Le te ulerijme! Ose te pranojme verberine...

Le te ulerijme! Ose te pranojme verberine...
Një vend pa emër. Një qytet pa emër. Zgjedhje normale administrative. Por diçka nuk shkon sipas rregullit klasik, sipas atij që ligjvënësit e kohës do ta quanin “drejtimi i duhur”. Njerëzit nuk shkojnë në plazh, nuk bojkotojnë zgjedhjet sigurisht. Votojnë, por votojnë bardhë... Një gjest revolucionar, një komplot anarkist, një provokacion i grupeve ekstremiste? Presioni shtrëngon si morsë mendjet dhe jetët e të gjithëve. E përditshmja i nënshtrohet torturës dhe pushteti vihet në një gjueti shtrigash. Kush e ka radhën...? Një “triller politik” që të mban të gozhduar, sjellë në shqip nga Botimet “Dudaj”

Dikush pat thënë se kryeqyteti pa emër i Saramagos, ai që ulërin e voton bardhë duke shpërfillur qartazi atë që nuk e do më, që e bën të përvidhet, të ikë, me bisht ndër shalë, mund të ishte kryeqyteti i çdo vendi. Ironikisht, trilli në këtë fabul të jashtëzakonshme të bën ta projektosh në fakt atë në çdo lëm zgjedhjesh. Çfarë do të ishte më e pabesueshme për ta parë si reale? Një popull i pushtuar i gjithi nga verbëria, apo një popull që, pa kurrfarë dakordësie paraprake, zgjedh të mendoj i gjithi njësoj dhe të shpërfillë alternativat karikaturë të kandidatëve në zgjedhje, duke i lënë fletët e bardha?

Edhe njëherë, Jose Saramago, romancieri i madh, fitues i çmimit Nobel, godet duke hedhur dritë mbi anët e errëta të pushtetit përmes një analize të pamëshirshme të shoqërisë bashkëkohore, por edhe përmes përshkrimit të një historie të dëshpëruar të jetës. Një “triller politik” që të mban të gozhduar, në të cilin rikthehen edhe njëherë protagonistët e paharrueshëm të “Verbëri”-së. Një fabul moderne që tregon anët e errëta të pushtetit dhe një analizë e pamëshirshme e botës bashkëkohore.
 
...një zhurmë orteku përshkoi me vërtik qytetin. Ishte lajmi i sizmës politike që nuk do të vononte të ndodhte. Nëpër shtëpi, nëpër kafene, nëpër birrari dhe nëpër bare, në të gjitha vendet publike që kishin një televizor ose një radio, banorët e kryeqytetit, të gjithë njëri më i qetë se tjetri, prisnin rezultatin përfundimtar të votimit. Asnjëri nuk i tregonte atij që kishte ngjitur për kë kishte votuar, miqtë më të ngushtë heshtnin, personat që nuk dinin ta mbyllnin gojën dukej sikur kishin gëlltitur gjuhën. Më në fund, në orën dhjetë të mbrëmjes, doli në televizion kryeministri.

Ai kishte një fytyrë të shpërbërë, rrathë të thellë, pasojë e mbarë një jave pa gjumë, një çehre dheu e gjithë grimin e llojit shëndet shumë i mirë. Ai mbante në dorë një letër që pothuaj u përmbajt ta lexonte, ai vetëm i hidhte herë pas here një vështrim të shpejtë për të mos humbur fillin e mendimit, Të dashur bashkëqytetarë, tha ai, rezultati i zgjedhjeve që u zhvilluan sot në kryeqytetin e vendit është si më poshtë vijon, partia e djathtë tetë për qind, partia e qendrës tetë për qind, partia e majtë një për qind, abstenime asnjë, fletë të pavlefshme asnjë, fletë të bardha tetëdhjetë e tre për qind...

Kur agjenti i terrenit, domethënë ai që punonte në qytet, pasi kishte shpalosur një shkathtësi të madhe diplomatike, të përdorur nga perifraza të ndryshme dhe të larmishme dhe shumë të prekshme, arrinte të bënte pyetjen e parë, Më thoni, ju lutem, për kë keni votuar, përgjigjja që merrte si një mësim i përvetësuar mirë ishte fjalë për fjalë ajo që ishte shkruar në ligj, askush, pa asnjë shkak, nuk mund të jetë i detyruar të zbulojë votën e tij e as të pyetet lidhur me këtë nga kushdo autoritet. Dhe kur me tonin e një njeriu që nuk i jep ndonjë rëndësi të madhe këtij subjekti, ai bënte pyetjen e dytë, Më falni për kureshtjen time, por mos kushedi rastësisht keni votuar bardhë, përgjigjja që dëgjonte e katandiste tërë shkathtësi rëndësinë e hetimit në një pyetje të thjeshtë retorike, Jo zotëri, por edhe sikur të kisha votuar ashtu, kjo do të ishte gjithashtu në përputhje me ligjin si të kisha votuar për cilindo nga listat e paraqitura ose duke e bërë të pavlefshme votën time duke shkarravitur një karikaturë të presidentit. Ta lësh të bardhë fletën e votimit, zoti pyetës, është nj e drejtë që nuk vuan nga asnjë kufizim dhe që ligji është i detyruar t’ua pranojë zgjedhësve. Në të gjitha letrat është shkruar se askush nuk do të mund të ndiqet pse e ka lënë fletën e votimit të bardhë...

...Ditët kalonin, vështirësitë sa vinin dhe shtoheshin, rëndoheshin vazhdimisht, shumëfishoheshin, mbinin papritmas si kërpudhat pas shiut, por forca morale e popullsisë nuk u cenua, banorët e kryeqytetit nuk hiqnin dorë nga ajo që e vlerësonin si të drejtë dhe që e kishin shprehur nëpërmjet votës së tyre, domethënë të drejtës së thjeshtë për të mos u bashkuar në një mendim konsensual, sido që të ishte ai.

Një mëngjes, rrugët e kryeqytetit u pushtuan nga njerëzit që mbanin në gjoks parulla të ngjitura, ku shkruhej me të kuqe mbi të zezë, Unë votova bardhë, nga dritaret vareshin afishe të mëdha që shpallnin me të zezë mbi të kuqe, Ne votuam bardhë, por ajo që të mbërthente menjëherë në vend, ajo që lëvizte dhe përparonte mbi kokat e manifestuesve, që lumi i pambaruar i flamujve të bardhë, që e shtunë një korrespondent të çakërdisur të lëshohej me vrap drejt një telefoni për t’i dhënë gazetës së tij lajmin se qyteti ishte dorëzuar. Altoparlantët e policisë u ngjirën së ulërituri se grumbullimet e më shumë se pesë vetave ishin të ndaluara, por manifestuesit ishin pesëdhjetë, njëqind e pesëdhjetë, pesë mijë, pesëdhjetë mijë, e kush qe në gjendje të vihej të llogariste pesë e nga pesë. Komanda e policisë donte të dinte se a mund të përdorej gazi lotsjellës dhe të sulmoheshin manifestuesit me kamionët e ujit, gjenerali i divizionit të veriut pyeti nëse lejohej të hidhte në sulm tanket, gjenerali i divizionit të jugut, i mbartur në ajër, pyeste nëse e lejonin kushtet të urdhëronte parashutistët  të ndërhynin ose nëse, në të kundërt, këta të fundit të rrezikonin të shembeshin mbi çatitë. Lufta ishte me të vërtetë gati për të plasur.

Atëherë kryeministri zbuloi planin e tij para qeverisë së mbledhur në një seancë plenare të kryesuar nga kreu i shtetit, Ka ardhur çasti të thyejmë shtyllën kurrizore të qëndresës, tha ai, le të lëmë mënjanë aksionet psikologjike, manovrat e spiunazhit, zbuluesit e gënjeshtrave dhe budallallëqet e tjera teknike, përderisa me gjithë përpjekjet e lavdërueshme të zotit ministër të brendshëm, paaftësia e këtyre mënyrave për të zgjidhur problemin u tregua hapur dhe unë do të shtoja lidhur me këtë se edhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të forcave të armatosura e shoh se është gjithashtu e papërshtatshme, duke patur parasysh telashin më se të mundshëm të një ploje që e kemi për detyrë ta shmangim, sido që të jenë rrethanat, ajo që po ju paraqes këtu nuk është gjë tjetër veçse një propozim për një tërheqje të shumëfishtë, një tërësi veprimesh që ndoshta nga disa do të shihen si absurde, por për të cilat jam i sigurt se do të na çojnë te fitorja e plotë dhe te kthimi në normalitet demokratik, domethënë, sipas rëndësisë, propozoj tërheqjen e menjëhershme të qeverisë në një qytet tjetër, që do të bëhet kryeqyteti i ri i vendit, tërheqjen e gjithë forcave të armatosura që gjenden ende këtu , tërheqjen e gjithë forcave të policisë, sepse falë kësaj politike rrënjësore qyteti kryengritës do të mbetet në vetë duart e tij.

Ai do të ketë tërë kohën e nevojshme për të kuptuar se sa kushton të veçohesh nga shumë i shenjti unitet kombëtar dhe kur nuk do ta durojë më veçimin, padenjësinë, përbuzjen, përçmimin, kur jetë në gjirin e tij do të bëhet kaos, atëherë banorët e  tij, fajtorë, do të vijnë te ne kokulur dhe duke na kërkuar të falur...

Në orën tre pa tri minuta u ndezën motorët e makinave që përbënin karvanin. Me të rënë ora tre, ashtu siç ishte parashikuar, filloi tërheqja...

...Atëherë, o befasi, o habi, o çmeritje, o çudi e padëgjuar ndonjëherë, në fillim rrëmuja dhe hutimi, pastaj shqetësimi, pastaj frika vendosën kthetrat në grykën e kreut të shtetit dhe të kreut të qeverisë, të ministrave, të sekretarëve dhe të nënsekretarëve të shtetit, të deputetëve, të rojeve të sigurimit të kamionëve, të zbuluesve të policisë, madje edhe, megjithëse në një shkallë më të vogël, të personelit të ambulancave, të mësuar me të keqen nga profesioni. Sa më shumë që automobilat përparonin nëpër rrugë, ballinat ndriçoheshin njëra pas tjetrës dhe nga lart poshtë, llambat, fenerët, madje nganjëherë edhe ndonjë llambë e vjetër me vaj prej tunxhi me re filtra. Të gjitha dritaret qenë të hapura dhe të shndritshme, derdhnin përjashta valë-valë dritën e tyre, lumë shkreptimtar, vërshim dritëlëshues, shumëfishim kristalesh prej xixëllimesh të bardha që tregonin rrugën që duhej ndjekur, që u rrëfenin rrugën e arratisjes dezertorëve...

Kufiri ishte i njëjtë në të gjitha daljet e qytetit, një pengesë e rëndë e ndërrueshme, dy tanke nga të dyja anët e rrugës, baraka të shumta dhe ushtarë të armatosur me veshje fushate dhe me fytyra të zhgërryera me bojë. Projektorë të fuqishëm ndriçonin skenën. Presidenti doli nga automobili, iu përgjigj me një gjest mirësjelljeje dhe lehtësisht të sëkëlldisur përshëndetjes së përsosur ushtarake të oficerit të komandës dhe pyeti, Si janë punët këtu, Asgjë e veçantë, nuk ka ku të vejë më qetë, zoti president, a është përpjekur njeri të dalë, Jo, zoti president...

Ma merr mendja se keni marrë udhëzime në rast daljeje në masë nga qyteti, si urdhëroni, zoti president, E cilat janë ato, Në fillim të thirret ndal, Kjo dihet, Si urdhëroni, zoti president, Po sikur ata të mos i binden urdhrit, Në qoftë se nuk do t’i binden urdhrit, do të qëllojmë në ajër, Po edhe kur të qëlloni në ajër, ata do të bëjnë përpara, Atëherë do të ndërhyjë seksioni antikryengritës që është bashkuar me ne, dhe si do të veprojë ai, Varet, ose do të lëshojë gaz lotsjellës, ose do të sulmojë me makinat e ujit, këto veprime nuk janë kompetencë e ushtrisë, Më duket sikur kapa njëfarë toni kritik të fjalët tuaja, Unë mendoj se këto nuk janë mënyra për të bërë luftë, zoti president, Vërejtje interesante, po sikur njerëzit të mos prapësohen, E pamundur që të mos prapësohen, zoti president, askush nuk i reziston gazit lotsjellës dhe ujit me presion, Por përfytyroni sikur ndodh që ata nuk prapësohen, ç’urdhëra keni për këtë lloj ngjarjeje, Të qëllojmë duke marrë në shenjë këmbët, Po pse këmbët, Nuk duam të vrasim bashkatdhetarët tanë, Por megjithatë kjo mund të ndodhë, si urdhëroni, zoti president, megjithatë kjo mund të ndodhë, ju e keni familjen në kryeqytet, si urdhëroni, zoti president, Përfytyroni sikur vini re gruan dhe fëmijët tuaj në krye të turmës që cian përpara, Familja e një ushtaraku e di si duhet të sillet në të gjitha rrethanat, E marr me mend, por përfytyrojeni, bëni një përpjekje, Urdhrat janë bërë që të zbatohen, zoti president, Të gjitha, Deri më sot kam patur nderin të zbatoj të gjithë urdhrat që kam marrë, Po nesër, Shpresoj të mos jem i detyruar që t’i jap, zoti president...

“...Dhe mos thoni se ne, se unë, se qeveria e kombit, aq më shumë deputetët e zgjedhur, iu larguam popullit. Është e vërtetë që këtë mëngjes, ndaj të gdhirë, u tërhoqëm në një qytet tjetër që tashetutje do të jetë kryeqyteti i vendit, është e vërtetë që shpallëm për ish kryeqytetin një gjendje të jashtëzakonshme apo një shtetrrethim të ashpër, që për hir të forcës së gjerave do ta pengojë seriozisht funksionimin e baraspeshuar të një grumbullimi urban të kësaj rëndësie dhe të këtyre përmasave fizike dhe shoqërore, është e vërtetë që ju gjendeni të rrethuar, të mbyllur, të kufizuar në brendësi të perimetrit të qytetit nga i cili nuk mund të dilni dhe, nëse ju shkon në mendje të hidhni këtë hap, do të provoni mbi kurrizin tuaj pasojat e një reagimi të menjëhershëm nga armët, por nuk do të mund të thoni kurrë se faji u bie atyre që, vullneti popullor, i shprehur lirisht gjatë diskutimeve demokratike paqësore dhe të ndershme, ua besoi fatet e kombit me qëllim që t’i mbrojnë nga gjithë rreziqet e brendshme dhe të jashtme. Ju jeni fajtorë, jeni ju që dezertuat për faqe të zezë nga marrëveshja kombëtare për t’u futur në rrugën dredharake të veprimtarisë armiqësore, të mosbindjes, të sfidës më perverse dhe më djallëzore të lëshuar ndonjëherë kundër një pushteti të ligjshëm gjatë historisë së gjatë të kombeve...

...Tani jeni një qytet pa ligj. Aty nuk do të keni një qeveri për t’ju detyruar të bëni atë që duhet të bëni, si duhet apo nuk duhet të silleni, rrugët do të jenë tuajat, ato ju përkasin juve, përdorini si t’ju vijë për mbarë, asnjë autoritet nuk do të vijë t’ju zërë udhën dhe t’ju japë një këshillë të mirë, por gjithashtu, hapini mirë veshët dhe dëgjoni atë që do t’ju them, asnjë autoritet nuk do t’ju mbrojë nga hajdutët, dhunuesit dhe vrasësit, kjo do të jetë liria juaj, përfitoni prej saj...

...Të votosh bardhë është një e drejtë e paparashikueshme, askush nuk do ta mohonte dot, por ashtu siç ua ndalojmë fëmijëve të luajnë me zjarrin, po ashtu paralajmërojmë popujt se, të luash me dinamitin është e kundërta e sigurisë së tyre. Pothuaj mbarova. Merreni ashpërisë e paralajmërimeve të mia jo si një kërcënim, por si një kauter për infektimin e qelbëzuar politik që keni shkaktuar në gjirin tuaj dhe në të cilin zhgërryheni...

Rrugët, deri atëherë krejt të shkreta, dyqanet, pothuaj të gjitha të mbyllura, autobusët që kalonin gati bosh, u mbushën brenda disa minutash. Njerëzit e mbetur në shtëpi përkuleshin nga dritaret për të soditur turmën, kalimtarët nuk ecnin të gjithë në të njëjtin drejtim, kishte dy lumenj, njëri që ngjitej, tjetri që zbriste, njerëzit ia bënin me shenjë nga njëri trotuar tek tjetri sikur qyteti ishte në festë, si të ishte një festë bashkiake, nuk kishte asnjë shenjë hajdutësh, dhunuesish, vrasësish, krejt ndryshe nga parashikimi keqdashës i presidentit ikës.
 
Një ditë banorët e një vendi të tërë e gjenden papritur të goditur nga një verbëri totale dhe e bardhë dhe që prej atij momenti duhet të nisin të bëjnë llogaritë me këtë gjendje.
Në të njëjtin Vend, të goditur vite më parë nga verbëria, tetëdhjetë e tre për qind e popullsisë, kësaj here vetëm e kryeqytetit, ka votuar me fletë të bardhë në zgjedhjet qeverisëse.
Një fetë e madhe e popullsisë së vendit, madje ajo më e mikluara deri në atë kohë, banorët mendjehapur të kryeqytetit, sapo i kanë përplasur në fytyrë qeveritarëve, të gjithë atyre, që nga drejtuesit lokalë e deri tek Lartësia e Tij, presidenti, një “bojkot” të pastër e të paqtë, të bardhë, si fletët e votimit që hodhën në kutitë në të dy palët e zgjedhjeve që u zhvilluan.

Kryeministri, i rrethuar nga ministrat e tjerë dhe nga Presidenti i Republikës, kërkon patjetër të reagojë, të bëjë diçka. E nëse, si fillim, të thërrasësh zgjedhje të reja, të nisësh reprezalje spiunazhi, tortura psikologjike në kërkim të fijes që bashkoi kaq përsosmërisht mendjet e qindra mijëra njerëzve të panjohur, pastaj një morsë e vërtetë shtrënguese në jetët e tyre, të shpallësh gjendjen e jashtëzakonshme, shtetrrethimin, e në fund t’ia mbathësh, t’i braktisësh, natën, verbazi, turpshëm..., t’u lësh pas mallkimin e mizerjes, t’i krahasosh me minj e t’i kërcënosh me pushkatim, dhe në fund, të shpërthesh një bombë në një stacion metroje nuk mjafton për t’i bërë kryeqytetasit të epen, të përulen e të ndërrojnë mendje, atëherë mbetet vetëm një zgjidhje për t’u tentuar: duhet gjetur një kokë turku. Le të hidhet faji për gjithçka, që nga votimi bardhë deri tek paqëndrueshmëria politike e krijuar, mbi një njeri të vetëm.

E shumëpritur mbërrin në Qeveri një letër denoncimi: në epokën e verbërisë një grua kishte qenë e vetmja së cilës nuk iu dëmtua shikimi. Ndërsa të gjithë shikonin bardhë, ajo vazhdoi të shihte botën dhe falë saj, një grup prej shtatë personash arriti të mbijetonte. Veç kësaj, u tha se gjatë një episodi dhune të shfrenuar paskësh vrarë një burrë. Ja dhe koka e turkut. Zgjedhja bie mbi të. Është fajtorja perfekte. Makina e turpit dhe e shpifjes nis të xhirojë. Sepse për të gjithë këtë situatë të krijuar duhet të ketë një fajtor të vetëm, dhe ky fajtor as që bëhet fjalë të jetë qeveria. Por, nëse qeveria ka nisur të dridhet nga pasiguria, banorët e qytetit duken të vetmit që kanë mundur të mbajnë një lloj kthjelltësie, pavarësisht përpjekjeve të forta për t’i bërë të ndërrojnë mendje.

Përmes fletëve të këtij libri autori na shpie në brendësi të mekanizmave qeverisës, aty ku gjejmë ministra që nuk kanë as më të voglën ide se çfarë duhet të bëjnë, por një gjë e dinë mirë: duan të mbajnë të mbërthyer pas vetes pushtetin, me çdo kusht.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama