Lec Kurti leviz kufijte

Lec Kurti lëviz kufijtë
Nëse nuk do të ishte marrë me politikë, veprat e tij do të ishin përfshirë në antologji muzikore e letrare. Krijimet do të interpretoheshin koncerteve e do të quhej babai i kompozicionit shqiptar. Me rreth 800 faqe dorëshkrime që ruan familja e tij, do të ishte patjetër një emër i shquar i kulturës shqiptare. Por Lec Kurti zgjodhi tjetër udhë. U quajt i rrezikshëm dhe u ndalua. Vepra e tij u dënua për të mbetur sirtareve e panjohur për dekada.

Për të kujtuar një emër të lënë në harresë padrejtësisht, po edhe për të riparë historinë e muzikës shqiptare, sot në Akademinë e Arteve zhvillohet koncert-konferenca "Lindja e harruar e muzikës artistike shqiptare: Lec Kurti". Interpretohen për herë të parë vepra të kompozitorit që datojnë fillimshekullin e XX, ndërsa të afërmit sjellin kujtime. Aktiviteti i përfshirë në Stinën e Koncerteve të Pranverës në Akademinë e Arteve, përkon me 69-vjetorin e vdekjes së kompozitorit.

Për muzikologun prof. dr. Sokol Shupo, pavarësisht se sasia e partiturave që kanë arritur t'i shpëtojnë humbjes është relativisht e pakët dhe vepra e tij ka mbetur e panjohur, Lec Kurti është padyshim i pari kompozitor profesionist në historinë e muzikës shqiptare. Kur thotë këtë, Shupo mbështetet në fakte. Pasi ka kaluar nëpër duar dorëshkrimet, që ruhen me fanatizëm nga Albert Kurti, i biri i kompozitorit, Shupo vë re se çuditërisht, shumë vepra që ne i quajmë si të parat në gjininë që i përkasin, nuk janë të tilla. Studiuesi bën një krahasim, prej të cilit del se pikërisht veprat që për dekada i kemi konsideruar të parat, janë shkruar shumë më vonë se veprat e harruara të Lec Kurtit. Nëse deri më sot kemi besuar se opera "Mrika" (1959) e Prenk Jakovës është e para në llojin e vet në Shqipëri, na del se në të vërtetë e para është "Arbëreshtja" e Kurtit (1915), nga e cila kanë mbetur vetëm 11 fashikuj nga akti i parë. Për të vijuar me sonata, muzikë dhome, kuartete harqesh, romanca dramatike, trio pianistike, prelude, muzikë korale e koncerte, të cilat janë shkruar nga 20 deri në 60 vjet më vonë nga autorë si Fan Noli, Çesk Zadeja, Tonin Guraziu, Tish Daija, Limos Dizdari, etj. Që do të thotë se historia e muzikës shqiptare, ka se ç'të korrigjojë. Por nga çka mbërritur deri më sot, kuptohet se Kurti nuk ishte vetëm një ithtar i muzikës. Sot është e çuditshme të besohet se brenda një njeriu të vetëm ziente kompozitori, poeti, përkthyesi e politikani diplomat. Pa lënë asgjë pas dore. Ka shkruar vepra letrare si poemat "Kërshëndellat", "Mrashtbulli", "Sikur të mujsha", "Lula Marnesha", "Qe tuk janë" si dhe ka përkthyer në shqip veprash nga autorë të mëdhenj të letërsisë botërore si Pirandello, Gorki, Poe, Pushkin, Gauthier, Merimé, etj. Të gjitha këto u kryqëzuan për faktin se Kurti ka qenë përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, Ministër Fuqiplotë i Mbretërisë Shqiptare në Londër, e më vonë një ndër themeluesit e partisë së Ballit Kombëtar.

Ishte lindur më 9 maj 1884 në Shkodër. Biri i kompozitorit të shquar Palok Kurtit, ishte mëse e natyrshme të vazhdonte në fushën e muzikës. Në vitin 1909 filloi studimet në Liceun e Pesaros, ndërsa më vonë, krahas kompozicionit studion edhe për Diplomaci në Venecia. Dorëshkrimet tregojnë se aty janë shkruar edhe një numër i madh veprash. Familjarët dëshmojnë se gjatë kohës që ai ishte përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, i është djegur shtëpia dhe mendohet që bashkë me të janë shkrumbuar edhe krijime të tjera muzikore. Nga dorëshkrimet e mbetura mësohet se Lec Kurti kompozoi muzikë deri në vitin 1916 dhe më pas duket se iu kushtua në fillim diplomacisë e më pas politikës.

Karrierën diplomatike e nisi në Bari si konsull i Shqipërisë (1922-1927), dhe më pas në Athinë si "I ngarkuari me punë" (1927-1935) ku bëhet edhe "Qytetar Nderi" i qytetit. Më tej e gjejmë përfaqësues të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, si Ministër Fuqiplotë të Mbretërisë Shqiptare në Londër ku thuhet se, pas pushtimit të Shqipërisë prej Italisë fashiste nuk pranon t'i dorëzojë përfaqësuesit italian ambasadën. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, megjithë ftesën e Faik Konicës për të shkuar në Amerikë, Lec Kurti kthehet në Shqipëri ku angazhohet në jetën politike të vendit. Në vitin 1942, bashkë me Mit'hat Frashërin, Abaz Ermenjin etj., Lec Kurti është një ndër 18 themeluesit organizatës Balli Kombëtar, ku zgjidhet nënkryetar i përgjithshëm i saj si dhe kryetar për Shkodrën. Disa ditë përpara 29 nëntorit të vitit 1944, siç e dëshmon edhe Ditari i tij, ai e braktis përfundimisht Shqipërinë dhe vdes në Romë në dhjetor të vitit 1948. Prej atëhere muzika e tij ka mbetur akoma fare e panjohur për publikun e gjerë po se po, madje edhe për profesionistët.

Alma Mile : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama