Ledia Dushku Pavaresia nuk u shpall ne Durres dokumenti eshte akt lokal

Ledia Dushku: Pavaresia nuk u shpall ne Durres, dokumenti eshte akt lokal
Eqrem Zenelaj ka publikuar një dokument osmanisht të gjetur në arkivat e Vjenës, ku sipas tij shënohet shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në Durrës. Ky dokument u përmend nga Kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë. Studiuesja Ledia Dushku vë në dispozicion disa dokumente, pjesë e Arkivit të Institutit të Historisë që vërtetojnë se nuk ka deklaratë pavarësie në Durrës e që do të botohen së shpejti në një vëllim

“Ja telegramet austro-hungareze që e dëshmojnë”

“Jam e prirur të mendoj se dokumenti që zoti Eqrem Zenelaj ka gjetur në Arkivin e Bibliotekës Kombëtare Austriake në Arkivin ‘Albertina’ për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Durrës, është, në fakt, shpallja e pavarësisë së Durrësit që ka ndodhur në datën 26 nëntor 1912. Një akt i ngjashëm ka ndodhur një ditë më parë në Elbasan, dhe po në të njëjtën datë në Tiranë dhe më 27 nëntor në Lushnjë e Peqin. Them që është akt lokal, sepse nënshkruesuesit nuk kishin mandat përfaqësimi për të gjithë Shqipërinë”. Ky është reagimi i studiueses Ledia Dushku, e cila rendit një sërë argumentesh të mbështetura mbi dokumente historike arkivore. Faktin e ekzistencës së një dokumenti në osmanisht që dëshmonte shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Durrës dhe jo në Vlorë, e bëri të ditur pak ditë më parë Kryeministri Berisha në një nga mbledhjet e qeverisë. Kjo deklaratë u pasua menjëherë nga reagime të historianëve, të cilën e quajtën këtë gjë thjesht një spekulim. Prof. dr. Eqrem Zenelaj ka publikuar një faksimile të dokumentit që mban datën 26/27 nëntor 1912, që sipas tij ka shënimin “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”, shpallur në Durrës më 1912-n.

Duke iu referuar sërish dokumenteve austro-hungareze, studiuesja Ledia Dushku përsërit disa herë se ky është vetëm një akt lokal. “Sipas zotit Zenelaj, në këtë dokument gjendet edhe firma e Ismail Qemalit. Kjo është e çuditshme për të qenë e vërtetë, pasi Ismail Qemali është larguar nga Durrësi në datën 23 nëntor. Njoftimin për këtë e jep nënkonsulli austro-hungarez në Durrës, Rudnay, i cili njofton qendrën që më 23 nëntor, Ismail Qemali, nën praninë e Murad bej Toptanit dhe personaliteteve të tjera, niset në drejtim të Vlorës për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Është konsulli austro-hungarez këtë radhë në Vlorë, Leyhanec, i cili njofton se më 26 nëntor 1912, natën vonë, Ismail Qemali nën shoqërinë e më shumë se 20 delegatëve të tjerë kishte mbërritur nga Fieri në Vlorë. Po në këtë telegram, ai shënon: ‘Ai(Ismail Qemali) më njoftoi se dje shumë qytete si Durrësi, Tirana, Elbasani dhe të tjerë kanë proklamuar pavarësinë, sipas këshillës së tij’. Në rrethet e studiuesve njihen aktet e shpalljes së pavarësisë lokale në Tiranë, Durrës, Lushnjë, Peqin, të cilat kanë pak a shumë të njëjtin tekst: ‘Shpallim indipendencën në emër të kombësisë tonë e të gjithë Shqipërisë’. Është një akt që është bërë në prag të mbërritjes së trupave serbe për të treguar që kjo tokë nuk ishte territor osman, por territor shqiptar, për ta vënë pushtuesin serb përpara faktit të kryer. Deklarata të tilla i dërgohen nga Durrësi, Elbasanit, Beratit, Janinës, Delvinës, Gjirokastrës, Lushnjës, Korçës, Starovës, Vlorës dhe Përmetit”, thekson studiuesja Ledia Dushku.

Ajo nuk dëshiron të hedhë hije dyshimi në ekzistencën e dokumentit të publikuar, i cili ka edhe një referencë arkivore, por përmbajtjen e tij e interpreton edhe mbi bazën e dokumenteve të tjera që vijnë po nga arkivat austro-hungareze. Sipas Dushkut, në Vlorë u shpall pavarësia në emër të së gjithë Shqipërisë e ku të gjithë delegatët kishin mandate përfaqësimi, ndërkohë që thekson edhe një herë se ato të Durrësit, Tiranës, Elbasanit dhe Lushnjës, ishin thjesht akte lokale. Studiuesja na vë në dispozicion disa nga telegramet e dërguara nga nënkonsulli austro-hungarez në Durrës, Rudnay dhe nga konsulli i Vlorës, për takimet e tyre me Ismail Qemalin dhe udhëtimin e tij nga Durrësi në Vlorë. Dokumentet, të cilat po i publikojmë të plota, janë pjesë e Arkivit të Institutit të Historisë dhe së shpejti do të jenë të botuara në një vëllim me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë.

Telegram shifër i nënkonsullit austro-hungarez, Rudnay, nga vapori i Lloidit “Konti Wurmbrand” në Durrës, për eprorët në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë, në lidhje me bisedën me Ismail Qemalin dhe deklaratat e tij për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë

 Durrës, më 22 nëntor 1912

Nr. 4568

Tel. Nr. 129

Sot i bëra një vizitë Ismail Qemal beut me rastin e festës së Bajramit. Shpresoj që nesër [ai] të niset për në Vlorë. Abdi Beu[1], Refik bej Toptani, Dom Nikoll Kaçori dhe personalitete të tjera prej Durrësi do të shkojnë së bashku me të.

Ismail Beu m’u lut t’i parashtroj Shkëlqesisë Suaj falënderimet e tij për besimin dhe t’u njoftoj se, me anën e një telegrami privat, ai i ka telegrafuar të gjithë qyteteve të Shqipërisë për të dërguar delegatë në Vlorë. Në bazë të përgjigjeve të marra, tanimë ai është i sigurt se atje kanë për t’u mbledhur delegatët e shumicës së qyteteve të Shqipërisë. Prej Dibre, Isa Boletini ka siguruar pjesëmarrjen e tij. Është ftuar edhe kapedani i Mirditës[2].

Ismail Qemali është shumë i rezervuar në deklarata. Mbështetur në instruksionet e Shkëlqesisë Suaj, unë i evitova bisedat politike. Kaçorri më njoftoi se Ismail Qemal beu i ka bërë me dije se do të proklamojë pavarësinë e Shqipërisë dhe do të krijojë një qeveri provizore. Po ashtu, ai ka ndërmend t’i shkruajë Esad pashë Toptanit në Shkodër, që pas proklamimit të pavarësisë, ai të ngrejë flamurin kombëtar shqiptar.

Sado që këtu…….*, janë të bindur për qëllimin e mësipërm të Ismail Qemalit, edhe fanatikët po mbajnë një qëndrim të qetë.

Një kopje Stambollit. Identik Budapestit

_________________________

    Shifra e prishur

Arkivi i Institutit të Historisë (AIH) Fondi i dokumenteve të Vjenës. Vj. 22-6-691

Radiotelegram shifër i nënkonsullit, Rudnay, nga vapori i Lloidit “Konti Wurmbrand” në Durrës ku informon eprorët e tij në lidhje me takimin me Ismail Qemalit, para nisjes së tij për në Vlorë

Durrës, më  23  nëntor 1912

Nr. 4988

Tel. Nr. 134

Tepër konfidencialisht.

Ismail Qemal beu më bëri një vizitë sot në mëngjes para se të nisej për në Vlorë. Me ndërmjetësinë time, ai i bën me dije Shkëlqesisë Suaj se është i bindur për realizimin e planeve të tij. Proklamimi i pavarësisë së Shqipërisë ka mundësi të bëhet në mes të javës që vjen. Qeveria greke i ka premtuar atij njohjen e pavarësisë. Ai….* proklamimin në qoftë se hiqet bllokada e Vlorës. Me t’u bërë proklamimi i pavarësisë, ai i lutet Shkëlqesisë Suaj që të mundësohet dërgimi i armëve për të nxjerrë trupat armike jashtë Shqipërisë.

Një kopje Stambollit. Identik Budapestit

Rudnay

* gabim shifre

Vj, 22-6-694

Radiotelegram shifër i nënkonsullit, Rudnay, nga vapori i Lloidit “Konti Wurmbrand” në Durrës, për eprorët në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë, ku informon nisjen e Ismail Qemalit në Vlorë

Durrës, më 23  nëntor 1912

Nr. 4926

Tel. Nr. 136

Ismail Qemal beu me shoqëruesit e tij së bashku me Murad bej Toptanin dhe personalitetet e përmendura në telegrafin tim të djeshëm, numër 121, u nis sot për në Vlorë. Aty ai duhet të mbërrijë të hënën. Ortodoksët e Durrësit (kucovllahët) refuzuan të dërgojnë një përfaqësues në Vlorë. Kaçorri do të përfaqësojë katolikët e kësaj dioqeze, ndërsa tre myslimanë, Durrësin. Me rastin e nisjes, një shqiptar mbajti një fjalim të shkurtër, në të cilin u theksua se prej kongresit në Vlorë varet e mira e Shqipërisë.

Një kopje Stambollit. Identik Budapestit

Rudnay

Vj, 22-6-695

Radiotelegram shifër i nënkonsullit, Rudnay, nga vapori i Lloidit “Konti Wurmbrand” në Durrës, me anën e të cilit njofton eprorët në Ministrinë e Punëve të Jashtme, mbi ngritjen e flamurit shqiptar në qytetin bregdetar

Durrës, më 27 nëntor 1912

Nr. 6645

Tel. Nr. 150

Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit me brohoritje. Mytesarifi[3] u pushua. Hamid bej Toptani u emërua guvernator provizor. Mitropoliti[4] refuzon ta njohë administratën lokale. Trupat mustahfis [mbrojtëse të prapavijës së qytetit] u liruan. Paria e vendit u doli serbëve përpara. Mungojnë informata të sakta për lëvizjen e tyre [serbëve]. Ata janë nisur prej Kruje.

AIH. Vj. 22-8-850

- 61 -

Radiotelegram shifër i Rudnay, nëpërmjet vaporit të Lloidit “Konti Wurmbrand”, për eprorët në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë, mbi Shpalljen e Pavarësisë në qytetin bregdetar të Durrësit

Durrës, 27 nëntor 1912

Nr. 6501

Tel. Nr. 152

Në mbrëmjen e datës 26 duke u gdhirë data 27, tre banorë më dhanë një lajmërim të destinuar për Shkëlqesën Tuaj dhe qeverinë italiane, me të cilin njoftojnë se është bërë proklamata e pavarësisë.

Lajmërimet po i dërgoj me komandantin e “Wurmbrandit”.

Një kopje Stambollit

AIH. Vj. 22-8-849

Telegram shifër i konsullit, Leyhanec nga Vlora, për eprorët në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku njofton mbërritjen e I. Qemalit në Vlorë dhe përgatitjet për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë

Vlorë, më 27 nëntor 1912

Nr. 6881

Tel. Nr. 34

Dje mbrëma erdhi këtu nga Fieri, Ismail Qemal beu së bashku me më shumë se 20 delegatë. Ai më njoftoi se dje shumë qytete si Durrësi, Tirana, Elbasani dhe të tjerë kanë proklamuar pavarësinë, sipas këshillës së tij. Nesër ose pasnesër, sapo të jenë mbledhur të gjithë delegatët edhe këtu do të bëhet proklamimi i pavarësisë së gjithë Shqipërisë. Ai është i mendimit se prej kësaj mase, bllokimi i Vlorës nuk do të ketë më kuptim dhe i lutet Shkëlqesisë Suaj për të dërguar në Vlorë një ose më shumë anije lufte. Një kërkesë analoge, ai ia ka drejtuar edhe kolegut tim britanik.

Ismail Qemal beu e mban të okupuar zyrën e këtushme telegrafike dhe u lejon konsullatave që të dërgojnë dhe të marrin telegrame shifër.

Unë e mora sot instruksionin shifër, numër 26, të datës 19 të këtij muaji, drejtuar zyrës konsullore në Durrës.

Që prej datës 20 të këtij muaji, Eqrem bej Vlora së bashku me rreth 1000 vullnetarë ka shkuar kundër grekëve, të cilët kanë zbarkuar në Himarë. Flitet se atje po luftohet që prej ditës së djeshme. Edhe Eqrem Beu është për dërgimin e luftanijeve tona këtu, me qëllim që t’u jepet kurajë njerëzve të tij.

Një kopje Stambollit dhe Janinës.

AIH. Vj. 22-8-851 dhe Vj. 22-11-1182

[1] Bëhet fjalë për Abdi bej Toptanin

[2] Bëhet fjalë për Preng Bib Dodën

[3] Mytesafif-qeveritar dhe komandant sanxhaku në Perandorinë Osmane

[4] Bëhet fjalë për mitropolitin e Durrësit, Ngjingjilas Jakovos

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama