Ai ka qenë gjithnjë i pranishëm në festat e fundvitit. Këtë vit nuk do të mund ta kemi fizikisht apo me materiale të reja humoristike. Sepse aktori i humorit Veli Rada është përcjellë tashmë për në banesën e fundit. Ka ndodhur dy ditë më parë në orët e mbrëmjes, atëherë kur edhe është ndarë nga jeta humoristi i estradës Veli Rada. Aktori i madh i humorit, i mirënjohuri Veli Rada është ndarë nga jeta në moshën 72-vjeçare pranë familjarëve të tij. Shkak i kësaj humbjeje është një sëmundjeje e rëndë. Homazhet në nderim të tij u bënë në sallën e Teatrit të Metropolit në Tiranë pas mesditës së djeshme deri në orës 14:30, para se të përcillej për në banesën e fundit. Familjarët e tij, bashkëshortja Hyrie, i biri Xhodian së bashku me bashkëshorten e tij, edhe dy motrat Enkeleda dhe Florinda kanë qenë në sallën e Teatrit të Metropolit për rreth një 2 orë në pritje të miqve dhe të afërmve të tij më të mirë.
Homazhet
Vendi ishte shumë i vogël, edhe për një aktor që ka performuar rreth 35 vjet në skenën e një estrade, me siguri që në ndonjë vend tjetër të botës do të duhej të gjendej një sallë më e madhe, se sa ajo në të cilën ishte vendosur arkë-morti i aktorit dhe komentatorit të sportit Veli Rada. Ishte një sallë që nuk i kalonte pesë hapa gjatësi dhe katër gjerësi. Vendi ishte i vogël edhe për familjarët e aktorit që prisnin ngushëllimet. Vështirë se miqtë mund ta përshëndesnin për herë të fundit me lule, duke hyrë në grup apo në kolektiv, ashtu sikurse edhe në skenë. E megjithatë, fundi i vitit duket se nuk ka bërë të mundur një sallë më të madhe për të kryer homazhet për të ndjerin Veli Rada.
Njerëzit që e përshëndetën për herë të fundit
Në ceremoninë e përcjelljes së aktorit ishin më shumë familjarë dhe personazhe që vinin nga bota e sportit, se sa personazhe që vinin nga bota e artit. Shumë demokratë, njerëz me bindje politike njëlloj si Veli Rada ishin pjesë e këtyre homazheve. Edhe pse kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk mundi të ndodhej në homazhe, aty nuk munguan zëvendësja Jorida Tabaku, si dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Mungesa e artistëve, ndoshta edhe për shkak të impenjimeve të festave të fundvitit, gjithsesi ishte diçka që të gjithë të pranishmëve u ra në sy. Kishte edhe nga ata kalimtarë që pasi kalonin aty dhe pyesnin se çfarë po ndodhte, hynin brenda për të ngushëlluar familjarët e artit.
Kush ishte Veli Rada?
Veli Rada ishte një aktor i shquar i humorit shqiptar, i nderuar edhe i vlerësuar me shumë tituj. Ai e ka realizuar karrierën e tij humoristike para edhe pas viteve ’90, kur edhe sistemi i diktaturës ra. Në koncepte ai ishte shumë demokrat dhe si i tillë u nda nga jeta. Në vitin 2013, pra vetëm një vit më parë, ai u nderua nga Bashkia e Tiranës me titullin “Mirënjohja e kryeqytetit” si dhe nga Presidenti i Republikës “Mjeshtër i Madh”. Në fakt, pikërisht për këtë arsye ai u nderua dhe homazhet u organizuan nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës, pavarësisht se vetë kryetari i Bashkisë së kryeqytetit mungonte në këtë ceremoni përcjelljeje. Por, Veli Rada kishte ca kohë që i mungonte skenës, edhe për këtë ai i ishte përkushtuar një pasioni tjetër, atij të komentatorit sportiv.
Aktrimi dhe më pas futbolli
Në aktrimin e tij spikaste prirja për të ravijëzuar karaktere personazhesh me natyrë disi nervoze, njerëz prepotentë, drejtues e administratorë burokratë, politikanë ekstremistë dhe figura të tjera, prej nga një artist me shpirt të lirë, sigurisht që do të vuante nëse nuk do t’i përcillte. Veli Rada ka qenë një aktor, i cili kryesisht përdorte gjeste të prera dhe një të folur “të ashpër”, duke shfrytëzuar me sens komik, po aq edhe zhargonet, e sidomos zhargonin e labërishtes, atë të minoritetit grek etj. Pas roleve të vogla në gjinitë e estradës, ka luajtur edhe në komeditë “Tre dhëndurët”, “Lezeti i kolltukut dhe krevatit” apo “Revolja e humbur”, ku luajti rolin e hetuesit, me të cilin krijoi figurën e dhunshme e dinake të nëpunësit të sigurimit të shtetit në periudhën e diktaturës. Roli si kushëriri i parë i Edlirës në filmit “Stola në park”, është gjithashtu i njohur për publikun e gjerë. Ndërsa në futboll, ai ishte i njohur për komentimin e ndeshjeve të Tiranës, të atyre ndeshjeve që realizoheshin në kryeqytet. Ishte një pasion i tij, një pasion i madh që kohëve të fundit e kishte shkëputur shumë nga skena e teatrit. E megjithatë ai nuk mungonte festave të fundvitit.
Biografia
Veli Rada lindi në Tiranë, më 23 shkurt1942. U aktivizua fillimisht në Lëvizjen Amatore Teatrore të qytetit. Aftësitë e shprehura në fushën e komedisë dhe të humorit e çuan vetiu drejt studimeve të larta për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve, dega e Dramës. Pas mbarimit të tyre, në vitin 1983, filloi punë si aktor në Estradën e Tiranës, ku punoi për plot 35 vjet. Ka luajtur shumë role në estradë, edhe pse ai u diplomua për dramë. Komeditë, skeçet, monologët, kupletet dhe disa zhanre të tjera të humorit ishin dhe do të mbeten pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij. Pas viteve '90 Veli Rada u përfshi edhe në politikë. Ai ka kontributin e tij në Partinë Demokratike në Shqipëri, ndaj edhe sot është përcjellë me nderime nga ish-lideri i kësaj partie Sali Berisha. Sipas tij, Rada i dha shumë PD-së. "Erdha të shpreh pikëllimin, dhimbjen dhe nderimin tij për Veli Radën, familjen e tij dhe miqtë e tij. Veliu është një jetë e tërë e përkushtuar ndaj artit skenik, por edhe ndaj vlerave të demokracisë. Ai ishte një artist dhe me talentin e tij kontribuoi shumë në satirën shqiptare. Por, ndërkohë ai ishte edhe një nga veprimtarët më të shquar, më të vendosur e më të përkushtuar të Partisë Demokratike, ndaj edhe duke shprehur vlerësimin tim më të madh dhe mirënjohjen për kontributin e tij. Lutem sot së bashku me familjarët, miqtë dhe të afërmit e tij, që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar", tha ai.
Flasin miq dhe kolegë të artistit
Artistë e komentatorë sportivë të njohur kanë shprehur dje ngushëllimet e tyre për humbjen e një artisti si Veli Rada. Të pranishëm në homazhet e një demokrati që i shpalli hapur bindjet e tij nuk kishte si të mos ishin edhe disa nga figurat e Partisë Demokratike në vend. Kryetari i ri i Partisë nuk ishte i pranishëm, por kryetari i vjetër po. “Shekulli” ju përcjell sot fjalën e tij dhe jo vetëm, në mirënjohje të punës së këtij artisti humori të dekoruar vetëm një vit më parë. Kontaktuam edhe me artistë që kanë bashkëpunuar me të. Ja çfarë thonë miqtë dhe gjithashtu edhe ndjekësit e artit të tij.
Dëfrim Methasani: E nderoj artisti nga vendi që e donte shumë
Nga Peshkopia mora lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të një miku dhe kolegu, si Veli Rada. Në pamundësi për ta nderuar aktorin dhe komentatorin e shquar në lamtumirën e tij, përcjell homazhin dhe ngushëllimin tim nga ky qytet që ai e deshi aq shumë, pasi ishte dhe nip. U prehsh në paqe, i shtrenjti Veli!
Marjana Kondi: Veliu, një i çmendur pas futbollit
Edhe pse unë kam shumë role me të në skenë, më të mirat e këtyre viteve të fundit ai i dha në fushën e sportit. Unë do të kisha një mal me ndodhi për të kujtuar. Të gjitha ma sjellin ndër mend Veliun si një njeri plot humor, satirik dhe shumë serioz në të njëjtën kohë. Pasioni i tij i madh për futbollin dhe për komentimin e ndeshjeve të kryeqytetit e bëri të largohej këto vite nga skena, por ai mbetet ende një artist që ka kontribuuar për 35 vjet në estradën shqiptare.
Behar Mera: E dhimbshme, por do ta kujtoj gjithnjë me humor
Kjo që ndodhi sot është e dhimbshme. Është larguar nga jeta, një mik shumë i mirë i imi dhe një artist shumë i mirë i estradës shqiptare. Unë do ta kujtoj gjithnjë duke qeshur. Edhe këtë fundvit humori i tij do të jetë gjithsesi i pranishëm në shtëpitë tona.
Suela Konjari: Nuk luajta dot asnjë rol me të
Nuk e kam njohur shumë mirë Veliun në skenë. Nuk kam luajtur asnjë rol përkrah tij, por sot isha që në minutat e para të homazheve pranë familjarëve për t’i ngushëlluar. Sigurisht që dëshira për të pasur edhe një rol me të është e madhe, por tashmë e pamundur. Unë gjithsesi kam pasur nderin ta ndjek atë dhe humorin e tij nga afër. Ai mbetet një figurë e njohur e estradës.
Dhimitër Gjoka: Ngushëllime familjes dhe gjithë të afërmve!