruar jo vetëm për mua, por për të gjithë të rinjtë që aspirojnë të ngjiten në skenën shqiptare. Ajo ka qenë shkollë për këngëtarët shqiptarë. Ajo këndonte në mënyrë të jashtëzakonshme. Marrëdhëniet e saj me regjisorin, kompozitorin kanë qenë të jashtëzakonshme. Nuk e besoj dot që ajo është ndarë nga jeta.
Agim Doçi: Sapo e mësova lajmin. Po udhëtoj drejt Bazelit…
Aurela Gaçe: Sapo u zgjova dhe hap televizorin si rutinë e mëngjesit. Dëgjoj lajmin e hidhur të shuarjes nga jeta të artistes së Kombit, Vace Zela….menjëhere më erdhi në mend atë cfarë kam përjetuar kur e kam takuar për herë të parë…në shtëpinë e saj në Basel të Zvicrës shkova ta takoj shumë vite me parë…e shoh të buzëqeshur , me zërin e embël që më ftoi të ulesha dhe u bukosa fare, nuk flisja dot, nuk i thosha dot sa shumë e doja zerin e saj, sa shume kisha dëgjuar…më ofroi kek të cilin e kishin gatuar në shtepi….mezi e hengra nga emocioni i madh që kisha duke qëndruar afer saj. E pyes xhaxhi Pjetrin, bashkëshortin e saj, ” si është të jetosh pranë kesaj artisteje kaq të madhe”? Ai mu përgjigj i qetë, për mua ka qenë dhe është njeriu i jetës time. E kam takuar përsëri e kam folur në telefon për ti uruar ditelindjen e saj, dhe zëri i saj po i njëjtë, i qete, i ëmbël, i butë dhe kaq e dashur. Edhe kur kishte vështirësi të fliste nga sëmundja e saj, ajo prape nuk harronte të më pyeste se si isha e si e kisha vajzen.. Të dua shume teta Vaçe (sepse keshtu i drejtohesha), dhe emri yt e zëri yt do të jetojë në memorjen e të gjithëve ne, …. vajzës time do t’ja mesoj emrin dhe këngët e tua, që edhe ajo e brezat e tjere ta dinë se cfare thesari ka pasur e ka Shqipëria. Shpirti yt prefte në paqe.
Edi Rama: Në një kohë e vend tjeter Vaçja do ishte yll i ndezur në qiellin e botës, iku duke lënë përjetë ndezur yllin e vet në qiellin e Shqipërisë.
Topalli: E dashura e Shqiptarëve! Iku Vaçe Zela, mbeti zëri i Saj! I këndoi me dashuri pa kufi vendit të saj si askush tjetër! I gëzoi jetët e shqiptarëve me magjinë e zerit te saj, kur nuk kishte asnjë gëzim për to! Ajo ishte e dashura e shqiptarëve!