Lazaratasit dhe policia kanë zgjedhur fushën e blertë për t’u përballur me njëri-tjetrin me një ndeshje futbolli, por policia ka dalë e humbur edhe këtu. Rezultati u ka buzëqeshur lazaratasve në shifrat 2 me 1, ndërsa më shumë sesa rezultati, rëndësi për organizatorët ka pasur raporti polici-komunitet. E nëse prej kohësh Lazarati shihet si një territor, ku policia nuk mund të ndërhyjë, nëpërmjet pushtetit lokal dhe policisë janë bërë disa takime me banorë të zonës për të kërkuar nga këta të fundit të mos mbjellin më hashash. Kryekomunari lazaratas, Dasho Aliko, shprehet se takimi i futbollit ndërmerret në kuadër të policimit në komunitet dhe, sipas tij, është tregues se shteti shqiptar është i të gjithëve dhe Lazarati është pjesë e shtetit shqiptar.
Por, paçka këtij takimi, ende shumë punë mbetet për t’u bërë në prezencën e policisë, në fshatin ku çdo ditë eksportohet drogë, pasi dhe për ndeshjen e futbollit është përzgjedhur një fushë asnjanëse, jashtë Lazaratit. Ndonëse takimi i futbollit kishte simbolikën e vet, sërish nga Lazarati, hashashi del për trafikim në destinacione të ndryshme. Policia e Gjirokastrës, javën e fundit, ka sekuestruar mbi gjysmë toni hashash, i cili e kishte origjinën nga fshati rebel.