Lamtumire mjedologut Mentor Quku!

Lamtumire mjedologut Mentor Quku!

Lajmin e vdekjes së tij e mora parmbrëmë prej Dom Nikë Ukgjinit, njërit prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Mentor Qukut. Vepra e fundit që ata, tashmë e kishin përfunduar, thuajse së bashku është Kukli i Ndre Mjedës, një unit arkitekturor e kulturor, ndoshta i papërsëritshëm në Shqipëri. Është shëmbëlltyra e një gjëje të dobishme, që mund të bëjnë njerëzit vullnetmirë në dobi të kulturës dhe etnogjenezës sonë kombëtare, me qetësinë e pabujshme, por dhe me dinamikën e ritmin e lartë me të cilin, kjo kategori e njerëzve dinë t’i bëjnë gjërat e dobishme, duke shpërfillur e sfiduar zhurmën e bujën që shoqëron shpeshherë, punë ndoshta shumë më të pakta, që bëhen në këtë fushë, sidomos Kukli, fshati ku poeti, gjuhëtari, politikani, atdhetari, Ndre Mjeda shërbeu për tridhjetë vjet, sot është padyshim një qendër e papërsëritshme pelegrinazhi, jo vetëm për këtë figurë monumentale të kulturës sonë, por ndoshta për gjithë trashëgiminë tonë kulturore kombëtare.

Pararendësi ishte pamëdyshje, Mentor Quku. I dashuruar që herët me këtë figurë shumëdimensionale dhe të përkorë të kulturës Shqiptare, Ndre Mjedën, ai e kishte nisur sendërtimin e saj, me hulumtimet dhe studimet e veta, rreth 50 vjet më parë kur ishte mësues atje. Botimet e atyre viteve, në shtypin shkencor e letrar të asaj kohe, qenë zanafilla e gjithë asaj që Mentor Quku, pasi është nisur për në botën tjetër ka lënë në panteonin e trashëgimisë sonë kulturore. Një vepër jetëshkruese në dhjetë vëllime, me më shumë se 4000 faqe, një lëndë-nektar e mbledhur edhe nga dëshmi të shumta të bashkëkohësve të Mjedës, por më pas nga arkivat e mëdha europiane të Romës, të Vjenës, të Polonisë, Gjermanisë, Amerikës... Mentori ia arriti të hedhë , kështu themelet e “Mjedologjisë”, një institucioni studimor autentik shkencor. Numri i parë revistës ”Mjedologjia 1” bashkëthemeluar gjithashtu prej tij, është edhe më e fundit dëshmi që la para se të mbyllte sytë. Por jam i bindur se nuk ishte as ideja e as projekti i tij i fundit. Njerëzit si Mentor Quku, që në jetën e vet hulumtuese e shkencore kishin ecur gjithnjë me progresion gjeometrik, janë dhe mbeten burim i pashtershëm frymëzimi, modele të përkryera që vlejnë për sot dhe për nesër. Nekrologji për studiuesin shkodran Mentor Quku, laurat i çmimit letrar “Serembe”(2008). Tema qendrore e studimeve të tij është ajo e Ndre Mjedës, për të cilin ka organizuar kërkime në Shqipëri, Kosovë e në shumë vende jashtë shtetit

Mentor Quku

 Është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare, studiuesi shkodran Mentor Quku. Prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë e pashërueshme. Quku i kushtoi Dom Ndre Mjedës 40 vjet punë intensive, duke mos reshtur së shkruari për të u shndërrua në simbol të quajtur studiuesi i mjedologjisë. Ka lindur në Bilisht të Korçës më 20 janar 1939. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në qytetin e Shkodrës. Mori mësime nga ikonografia e njohur Viktori Puzanova, si dhe nga piktorët Simon Rrota dhe Vladimir Jani. Lufta e klasave ia ndërpreu të drejtën për të vazhduar në këtë fushë. Në qershor të vitin 1954 kreu shkëlqyeshëm shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër, në vitin 1957 Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë, ndërsa në vitin 1963 kreu Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Aktualisht jetonte me bashkëshorten, Ixhlal Qukun në Shkodër, me të cilën ka tri vajza: Valbonën, Orjetën dhe Evisin. Në vitet 1954 -‘57, ka shërbyer si arsimtar në shkollat e Shtiqënit, Brutit dhe Kukësit. Ndërsa në vitet 1957-‘61 ka shërbyer në shkollën e mesme “Hydajet Lezha” në Lezhë. Gjatë dy viteve shkollore, 1961-‘63, ka qenë mësues në shkollën e mesme, “Xheladin Fishta” në Shkodër. Më vitin 1963-‘65 ka kryer shërbimin ushtarak në Laç të Milotit, pastaj, në vitet 1965-1991 ka qenë mësues në shkollën e “Barbullushit”. Në vitet 1991-‘92 ka qenë drejtor në shkollën e “Bahçallekut”. Nga viti 1992 deri më vitin 2000 ka qenë drejtor i Muzeut Historik Shkodër dhe drejtor i revistës “Kumtari”. Ka drejtuar projektet dhe ka organizuar katër seminare ndërkombëtare “Shkodra në shekuj”. Është autor i shumë studimeve e botimeve, si në metodikë të dhënies së mësimit, pedagogji familjare, pedagogji shkollore, pedagogji sportive, tekstologji, psikologji e arteve figurative, psikologji sportive dhe psikologji e moshave. V.D

Vepra studimore "Mjeda"

Botimin e plotë të kolanës studimore “Mjeda”, Mentor Quku e përfundoi më vitin 2013 për 100-vjetorin e Pavarësisë. Kjo kolanë, e botuar nga Shtëpia Botuese “Ilar” në vitet 2004-2013 përmban nëntë vëllime. Mjedisi intelektual i qytetit të Shkodrës, si edhe mbarë komuniteti i studiuesve të letërsisë shqipe, e kanë vlerësuar dhe e çmojnë në mënyrë të veçantë kontributin e Mentor Qukut, puna e të cilit tashmë shërben si referencë e pazëvendësueshme për studimet shqiptare, e në veçanti për studimet mbi Ndre Mjedën dhe mbi veprën e tij. Këtë e dëshmon, së fundi, edhe botimi i numrit të parë të revistës studimore “Mjedologji”, e cila përmban njëzet punime mbi Ndre Mjedën nga studiues të konfirmuar të të gjitha trojeve shqiptare dhe i kushtohet mjedologut Mentor Quku. Për kontributin e tij, Mentor Quku është vlerësuar me medaljen “Mësues i Merituar” (1991) dhe “Mirënjohje e qytetit të Shkodrës” (2011).

Tema qendrore e studimeve të tij mbetet ajo e Ndre Mjedës, për të cilin ka organizuar kërkime në Shqipëri, Kosovë e në shumë vende jashtë shtetit. Në vitin 2004 botoi vëllimin e parë “Rinia”. Me këtë rast fondi Dr. Peters Mahringer-Fonds i bëri një vlerësim maksimal, duke i siguruar mundësitë për ekspedita kërkimore shkencore në arkivat, bibliotekat dhe muzeumet e Vjenës. Më vitet 2005-2006 punoi në Österreiche Haus-Hof-und Staatsarchiv, Österreische National Bibliothek, Archiv der Universität Wien, Bibliothek des Ost-und Südost Europa Instituts, Muzeun Nacional të Vjenës, Meyerling Museum, Bibliotekën e Universitetit të Gracit. Bashkëpunoi me personalitete të shquara të kulturës dhe shkencës si: Arshi Pipa, Bernard Stillfried, Ilona Slavinskin, Ivan Boserup etj. Punoi në Arkivin e Propaganda Fides, Arkivin e Jezuitëve Romë, Arkivin Historik të Provincës Venet.                


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama