E pinte verën e butit, fjalosej me njerëzit e thjeshtë, një ditë më pa mua dhe më tha të dilja nga Voloreku dhe unë i thashë se do të bëja këmbë andej, po veç kur të ikte ai, se nuk i duroja rojat. Kur ishte ai këtej, nuk vinin mjellmat tek unë, se i ndillnin rojat. Ato që s'bindeshin, se mjellmat s'pyesnin kush ishte Enveri, qëlloheshin me silenciator. Kur i thanë njëherë se ca mjellma nuk donin të qëndronin në Volorek, ai qe përgjigjur; veruni shenjë atyre tradhtareve, se dua t'ju them dy fjalë. Ç'thoshte ai i marrë duhej bërë patjetër, se nganjëherë kujtohej papandehur dhe në atë kohë më mirë të gjeje një vrimë e të fshiheshe. Rojat morën shpejt e shpejt dy mjellma nga tufa e madhe dhe u vunë shenjë. E dini ç'bëri Enveri? I lidhi pas këmbëve dhe i merrte osh kur shëtiste. Nipa e mbesa e ndiqnin pas, u çkulnin pendët mjellmave, e dini këtë, nuk e dini, u çkulnin pendët zogjve qiellorë, gjersa i lanë gollomesh, me një fjalë, ai i dënoi tradhtarët, zogjtë e shenjtë të liqerit.
Zogjtë e mi që i pres prej kohe e s'po vijnë. Tani është Ramiz Alia, i thamë, si të duket Ramiz Alia? Lasgushi u mendua, tha:
Ne pamë njëri-tjetrin. Lasgushi përsëriti:
- Ai qan. Isha mësues në gjimnazin e Tiranës. Ramizi ishte djalë i hollë, i pastër, rrinte te banga e parë, rreshti i mesit. Më bënte përshtypje përkorja e tij, drojtja dhe heshtja e tij. Erdha një ditë në klasë dhe ç'të shoh, batërdi, ishin zënë e shqyer, goditur me fshirëse e shkumësa, një tym e një erë pluhuri e gëlqere, që më ngriti nervat. Thirra papandehur, pa e përmbajtur veten, ulëriva me pezm:
Rita Bumi Papa hëngri peshk koran, piu verë buti, me një ngjyrë trëndafili duke parë liqenin më të bukur në botë. Kishte deborë në male. Mijëra kredharakë buisnin mbi ujin me ngjyrat e mëndafshta të kanaleve dhe luleve të ndritshme të Monesë. Pastaj ajo shkoi në dhomë, po dhe atje iu shfaq liqeni me një blu të qeshur prej vajze që pret. Doli në ballkon, përsëri liqeni dhe atje tej një qen i vogël dhe nën drurë një plak sa një bohçe që rrokullisej dhe larg një re e përhimtë përplot vezullime, barkat levorashe, pluskimet e insekteve mbi suvalë dhe brerimi i beftë i shiut përzierë me një thërrime diell fsheharak, nuk duroi dot më dhe zbriti në holl, me një ndjesi trallisëse, me një aromë të beftë në hundë, që vinte nga pluhuri i lulishtes në shi. Pastaj ajo doli në treme dhe u lag në shi. Gjithashtu pemët qulleshin, rëra, po dhe qeni i vogël dhe ai plaku si bohçe, që s'rrinte në një vend. Shiu pushoi papritur. Pikonin strehët, degët, flokët, pikonin poezitë ende të pashkruara.
Pikonte mishi i saj, gjinjtë, ijet, qafa, supet, gishtërinjtë, këmbët, pritja pikonte dhe bota e liqenit platitej pa anë e pa fund. Tani të kishe të lindje përsëri. Tani të vdisje siç vdes dita në liqen. Një ditë prej boje vaji të pikturave të Monesë, që s'vdes, po vdes për të mos vdekur kurrë më. Ai ishte, ai, poeti, që ajo priste. E njohu nga gjesti. Ai ndezi qirinj të gjatë dhe i nguli në barkë. Ajo barkë e vjetër me bojë trëndafili të tretur që tundej, u shndërrua në kishë. Qeni angulliu.
Ajo priste në treme dhe ai, sikur ta dinte, erdhi drejt saj dhe ndaloi. Rita ishte shumë e bukur, e prerë sipas shijes së frakut dhe bastunit të tij, sipas papijonit dhe këmishës së bardhë me fruda, sipas karrocës me gjashtë kuaj ku hipi për të përcjellë Eleonorën, studenten e mbetur në albanologji.
Ajo i kishte dhënë një të puthur dhe i kishte rrëshqitur nga duart. Sa e bukur që ishte Rita Bumi Papa dhe ai matuf i vonohej takimit me të. Ngriti kokën si ai zogu i shkëmbit, atë kokën me leshra të bardha, e pa drejt në sy, u tund e u shkund brenda atyre rrobave të sajuara, qillotave të gjëra me mballoma, jelekut të vjetër prej lëkure, xhaketës mbi xhaketë, këmishës së bardhë të mbyllur keqas në grykë dhe recitoi në greqishten e vjetër fjalët e dashurisë të Hektorit drejtuar Helenës, pastaj kur e pa që syri i saj i dha dritë liqenit aty brenda, ia ktheu në gjermanisht, anglisht, frëngjisht, rusisht, hebraisht, sanskritisht, spanjisht, italisht, rumanisht dhe në fund fare shqip.
Rita Bumi Papa ngriti duart me gjestin e gruas që dashuron, në atë çastin e krisur kur kërkon me ngulm që mashkulli t'i bjerë në gji. Ashtu bëri poeti i liqenit më të bukur në botë.
U përfshi nga krahët e saj dhe nuhati fshehtësisht erën e kurmit dhe të parfumit të saj, ndjeu me rrëqethje rrumbullakësinë e butë të gjinjve të saj, preku pa turp belin e saj të zhdërvjellët e të epshtë, po nuk i çoi duart më poshtë, se nuk ia lejonte përkorja e atij valsit të harruar që kishte kërcyer me qirinj në Vjenë me Eleonorën.
Ashtu mbetën në krahët e njëri-tjetrit dhe ajo qau. Ai u trondit. Kjo ishte e qara e një gruaje shumë të bukur, e qara si poezi. Ah, të vdiste në ato krahë! Po ai ishte shqiptar, shqiptar i vërtet, se kur ngrinte dolli shqiptari, ai, liriku finosh, shqiptonte këto fjalë: Për flamur! Rroftë e valoftë! Rënçim nën hijen e tij. I pëlqente t'i kujtonte këto trimërira pleqërishte në krahët e një gruaje të bukur si Rita Bumi Papa.
- Jo, eja ti nga unë, të shohim kur të vijnë mjellmat e Ohrit. Unë i ndeza qirinjtë, se ja u ndjeva frymën. E shikon atë renë e përhimtë?Ato janë. Natën i ke këtu te valët në breg. Qëndrojnë mbi ujë. Tunden mbi ujë si zonja të mëdha. Lart ndrin hëna e plotë. Njerëzia flenë nën mbllaca drite, kur e kur dëgjohet bilbili i natës. Kam njëqind vjet që s'fle. Poezinë s'e shkruaj më, s'ka kuptim, e ndolla, e kam, e përze, s'më le. Eja, do të pjek gështenja për ty, se qënke shumë e bukur.
- Je e martuar, zonjë?
- Po. Kam shumë vjet martuar. E dua tim shoq.
- Qofsh shëndoshë.
Lasgushi ndolli qenin dhe iku. Ajo qau. Ai e dëgjoi dhe iu mbush zemra me dashuri si atëherë me Eleonorën kur kërcenin vals me qirinj. Edhe ajo qante kështu trishtëm si poezi.
Nju Jork 2009
Gazeta Shekulli