Thinjat
Flokët tona humbasin ngjyrën në mënyrë progresive me kalimin e viteve, si pasojë e rënies së melanociteve, qeliza të melaninës (pigmenti që karakterizon ngjyrën e lëkurës, prodhimi i të cilit stimulohet nga drita e diellit).
Melanocitet janë të vendosura në folikulën e fijes dhe janë përgjegjëse për ngjyrën e flokëve. Mosha mesatare e shfaqjes së thinjave të para është rreth të 30-ave dhe tregon nisjen e reduktimit të aktivitetit të melanociteve. Sipas studiuesve francezë, disa prej qelizave që sekretojnë melaninën nuk shkatërrohen përfundimisht nga plakja, por hyjnë në një fazë letargjie, d.m.th. nuk kryejnë më funksionin e tyre. Sipas studiuesve francezë, riaktivizimi i tyre ndalon procesin e zbardhjes së flokëve.
Studimi
Studimi i financuar nga L’Oreal ka monitoruar 13 mijë vullnetarë të moshës 35-60 vjeç për 8 vjet rresht, kohë gjatë së cilës shumë prej tyre i kanë parë flokët e tyre të bien apo të bëhen të bardha. Funksioni i ekstraktit të frutit, emrin e të cilit L’Oreal e mban sekret, është ai i kthimit në punë të melanociteve. Sipas studiuesve, efekti ideal arrihet nëse preparati merret para se flokët të nisin të thinjen, pasi nuk dihet me siguri nëse ai do të funksionojë pasi procesi i zbardhjes ka nisur.