Lavdi veres!

Lavdi verës!
Aktivitetet kushtuar verës që nisin sot e përfundojnë më 20 mars ndodhin në katër qytete, Tiranë, Berat, Shkodër dhe Durrës. Bëhen në kuadër të fushatës diplomatike dhe kulturore të quajtur "Itali- Shqipëri 2010 dy Popuj, një Det, një Miqësi".
Ndër këto aktivitete është "Poezia e Verës - Poesia del Vino" që nis sot në mesditë, ora 12.00 në qendrën City Park në Tiranë. Është pjesë e turneut në qytetet e vendit që kanë një traditë në kultivimin e vreshtarisë dhe prodhimit të verës.


Sa për pjesën e poezisë me të cilën është marrë poeti Arian Leka, ajo përfshin disa takime me interes, prezantimin e botimeve dhe interpretimin e vargjeve që janë shkruar për verën.
Me sa duket nuk janë pak shqiptarë e italianë që kanë shkruar për të, ndërsa lidhja e verës me artin është një histori më vete në rrjedhën e shekujve.
Ja çfarë shkruan një poet shqiptar i njohur për pathosin që krijojnë vargjet e tij me ide abstrakte po edhe me lëngje që japin tek njeriu efektin për të abstraguar aty ku mendja e ftohtë nuk mundet: "Lisat me rrush turfullojnë/ Si kuaj frelëshuar nëpër natë, /Pini se vreshtat s'mbarojnë,/ Mbaron vetëm jeta e ngratë". Janë vargje të Xhevahir Spahiut nga poezia "Këngë e dalldisur".


Kurse një italian nobelist, Eugenio Montale, shkruan: "Jam si një verë që po vjetrohet. Thonë se duke u vjetruar vera bëhet më e mire, veçse jo të gjitha verërat përmirësohen duke u vjetruar, disa prej tyre thartohen. Nuk di se me cilën lloj vere mund të krahasohem unë."
Leka bën të dikur se përveç 4 paneleve të degustimit të verërave shqiptare dhe italiane dhe veprimtarive me karakter njohës e paraqitës, në program ka hapësira për: lexime autoriale dhe aktoriale të krijimtarisë së poeteve shqiptarë dhe italiane kushtuar kulturës së verës dhe vreshtarisë; paraqitje të antologjisë poetike botuar enkas me këtë rast; teatër të poezisë; prezantim të CD-së poetike "La marcia dell ombra" dhe të vëllimit poetik dygjuhësh "Nuk di nëse deti / Non so se il mare" (Botimet Ideart).


Ky vëllim i takon performuesit italian i poezisë Claudio Pozzani i cili takimin e parë me lexuesin shqiptar e pati pesë vjet më parë, në ditët e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Poeteka".
Pozzani (1961) është i njohur në Itali dhe Evropë si poet, prozator dhe muzikant, veçanërisht për performancat dhe teatrin e poezisë me të cilat ka marrë pjesë në festivale të ndryshme nëpër botë.

Përmbledhja e tij e fundit me poezi është botuar në 2001 në version dygjuhësh (italisht-frëngjisht) me titullin "Saudade&Spleen". Si prozator ai ka botuar romanin "Angolazioni temporali", "Kate ed io" si dhe përmbledhjen "Racconti dai piedi freddi".


Në vitin 1983 C. Pozzani themeloi Circolo dei Viaggiatori nel Tempo, një shoqatë kulturore që është fokusuar veçanërisht drejt poezisë dhe organizon festivale dhe veprimtari ndërkombëtare në të gjithë Europën.
Mes këtyre përmendet, Festivali Ndërkombëtar Poetik i Gjenovës, Javët Poetike të Parisit, Festivali i Helsinkit etj.. Më 2001 krijoi Shtëpinë Ndërkombëtare të Poezisë me qendër në Pallatin Dukal të Gjenovës. Për veprimtarinë e tij kulturore dhe performancat poetike, poeti dhe dramaturgu i shquar Fernando Arrabat e ka përcaktuar Claudio Pozzanin si "mjeshtër i së padukshmes, yshtës i ëndrrave, vjedhës i zjarrit: zemra e tij vallëzon në shtretër mbretërorë feste".


Gjatë ditëve në Shqipëri ai do të interpretojë edhe CD me zërin e tij "La marcia dell'ombra". Tek aktivitetet kulturore futet ekspozita e piktorit Anastas Konstandini me tematikë nga vreshtaria. Herë pas here në ekspozitat personale, artisti që firmos shkurt Taso, ka nxjerr tablo që bien në sy menjëherë për modestinë e temës. Është e njohur tashmë muza e tij për interierët baxhave dhe fundet e shtëpive të vjetra të Pogradecit për qoshet me rrangulla të kopshteve ku gratë hedhin mjetet e magjisë së gatimit, kurse burrat e shtëpisë kazanët e rakisë dhe të verës. Ajo që mbetet e re është janë mënyrat gjithnjë ndryshe që Taso kërkon për t'u shprehur për "zorrët" e këtyre mjediseve të brendshme. Ekspozita në Muzeun Historik Kombëtar quhet "Wine Day", prezantohen një cikël prej 20 kompozimesh e motiv verën. Këto veprimtari organizohen nën kujdesin e Ambasadës Italiane në Tiranë, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me disa shoqata kulturore vendase.

Elsa Demo:Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama