Lavatricja Shpikja qe ndryshoi jeten e grave

Lavatriçja,  Shpikja  që ndryshoi jetën e grave

Ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli që nga hyrja e tyre në Evropë

Ekzemplari i parë i makinës larëse u krijua në vitin 1767, nga një teolog nga Ratisbona, Jacob Christian Schaffern, ndërsa modelet e makinave larëse mekanike i takojnë fundit të shekullit XIX. Në të vërtetë, lavatriçja e parë u prezantua në SHBA në vitin 1907. Sigurisht, që nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite dhe sot nuk ka familje që nuk e disponon një të tillë, edhe pse nuk mund të jetë ndër modelet e fundit me USB apo dipozitivë Wi-Fi.

Faktikisht, nuk jemi të sigurt nëse objektet mund të përcaktohen nga seksi, megjithatë, kur amerikanët ua prezantuan klientëve të tyre këtë mjet të çuditshëm elektroshtëpiak, që ishte lavatriçja, nëpër reklama e krahasonin me një mashkull tërheqës. "A good washer is like a good man", thoshte slogani që duket se bëri për vete shtëpiaket e lodhura të Amerikës. Në atë kohë, në kontinentin e largët lavatriçja u kthye në maxhordomin e shtëpisë, që i duhej të bënte gjithçka (të laje rrobat ishte detyra më e vështirë). Megjithatë, ndryshe nga amerikanët, në Evropë lavatriçja gjithmonë ka qenë "femër", qysh nga modeli i parë "Candy", që u prezantua në vitin 1946, aq sa në vitet ‘70 e quanin "Zonja Candy". Gjithsesi, që kur lavatriçja bëri debutimin e saj nëpër shtëpitë tona, në mesin e viteve ‘50, edhe pse ishte krijuar qysh nga viti 1945, arriti të përhapej në masë vetëm pas frigoriferit dhe televizorit. Në vitin 1956, shoqëria evropiane për kërkimet në treg intervistoi 10 milionë familje dhe nga sondazhi doli se 60 persona në 100 kishin në shtëpi radio, tetë në 100 kishin frigorifer, 6 kondrabufe, 4 televizor, dhe vetëm 3 në 100 një larëse rrobash të bardha (versioni primitiv i lavatriçes). Në fakt, për të treguar rolin e madh që luan sot ky mjet, i cili ka lehtësuar jetën e grave, Enrica Adams, një shkrimtare amerikane, ka nxjerrë një libër mbi historinë e lavatriçes, ku jep me detaje të gjitha pasojat emocionale, industriale, sociale që nga hyrja e këtyre elektroshtëpiakeve. Gjithmonë sipas asaj që shkruan, lavatriçja i bën femrat të ndihen më të lira. "Kur frigoriferi dhe lavatriçja mbërritën në Evropë, në periudhën e pas luftës, ishte akoma i fortë kujtimi i urisë dhe frigoriferi ishte i privilegjuari i të gjitha pajisjeve elektroshtëpiake", shkruan ajo. Por, pas frigoriferit në shtëpitë evropiane gjithmonë e më shumë po preferoj televizori dhe vetëm në fund po kuptohej rëndësia e lavatriçes. Menjëherë filloi të shkruhej në të gjitha revistat për femra se si ky mjet elektroshtëpiak çliroi gratë, duke u dhuruar atyre kohë për të bërë gjëra të tjera.

Kështu, sipas sondazheve të ndryshme të bëra në Evropë, shumë prej nënave tona e mbajnë mend edhe datën kur për herë të parë në shtëpi kanë blerë lavatriçen. Në këtë mënyrë ajo eliminoi tërësisht ditën e larjes, një ritual i vërtetë për gratë e viteve 900, të cilat shkonin së bashku në lumë, apo ato të qytetit në lajtoren komunale. U zhduk tërësisht ajo që ishte përcaktuar si dita e lodhjes dhe sapunit. Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore ky ritual ndryshoi tërësisht. Rrobat e pista filluan të laheshin në familje, ndoshta në vaskën e banjos. Por ndërsa shumë e festonin këtë si një ngjarje të shënuar, që u lehtësonte jetën, disa shoqata konservatore grash nisën një valë të gjerë debati nën temën "Të kesh apo jo një lavatriçe" . Atyre u dukej një objekt që i mbante gratë në rolin e Hirushes, një privilegj i madh që gratë nuk duhej ta kishin. Por pavarësisht asaj që mendohej atëherë, lavatriçja mund të quhet pa frikë një nga shpikjet më të mëdha, që u dhuroi grave më shumë liri dhe kohë të lirë.

Marre nga : Gazeta Shqip

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama