Siç e shihni, këtu objekti në fokus është Standardi. Dhe që këtu ndahen kampet, rreshtohen palët ndërluftuese, dhe vdes qëndrimi shkencor. Jo! Nuk mund të jetë më kështu! Nuk është askund tjetër kështu". Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", gjuhëtarja Ledi Shamku-Shkreli i sheh me këtë sy vendimet e fundme të Këshillit Ndërakademik për Mbrojtjen e Gjuhës Shqipe. Madje, sa i takon këtij këshilli, Ledi shprehet se mbledhjet e tij "i përjetoj si akte të reja nga teatri absurd i Pirandellos".
Ndërsa e sheh gjuhësinë si institucionin e fundit të padekomunistizuar, u kujton kolegëve të saj gjuhëtarë se Likurgu i gjuhësisë shqipe ka vdekur, e se kështu "ligjet" e tij, mundet dhe duhet të ndryshohen. Ledi Shamku-Shkreli, jep opinionin e saj mbi gjuhën sot, nevojat dhe ndërhyrjet. E, si për ta përmbledhur, diku, ajo thotë: "Shkenca nuk është patetizëm e as robëri përbetarësh. Shkenca lyp punë e jo pasthirrma e as gjerdhe që tekembrama del se po mbrojnë Shqipen nga vetë Shqipja...!
Si e shihni shumësin e fjalëve "teatër, kabëll, drapër"(teatra, drapra, kablla? A është i nevojshëm ndryshimi që iu bë nga Këshilli Ndërakademik për mbrojtjen e Gjuhës Shqipe?
Po e marr pak me nge përgjigjen e kësaj pyetjes suaj duke ju thënë se të gjitha herët që mblidhet Komisioni Ndërakademik për Mbrojtjen e Gjuhës Shqipe (e mbron nga çfarë dhe prej kujt?!), mua më bëhet se përjetoj akte të reja nga teatri absurd i Pirandellos. Lagjja e gjuhëtarëve të Kosovës u bë kohë që vjen me propozime konkrete mbi atë që quajmë "Shqipja vehikulare", a më saktë një radhë propozimesh që nisin qysh nga ato të qenësishmet sikundër është rehabilitimi 'de jure' i paskajores ('de facto' ajo tashmë ka zënë gjerësisht vend në komunikimin publik formal dhe joformal) e deri te retushime si këto të fundit. Por has gjithnjë në kundërshtinë e paepur të lagjes së akademikëve të Tiranës, e madje më duket sikur retushime të tilla, të cilat as çojnë e as ulin peshë, i ngjajnë më tepër atij pazarit që nis me një shifër të lartë, saku të dyja palët e dijë që do mbërrihet me zor tek shifra më e ulët. Ndaj edhe ju thashë dorësëparit se më përqaset teatri pirandelian.
Po ndryshimet e fundit?
Po le të vijmë tek retushimet e fundit që ju përmendni.
Po t'i këqyrësh brenda sistemit gramatikor, empirikisht këto ndryshime nuk kanë asnjë gabim shkencor: dmth formalisht nuk gabohet nëse shumësi i "teatër" që sipas drejtshkrimit bën "teatro", vendoset të bëjë "teatra", sepse në një farë mënyre i bindemi parimit të analogjisë rrafshuese, sipas së cilës shumësi i libër bën libra, shumësi i dimër bën dimra e kështu me radhë. Dhe nuk ka pse të mbajmë mend përjashtimet për një grusht të vogël fjalësh. Dimë se shumësi i tyre mbaron gjithkund me -a edhe ky quhet thjeshtim gramatikor me analogji. Tek e fundit, Saussure e shpjegon bukur mirë fuqinë e madhe rrafshuese të analogjisë si procesi themelor në jetën e një gjuhe. Por po ashtu Saussure shpjegon po aq saktë edhe natyrën e analogjisë, e cila është një proces vetërregullues i brendshëm i gjuhës - e përsëris PROCES VETËRREGULLUES I BRENDSHËM dhe i natyrshëm.
Çka don të thotë se analogjinë e ushtron masa e përdoruesve të një gjuhe, e folësve dhe shkruesve të saj, dhe jo individë komisionesh, qofshin këta edhe akademikë në zë. Gjuhëtari nuk bën gjuhën, ai vetëm e studion atë! Dhe këtu vijmë tek një reagim i natyrshëm metodologjik ndaj këtij propozimi për ndryshim të ndoca shumëseve: A u shqyrtuan e u matën vallë këto raste shumësesh si dalin në përdorimet konkrete të Shqipes? Ka vepruar vallë analogjia në to? Përdorimet diktojnë teatro apo teatra? Kush i mati? Sepse çdo ndërhyrje në normë nuk mund të bëhet sipas vullnetit të individëve, edhe iu përmbajt logjikës empirike të analogjisë, po qe se vetë Analogjia Kolektive nuk e ka diktuar një vullnet të tillë. Dhe këtu po flasim për dy metodologji krejt të ndryshme pune: njëra që, pavarësisht vullnetit të mirë, vijon me qenë zgjatim i kultit të individit në gjuhë - dhe mos harroni se kjo e fundit është më e madhja dhe më e plota përftesë kolektive - dhe tjetra metodologji, ajo e matjes konkretisht të vullnetit të përdoruesve dhe mandej e rehabilitimit në normë të këtij vullneti, aty ku ai dikton me arsye. Për ta përmbledhur, po ta ngujoj mendjen brenda empirikes së vjetër, them se këto propozime formalisht nuk kanë asnjë gabim empirik.
Por, siç thashë, çalojnë fort në metodologji, pasi po vijojmë të mbetemi peng i metodave të vjetruara shkencore të cilat Gjuhësia Europiane i la pasi qysh në vitet pesëdhjetë të shekullit tashmë të kaluar. Dhe po ashtu po vijojmë të thellohemi në një akt të rrezikshëm ndaj gjuhës sonë amtare, ai që në gjuhë mund të fusë duart çdo gjuhëtar. Ky akt nisi me gjuhësinë e partishme të Enver Hoxhës dhe nuk po ka të sosur, duke na ndarë përditë nga zhvillimet shkencore rrotull nesh. Albanologjia këtu tek ne nuk ka qenë kurrë më e izoluar nga progresi i përbotshëm sa ç'është sot. Dhe kur mendoj për nevojat reale e këlthitëse që lyp sot edukimi me Shqipen tonë amtare, shtjella të tilla propozuese më kujtojnë atë fjalën e urtë të gjyshes sime: "Sillu nga sillu, eja n'kunj e lidhu".
Pse mendoni se po priten me rezerva në Shqipëri këto ndryshime?
Troç e shqip, sepse gjuhësia shqiptare është sot institucioni i fundit i padekomunistizuar! E dini historinë e ligjeve të Likurgut? Ai hartoi disa ligje dhe mandej i vuri të përbetoheshin zbatuesit e tyre se nuk do t'i ndryshonin kurrë këto ligje pa iu thënë sërish ai vetë. Dhe mandej Likurgu, për të siguruar pandryshueshmërinë e ligjeve të veta, shtergoi, iku larg e nuk u kthye më kurrë. Vdiq larg dhe përbetarët e pritën brezni pas breznie, pa guxuar t'i ndërronin ato ligje, edhe pse shoqëria me zhvillimet e veta diktonte përditësimin. Kështu po ndodh edhe me institucionet tona të gjuhës: zhvillimet e reja demografike, shoqërore, politike, ekonomike e kulturore kanë diktuar e diktojnë pasqyrimin e tyre në Shqipen e përbashkët, siç ndodh në çdo gjuhë tjetër të gjallë. Dhe Shqipja jonë është gjuhë e gjallë.
E gjallë, por e pandryshueshme?
Po, por ka një grusht përbetarësh që nuk po duan të pranojnë se Likurgu i gjuhësisë shqipe nuk është më. Madje po ju them se në një nga mbledhjet e radhës së këtij komisioni, kur po diskutohej thjeshtimi i disa "ë"-ve, njëri nga anëtarët e palës shqiptare u ngrit e briti: "Më mirë të më prisni mua një dorë, se të thjeshtoni këto -ë!". Shkenca nuk është patetizëm e as robëri përbetarësh.
Shkenca lyp punë e jo pasthirrma e as gjerdhe që tekembrama del se po mbrojnë Shqipen nga vetë Shqipja. Pra po e gjymtojnë e po e mpijnë! Fajin për këtë e ka sërish objekti dhe metoda. Siç thotë Saussure, përcaktimi i gabuar i objektit të studimit, sjell pashmangësisht me vete edhe një metodë të gabuar, dhe siç e shihni këtu objekti në fokus është Standardi. Dhe që këtu ndahen kampet, rreshtohen palët ndërluftuese dhe vdes qëndrimi shkencor. Jo! Nuk mund të jetë më kështu! Nuk është askund tjetër kështu. Unë sapo përmbylla një specializim post-doktoraturë në Universitetin e Bolonjës pikërisht për detyrat e gjuhësisë sot si shkencë ndaj përdorimit ligjërimor kolektiv.
Dhe ju them me bindje se fjala "normë" aty nuk përmendej më aspak. E pra, italishtja, me shumësinë e dialekteve që ka, të cilat shpesh konsiderohen gati si gjuhë më vete, paraqet një hartologji normimi shumë më pak të kënaqshme sesa ajo e shqipfolësve, të cilët kanë fatin t'i kenë strukturalisht mjaft afër dy kryedialektet e veta. E megjithatë, gjuhësia italiane, në hullinë e asaj europiane, e konsideron debat tashmë të tejkaluar debatin mbi normën dhe shkallën e zbatimit të saj, dhe është përqendruar e gjitha në dy pika nevralgjike: te studimi real i mjeteve gjuhësore në të gjitha kontekstet ku ato dalin, pa asnjëfarë paragjykimi në konteksti është informal apo formal si edhe në edukimin shkollor me gjuhën amtare, pa lënë jashtë asnjë pasuri të saj për faj të "normës". Të dyja këto pika nevralgjike tek ne as që përmenden, dhe përsa kohë nuk merren në sy, do vijojë të ketë skuadra të rreshtuara nëpër llogore, por nuk do të ketë shkencë dhe pasojat do t'i vuajnë shqipfolësit.
A ka ardhur koha të ketë më shumë nuance gege në standard, apo kjo, sikundër thuhet, do të dëmtojë themelet e tij?
Nuanca gegë? Ç'don të thotë nuancë gegë? Duhet me çelë rrugën e shqipes për te Shqipja! Ideologjia atavike e së kaluarës po ngulmon t'ia pengojë Shqipes komunikimin mes vedit. Për fat, shqipfolësit nuk janë as gjuhëtarë e as korrektorë letrarë, kështu që po vijojnë ta kryejnë vetë sa edhe si munden këtë marrëdhënie jetike, veçse të lënë vetëm, ky vetërregullim po ndodh në mënyrë sauvage, të egër e të pakultivuar, dhe kjo është e rrezikshme. Po ta përqasja me territorin dhe zhvillimet urbane, kjo lëvizje sauvage e lënë në punë të vet, kështu siç është braktisur përbuzshëm nga institucionet e gjuhës, i ngjan një dyndjeje demografike që ndërton pa asnjë orientim sa edhe si edhe ku të mundet.
Dhe mandej, vjen dita që urbanistët çojnë duart përpjetë dhe detyrohen të legalizojnë gjithë atë kaos, i cili mbetet po ashtu kaos, por përfaqëson tashmë një kaos të legalizuar. Kështu mund të ndodhë edhe me Shqipen, dhe druaj se një braktisje e tillë po lejon vetiu që të thyhet shembet norma letrare (në emër kinse të ruajtjes së saj), pasi e lënë ashtu në punë të vet, pa asnjë matje e përditësim të lehtë e të vijuar, një ditë norma do të jetë shkelur e stërshkelur aq shumë dhe aq keq, sa kur të na duhet të "legalizojmë" stadin e ri normativ, druaj se ai do të jetë një thyerje e fortë ndaj normës së sotme.
Me fjalë të tjera, me këtë qëndrim kokëfortë e anakronik, rojtarët e standardit del se janë në fakt varrmihësit e tij. Dhe këtë duhet ta kuptojnë. Norma letrare e Shqipes ka nevojë të përditësohet vijimisht duke pasqyruar rezultatet e matjeve konkrete të përdorimit të saj. Siç ndodh me gjuhët rrotull nesh, të cilat falë këtij përditësimi kanë ruajtur një thelb të lashtë, por përherë të ri tyrin dhe nuk i kanë shkëputur lidhjet me trashëgiminë e vet gjuhësore. Kaq është! Pjesa tjetër e punës i mbetet e gjitha edukimit shkollor.
Edukimit me tri koinetë e mëdha të Shqipes: gegë, toskë e arbëreshe. Të cilat sot bëhen sa me la gojën, por duke ua mekë në fakt gojën përditë shqipfolësve. Jam e bindur, mëse e bindur, se duhet ndërmarrë një betejë e fortë për rigjallërimin e Shqipes së brendshmi e pa paragjykime ideologjike. Sikundër jam e bindur, mëse e bindur, se beteja për gjuhën ka me qenë beteja për shkollën!