Lamtumirë hundëve të zëna, fytit në flakë, kollës dhe teshtimave. Shkencëtarët e Universitetit të Kembrixhit kanë zbuluar kurën për të zhdukur ftohjen. Sëmundja që prek çdo vit miliona njerëz në të gjithë botën tashmë mund të luftohet falë antitrupave të pranishëm në sistemin tonë imunitar dhe një proteine që sulmon virusin duke e shkatërruar. Brenda një dhjetëvjeçari, mendohet se do të jetë gati një ilaç, ndoshta një lloj spray, në gjendje të na çlirojë nga shqetësimi që shfaqet në vjeshtë, në dimër dhe ndonjëherë edhe në sezonet e tjera.
Për industrinë farmaceutike duket një minierë ari për sa u përket fitimeve, ndërsa për autorët e këtij zbulimi mundësia për të fituar çmimin “Nobel”. Po ashtu, edhe për të gjithë personat që preken shpesh nga ftohja po afron fundi i hundëve të bllokuara, dhimbjes së fytit dhe teshtimave pareshtur. Ky zbulim gjigant është fryt i studiuesve të një qendre të famshme në të gjithë planetin: laboratori i biologjisë molekulare në Universitetin e Kembrixhit, të quajtur ndryshe “fabrika e Nobelit”, për shkak të numrit të çmimeve që ka fituar (14). Ka shumë mundësi që ky numër të shkojë në 15, sigurisht kur impakti i këtij zbulimi të ri të fillojë të ndihet.
Studimi
E gjithë merita i takon një ekipi të vogël studiuesish, të udhëhequr nga doktor Leo James. Një grup ku bën pjesë edhe kërkuesi 26-vjeçar William McEwan, një mbiemër ky shumë i njohur: babai i tij është Ian McEwan, një prej shkrimtarëve më të afirmuar në Mbretërinë e Bashkuar, autor i romaneve bestseller në të gjithë globin. “Jam shumë i lumtur dhe krenar për djalin tim. Ai ishte i dashuruar me shkencën që kur ishte fëmijë. Në moshën 3-vjeçare shkonte në shtrat me atlasin apo enciklopedinë në dorë. “Nobelin” në familjen McEwan mund ta fitojë më parë i biri se i ati. Biologjia mund të mbizotërojë betejën me letërsinë në këtë fushë. Risia e zbulimit të realizuar nga shkencëtarët anglezë është kjo: për herë të parë kanë verifikuar se mbrojtja e sistemit imunitar të trupit të njeriut mund të shkatërrojë virusin që shkakton ftohjen, pasi ky ka hyrë në brendësi të qelizave njerëzore.
Deri pak kohë më parë kjo shihej si e pamundur. Doktor James dhe bashkëpunëtorët e tij kanë treguar se antitrupat e sistemit imunitar mund të hyjnë në qelizë bashkë me virusin “pushtues” dhe aty brenda vetë qelizës mund të arrijnë ta shkatërrojnë atë me një shpejtësi ekstreme. “Është si një lloj prite që antitrupat i bëjnë virusit. Sapo mekanizmi imunitar hyn në veprim, virusi eliminohet në këtë hapësirë pas një ore apo dy ore. Është një proces shumë i shpejtë”, shkruan doktor James në revistën “Proceedings” të Akademisë angleze të Shkencave. Agjenti që largon ftohjen është një proteinë e quajtur Trim 21, që gjendet në qelizë. Duke punuar mbi këtë proteinë në të ardhmen do të jetë e mundur të prodhohet një spray nazal, në gjendje të mposhtë ftohjen. Por jo vetëm kaq.
Zbulimi i radhës dhe ideja që antitrupat mund të shkatërrojnë një virus edhe pas hyrjes së tij në qelizat e njeriut, mund të eliminojë shumë të tjerë, nga ata që provokojnë të vjellat, tek ai që shkakton diarrenë dhe gastroenteritin, viruse këtu që u marrin jetën shumë fëmijëve në vendet në zhvillim. Me pak fjalë, vlera e këtij zbulimi të bërë në Kembrixh është vërtet historike. Viruset janë “vrasëset” më të këqija të njerëzimit, duke shkaktuar dyfishin e viktimave që humbin jetën nga tumoret. Mënyra për t’i larguar është me të vërtetë një xhevahir, një gur themeli për mjekësinë. Jo rastësisht ndodhi në “fabrikën e Nobelit”, i njëjti laborator ku në vitin 1935 Jim Watson dhe Francis Crick zbuluan sekretet e ADN-së. Lajmi u publikua në faqet e para të të gjitha gazetave angleze. Është falë doktor James, djalit të McEwan dhe kolegëve të tyre, që duhet t’u themi faleminderit, nëse brenda dhjetë vjetëve nuk do të ankohemi më për ftohjen.
Intervista
Mjekët: Një rezultat i rëndësishëm për mjekësinë
Një rezultat i rëndësishëm për kërkimet bazë, por për ilaçin duhet ende të presim disa vjet. Megjithatë ata e cilësojnë zbulimin e kolegëve të tyre një revolucion kopernikan.
Të gjithë ftohemi të paktën 1 herë në vit? Përse?
Nuk ekziston asnjë sistem imunitar që të vendosë “embargo” kundër ftohjes. Kjo sepse ai gjenerohet nga qindra viruse. Kështu edhe nëse prodhojnë antitrupa për një virus të caktuar mund të infektohemi nga të tjerët. Një të rrituri mund t’i ndodhë 2-3 herë në vit, kurse një fëmije më shumë.
Ekzistojnë bindje false mbi ftohjen?
Po, thuhet që është një sëmundje që shkaktohet nga i ftohti, ndërsa kjo mund të jetë vetëm një prej shkaqeve. Ftohja i paraprin sezonit të gripit. Për më tepër me ftohjen e kohës qëndrojmë më shumë në ambiente të mbyllura dhe virusi mund të transmetohet më shpejt përmes kollës, teshtimave, apo kontaktit me duar. Nga ftohja njerëzit preken sidomos në vjeshtë. Zakonisht nuk zgjat më shumë se tri-katër ditë. Rrallë jep temperaturë apo probleme të rënda. Një në dy persona as që kurohet te mjeku, por e gjen zgjidhjen me mënyra alternative.