Lamtumire me duartrokitje per Besa Imamin

Lamtumire me duartrokitje per Besa Imamin

Në homazhet për aktoren marrin pjesë emra të njohur të skenës dhe politikanë. Imami vlerësohet si një nga themelueset e Teatrit në Shqipëri. Besa Imami “u ngjit” për herë të fundit në skenën e Teatrit Kombëtar dje, e mbyllur në arkëmort dhe mbi supet e të afërmve si për t’i dhënë lamtumirën vendit ku u dha jetë dhjetëra roleve. Kur kortezhi doli nga dera e Teatrit, aktorë, miq, të afërm e familjarë e duartrokitën për rolet në të cilat, siç thoshte, kishte lënë pjesë-pjesë shpirtin dhe që e bëjnë atë të përjetshme.

Familjarë, miq e dashamirës, aktorë të njohur të skenës ishin dje të pranishëm në orët e paradites në ambientet e Teatrit Kombëtar për t’i dhënë lamtumirën e fundit aktores së mirënjohur të skenës, Besa Imami. Mes lotëve dhe nostalgjisë ata sollën edhe një herë në mendje kujtimet dhe çastet më mbresëlënëse në shoqërinë e Besës në jetë dhe në skenë. Aktorja Tinka Kurti u shpreh e mallëngjyer për shoqen e saj: “Kam vite që e njoh Besën dhe është një figurë monumentale. Ka qenë një aktore e mrekullueshme dhe familje e mrekullueshme. Grua trime që më ka dhënë edhe mua shpeshherë kurajë”, – u shpreh aktorja. Roza Anagnosti, një tjetër bashkëkohëse e mike e së ndjerës, tha se ajo kishte një portret dhe një hijeshi që shkëlqente në skenë. “Në skenë ishte fantastike edhe ana e brendshme, e jashtëzakonshme edhe me komunikimin. Ishte një grua krenare, të cilën e kam parë si idhull kur kam ardhur në teatër”, – tha ajo.

Shumë personalitete të politikës, si kreu i Kuvendit Ilir Meta, kryebashkiaku Lulëzim Basha, një përfaqësi e deputetëve të shumicës Gramoz Ruçi dhe Valentina Leskaj apo deputetë të opozitës Arben Imami,  ishin gjithashtu të pranishme në lamtumirën e fundit për nder të aktores të cilën e vlerësuan si themeluese e teatrit kombëtar.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, i cili ishte i pranishëm në homazhe së bashku me bashkëshorten e tij, u shpreh se kjo është një ditë e trishtë për të gjithë qytetarët dhe sidomos për komunitetin e artistëve. “Besa Imami ka lënë pas një trashëgimi të shkëlqyer të veprave me punën e saj. Kjo është një tjetër ditë e trishtuar për të gjithë qytetarët, sidomos për komunitetin e njerëzve të kulturës dhe artit, të kinematografisë, teatrit, pasi iku një ikonë e ekranit, e filmit dhe e teatrit tonë”, tha Meta.

Edhe kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha, pasi vendosi buqetën me lule pranë trupit të pajetë të artistes, në fjalën e tij për mediat theksoi se “ndarja nga jeta e Besa Imamit është një humbje e madhe e një aktoreje, e cila do të mbetet e pavdekshme jo vetëm duke u kujtuar për rolet që interpretoi në teatër apo kinematografi, por dhe si një ndër themelueset e teatrit në vend”. Kryeministri Edi Rama e shkroi mesazhin e tij në faqen e Facebook. “Besa Imami ishte një nga hijet e larta të kohës së vjetër, kur me Arturin i shijonim byrekun e i dëgjonim kritikat! I lehtë i qoftë dheu!”, tha Rama.

Ndërsa deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj u shpreh se kjo është një humbje e madhe. “Do ta kujtojmë Besën me rolet e saj të mrekullueshme, me historinë që ka bërë në teatër edhe në vitet më të vështira, kur për gratë shqiptare nuk ka qenë e lehtë të merreshin me kulturë. Ka qenë nga ato gra, që me kurajën, talentin e saj fantastik, me kulturën dhe dinjitetin e saj ka bërë një emër që do të mbahet mend edhe nga brezat që do të vijnë. Pra ka lënë një pasuri veprash të artit dhe një pasuri të madhe personazhesh. Është nga ato figura që do t’u mungojë të gjithëve”, – tha znj. Leskaj. Besa Imami u përcoll dje për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës në Tiranë. Ajo iku duke u lënë pas shqiptarëve imazhe që do mbeten gjatë, duke mbetur kështu e përjetësuar.

Besa Imami: Për aktorin, të gjitha rolet janë të shpirtit

Intervista e fundit e Besa Imamit 10 ditë përpara ndarjes nga jeta, lidhja e saj me qytetin e lindjes dhe dëshira për ta riparë, edhe pse e pamundur për shkak të sëmundjes

Besa Imami shkoi pa e parë dot Gjakovën, qytetin për të cilin thoshte se kishte mall e nostalgji. Për aktoren që është përjetësuar në mendjet e shqiptarëve si imazhi i vetëm i Donika Kastriotit, bashkëshortja e Heroit Kombëtar në filmin e realizuar për këtë të fundit. Intervista e publikuar në ‘Ora News’ është marrë vetëm pak ditë para se Imami të ndahej nga jeta dhe sjell kujtimet e saj për aktrimin apo lidhjen me vendlindjen.

Çfarë të mungon nga skena?

Gjithçka. Rolet, opinioni publik, sallat me spektatorë, dashuria e tyre për mua dhe e imja për ta…

Çfarë mbani mend nga filmi “Skënderbeu”?

Në filmin “Skënderbeu” kujtoj surprizën. Unë në atë kohë isha e sëmurë në spital dhe vijnë e më thonë: hajde të dalësh, hajde të lëvizësh, mos rri në dhomë. Unë nuk  kuptoja pse më thoshin kështu. Por më vonë kuptova se më kishin vendosur në rolin e Donika Kastriotit e duhet të përgatitesha shpirtërisht dhe fizikisht. Nuk ishte shaka, sepse unë do të shkoja në atë kohë në Bashkimin Sovjetik, që kishte një korporatë të madhe të kinematografisë të asaj kohe.

Cila është gjëja që kujtoni më shpesh?

Unë tashti jam tip nostalgjik. Mendoj për ato që nuk i kam prej kohësh; atdheu im i lindjes që është Gjakova, me gjithë vendin ku kam lindur, që quhet Mëhalla e Hadumit (lagjja historike e qytetit) dhe stërgjyshërit e mi aty kanë ngritur një xhami që rezulton të jetë një ndër simbolet e Gjakovës.

Cilat janë rolet më të dashura për ju?

Nuk përcaktoj dot sepse për aktorin të gjitha rolet janë të shpirtit, ke dhënë diçka nga vetja në ndërtimin e personazheve që janë shkruar nga autorët, kështu që nuk bëj ndasi. Kam nostalgji për të gjitha.

Çfarë është për ju Gjakova?

Gjakova është qyteti i lindjes, me kujtime, me babain, me nënën. Për fat të keq ata s’janë më, por që me fotografi i kam shumë të pasur, në fotografi dhe në shpirt. Vëllezërit gjakovarë, në radhë të parë kanë qenë luftëtarë. Vëllai i madh ka rënë dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare. Nuk ishte as 17 vjeç e 2 muaj kur u vra në luftë. Lufta bëri që ata të ishin shokë të pandarë. Sot e përgjithmonë, një nga rrugët e Gjakovës mban emrin Besim Imami.

Keni ndonjë porosi për gjakovarët?

Të jenë luftëtarë siç kanë qenë denbabaden të parët e tyre, për ta ndërtuar Gjakovën ashtu siç dëshirojnë, me gjuhën shqipe. Ata kanë luftuar. Gjakova shquhet për Shqiptarizëm, shkurt fjalës.

Keni ndonjë dëshirë, diçka që do donit të bënit?

Unë do të kisha dëshirë të bëhesha mirë e të shkoja ta vizitoja një herë Gjakovën. Për fat të keq, më ka kapur sëmundja. Nostalgji dhe fatkeqësi për mua…


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama