Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur hetimet për disa punonjës policie, pasi dyshohet se ata kanë dekonspiruar operacionin e arrestimit të vrasësve me pagesë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për dekonspirimin e arrestimit të kushërinjve Genis Mëhillaj dhe Andon Mëhillaj, të cilët janë shpallur persona në kërkim. Mëhillajt dyshohet se janë njoftuar nga efektivë të policisë, e për pasojë ata kanë pasur mundësi që të arratisen nga Shqipëria. Burime nga Ministria e Brendshme thonë se prokuroria ka bërë gati disa fletë-arreste për oficerët e policisë, që kanë nxjerrë informacione, të cilat kanë bërë që operacioni i arrestimit të dy personave të lartpërmendur të dështojë. Emrat e dekonspiruesve nuk janë bërë të njohur deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.
Prokuroria kundër policisë
Ndërkaq, burime nga prokuroria bëjnë me dije se Policia e Tiranës ka prishur hetimet, duke publikuar në media arrestimin e Julian Sinanajt. Nxjerrja e një informacioni të tillë ka dëmtuar punën e prokurorisë, e cila kishte nisur para arrestimit të 31-vjecarit. Arrestimi i tij, sipas prokurorisë, ka bërë që porositësit e vrasjeve, ndërmjetësit dhe bashkëpunëtorët e tjerë, të largohen nga Shqipëria. Më 25 janar të këtij viti, Policia e Tiranës do të shpërndante për mediat, arrestimin e Julian Sinanajt, 31-vjeçarit nga Elbasani. Ajo do të thoshte se i riu akuzohej për një sërë vrasjesh me pagesë dhe krime të tjera të rënda në Shqipëri dhe Greqi.
Përveç informacioneve, mediave u është shpërndarë edhe fotografia e Sinanajt dhe arsenali i armëve që i janë gjetur gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga policia në momentin e arrestimit. “Më datë 25.01.2014, nga strukturat e policisë së kryeqytetit u arrit kapja e shtetasit Julian Sinan Sinanaj, 31 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Vlorë. Ky shtetas u kap në afërsi të zonës së ‘21 Dhjetorit’ në Tiranë, me një armë zjarri tip pistoletë ‘TT’. Pas hetimeve të kryera mbi këtë shtetas, dyshohet se është autor i disa ngjarjeve të rënda në Tiranë, i dyshuar si vrasës me pagesë, brenda dhe jashtë vendit. Aktualisht strukturat e policisë po punojnë për të dokumentuar përfshirjen e tij, në disa ngjarje duke bashkëpunuar me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Tiranës”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë.
Sekreti hetimor
Nxjerrja e informacionit për median, duket se ka shqetësuar organin e akuzës. Si pasojë e kësaj, bëhet me dije se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur procedimin penal për nxjerrje të sekretit hetimor, për funksionarët publikë, të cilët kanë publikuar të dhëna jozyrtare, për operacionin që kishte të bënte me arrestimin e vrasësve me pagesë, porositësve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë. Bëhet fjalë për rrjedhje informacioni lidhur me operacionin dhe hetimet, në kuadër të të cilave janë arrestuar Julian Sinanaj, Ndriçim Gjokona dhe disa persona të dyshuar si të përfshirë në vepra të rënda penale, ndër të tjera edhe vrasje me pagesë.
Prokuroria e Përgjithshme thotë se medias i janë ofruar të dhëna, të cilat dëmtojnë seriozisht hetimin dhe si pasojë e kësaj po punohet për t’i identifikuar përgjegjësit e rrjedhjes së informacionit. Përveç hetimeve, nxjerrja e të dhënave rrezikon jetën e personave të përfshirë në këtë çështje. “Gjithashtu, organi i prokurorisë do të vijojë të ndjekë me vëmendje çdo informacion jozyrtar që do të publikohet për këtë çështje dhe do të vijojë me procedimet penale për çdo person që ka për detyrë të ruajë sekretin, duke pasur parasysh se hetimi për këtë çështje është në fazat e para të tij”, thuhet në njoftimin e nxjerrë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme. Silvana Muça