Lauria nje vegel muzikore qe duhet mbrojtur

Lauria, nje vegel muzikore qe duhet mbrojtur
Nisur nga qëllimi që ta ruajmë e mbrojmë, ta lëvrojmë e trashëgojmë kulturën tonë tradicionale, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike e ka shtuar kujdesin e saj institucional për promovimin e vlerave të saj. Dendësimi i jetës artistike nëpërmjet festivaleve folklorike, përcaktimi i qartë i kritereve shkencore e organizative, studimi i kujdesshëm dhe evidentimi e selektimi i llojeve më problemore në pasurinë folklorike, kanë qenë disa nga pistat e organizimit dhe realizimit të veprimtarive.

I kemi drejtuar sytë më shumë nga zonat rurale, pasi pikërisht këtu janë edhe resurset më të rralla dhe që kërkojnë më shumë kujdes. Një nga këto vlera të rrezikuara është edhe lauria, vegla muzikore me hark. Në përpjekje për të sensibilizuar ruajtjen e saj, QKVF realizoi më 2 prill takimin e parë të lauritarëve në Mat. Pjesëmarrja e 12 lauritarëve dhe shumë miqve të tyre në vegla të tjera, bashkëpunimi me shoqatat kulturore e institucionet e rrethit, vlerësimi e stimulimi i tyre nga juria, e ngritën në të tjera nivele këtë aktivitet. Përveç mjeshtërve të njohur në skenat e festivaleve si Qamil Beshku, Met Neziri, Sabri Kurti, ishte shumë emocionuese kur në garë kishin hyrë edhe shumë të rinj të instruktuar nga Ymer Neli, “Artist i Merituar” dhe Ikli Punavia, drejtues i shoqatës kulturore talentet e reja “A. Zogu“

Me kënaqësi konstatojmë se kjo vegël ka garantuar vazhdimësinë e saj në skena e ceremoni të ndryshme, duke kënduar në dorën e të rinjve si Ikli Punavia, Indrit Driçi, Ardian Dobra, Xhulio Barjoti, Serxhio Lleshi, Fatjon Bruçi etj. Mes tyre spikaste Alesia Kola, nxënëse e shkollës 9-vjeçare në Burrel.

Lauria, vegël kordofone me hark, krahas veglave të tjera muzikore, është përdorur qindra vjet nga ustallarët në gjithë hapësirat shqiptare, por ajo ka gjetur shtratin e vet të bashkëjetesës artistike me lirizmin e trevës së Matit. Është përdorur si instrument solistik, në shoqërimin e valleve të burrave e grave, të këngëve lirike dhe epiko-historike, si dhe duke u rreshtuar me vegla të tjera në përbërje të orkestrinës popullore. I janë referuar prej shumë kohësh studiues e gjurmues, albanologë e arkeologë, sociologë e gjuhëtarë këtij “bunari të madh të folklorit“, siç është shprehur profesori i nderuar Ramadan Sokoli.

Që në fillimet e viteve ‘60 të shekullit të kaluar, flenë në arkivat e Institutit të Kulturës Popullore (sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit), disa melodi që janë regjistruar nga profesor Sokoli në veglën muzikore të laurisë me instrumentistë të Matit. Askush nga ai institucion kërkimor shkencor nuk u mor për t’i dhënë terrenin e merituar si një instrument i rrallë. Vlerësohej më të drejtë nga juritë nëpër edicionet e festivaleve kombëtare orkestrina e mrekullueshme e Matit. Që në vitin 1966, lauria ka qenë dhe ka mbetur në skenë si njëra nga veglat e veçanta të orkestrinës popullore. I pari që e spikati si arketip dhe ndjeu nevojën për ngjitjen e tingullit të saj në skenë, ishte krijuesi i pasionuar dhe gjurmuesi kompetent Munir Shehu.

Ka rreth 50 vjet që lauria këndon me dinjitet në skenat tona edhe nga mjeshtër autoktonë matjanë. Kjo flet për rëndësinë dhe vendin që ka zënë në jetën shpirtërore të kësaj treve si dhe për shkallën e mjeshtërisë së përdorimit dhe plotësimit të kërkesave artistike. Gjatë viteve ’50 të shek XX mbante dasmat dhe gjithë gëzimet familjare në disa fshatra të Matit dhe jashtë tij. Hajrulla Ceni, edhe zogjtë i bënte për vete kur këndonte që në të ritë e vet. E përkëdhelte telin e veglës së tij të dashur me harkun e dëllinjës dhe pasqyronte në portretin e tij gjithmonë gëzimin dhe harenë e protagonistëve të këngës: “Hasan Aga nji kopuk”, “Tushja e lalës”, “Kam shtëpinë e vogël”, “Jam dejë me raki” etj. Në Mat ka pasur disa mjeshtër të prodhimit të veglave muzikore popullore si në Urxallë, Baz, Xibër. Përveç Q. Beshkut, prodhuan këtë instrument edhe Dyle Merra e Ymer Toçi. Lauria e ka gjetur përdorimin e saj më së shumti në zonën e Prellit, për faktin se në këtë zonë vallet lirike të grave janë më të larmishme.

Por shtrirja e saj ka njohur mjeshtër të instrumentimit edhe në zonën e Rranzës, Kryemates, Lurë, Katër Grykë, e deri në Rrëshen. Likë Gjata para 70 vjetësh vjen në Klos me banim, me një lauri të punuar me dëllinjë. Po kështu, Can Ferra me grupin e tij kanë mbajtur me muzikë dasmat në fshatra të Kryemates. Zeka e Shabanit në Baz (e vetmja lauritare femër), njihet për mjeshtërinë e përdorimit të laurisë në zonën e vet. E ndërsa vetëm këto njiheshin nga historiku i përdorimit të kësaj vegle të rrallë në Mat, prof. dr. Pirro Miso, etnoorganolog i njohur, do ta çonte shumë më larg në kohë, rreth 1 mijëvjeçare jetën e saj. Në një kishë të Deçanit, një afresk pasqyron këtë vegël që nga shek. IX. Kjo vegël muzikore, me ndryshimet organologjike dhe funksionet muzikore, është përdorur që nga Lindja e largët, Azia, e deri te përdorimi i saj edhe në Jugun e Shqipërisë para 200 vjetësh.

Mbijetesa e saj lidhet absolutisht me jetën e gjallë artistike, falë vlerave të veçanta të tingujve dhe thjeshtësisë së përdorimit, dashurisë që mjeshtrit e saj kishin dhe kanë për laurinë. Nuk njohim ndonjë repertor të veçantë të saj, siç ndodh me fyellin apo çiftelinë. Kjo vegël ka shoqëruar këngët, veçanërisht vallet e burrave dhe të grave. Veglat muzikore popullore do të jetojnë e zhvillohen gjallërisht, pasi ato kanë bërë rrugë të gjatë e të lavdishme. Ne, institucionet kulturore dhe artistët, kemi fatin t’u shtojmë atyre shkëlqimin që meritojnë, të respektojmë e të trashëgojmë virgjërinë e tyre tingëlluese dhe të pasurojmë nëpërmjet tyre lavdinë e kësaj toke të bekuar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama