Për shkak të situatës në Lazarat, 60 maturantë të fshatit dhanë provimin me zgjedhje në Gjirokastër. Në mes të “luftës” me trafikantët dhe kultivuesit e drogës, policia nuk u ka mohuar të drejtën maturantëve të Lazaratit për të marrë pjesë në provimin me zgjedhje, i cili u realizua dje në të gjithë vendin. Por, disa prej tyre, duke shfaqur hapur pakënaqësitë ndaj ndërhyrjes policore në fshat, ashtu siç i shfaqën në takimet sensibilizuese kundër kultivimit të drogës disa javë më parë, kanë zgjedhur të realizojnë një protestë të dhunshme para Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës, ku zhvilluan provimin, për shkak të pamundësisë së realizimit të këtij procesi në gjimnazin e Lazaratit.
60 maturantët
Duke qenë se dje ishte planifikuar të realizohej provimi me zgjedhje në të gjithë Republikën e Shqipërisë, mësohet se Ministria e Arsimit ka kërkuar një zgjidhje për të rinjtë e Lazaratit dhe i është drejtuar Ministrisë së Brendshme. Në këto kushte, kjo e fundit ka kontaktuar me drejtuesit e pushtetit vendor dhe të arsimit dhe është vendosur që provimi të zhvillohet në Gjirokastër. Në bazë të përllogaritjeve të bëra nga vetë arsimtarët, ka rezultuar se rreth 60 maturantë duhej të paraqiteshin dje për provim me zgjedhje. Pas nxjerrjes së listës së maturantëve, autoritetet e pushtetit vendor mësohet se kanë kontaktuar me të gjitha familjet dhe kanë vendosur që maturantët të paraqiten në qendër të fshatit mëngjesin e djeshëm për të shkuar në provim. Dje në mëngjes, dy autobusë janë vënë në dispozicion të maturantëve dhe ata janë shoqëruar për në një nga gjimnazet e Gjirokastrës. Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, deklaroi se maturantët e Lazaratit e zhvilluan provimin në qytetin e Gjirokastrës, pasi në Lazarat nuk ishte e mundur si pasojë e aksionit të policisë dhe shkëmbimit të zjarrit. Sipas Malajt, “60 maturantët e Lazaratit hynë normalisht në provim. Ata u transportuan me dy autobusë, që u shoqëruan me policë”, tha Malaj.
Protesta e tyre
Por, pas provimit, policia është përballur me një protestë të maturantëve. Sipas të dhënave, disa prej adoleshentëve, pasi kanë mbaruar provimin, janë paraqitur bashkë me familjarët e tyre për të protestuar para Komisariatit të Gjirokastrës, duke kundërshtuar ndërhyrjen e policisë në fshatin Lazarat. Po ashtu, bashkë me maturantët janë mbledhur edhe familjarë të personave të arrestuar nga policia gjatë këtij operacioni, të cilët kërkonin lirimin e tyre. Megjithatë, policia nuk i ka lejuar dhe ka kërkuar shpërndarjen e tyre. Kjo kërkesë duket se i ka irrituar edhe më shumë banorët e Lazaratit, të cilët kanë filluar të godasin me gurë, duke dëmtuar edhe automjetet e policisë. Situata e rënduar mësohet se ka zgjatur pothuajse një orë dhe pas qetësimit të saj, Policia e Gjirokastrës ndërhyri duke shoqëruar disa adoleshentë si të dyshuar për sulmin me gurë. “Nga shërbimet e forcës së posaçme operacionale të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me agjentë të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, u bë kapja dhe shoqërimi i tre të rinjve nga Lazarati. Përkatësisht u shoqëruan E.B. 17 vjeç, K.B. 17 vjeç dhe B.B. 17 vjeç, të cilët goditën me gurë makinën e policisë para Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës. Aktualisht, për rastin po kryhen veprimet procedurale”, deklaroi zyrtarisht Policia e Shtetit.