Legalizimet Rama Procesi falas per shtepite. Do jeni pronare te shtepive tuaja fund zvarritjeve

Legalizimet, Rama: Procesi, falas per shtepite. Do jeni pronare te shtepive tuaja, fund zvarritjeve

Pas vendimit në mbledhjen e qeverisë për ndryshimet në ligjin e legalizimeve, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me banorët e zonës së Paskuqanit në Tiranë. Rama u shpreh besimplotë se ky vendim do të hapë një epokë të re për mbi 200 mijë familje që presin prej vitesh legalizimin e shtëpive të tyre.

“Sot në mbledhjen e qeverisë ne miratuam ndryshimet me themel që i kemi bërë ligjit të legalizimeve. Këto ndryshime, do ti kalojnë për miratim përfundimtar parlamentit dhe do të na garantojnë që ne t’i qëndrojmë atij zotimi që ju kemi dhënë dhe që ju dhe mbi 200 mijë familje që presim prej vitesh legalizimin të mund të bëhen pronarë të shtëpive të tyre. Dhe shtëpitë të kthehen nga kapitale të vdekura, në kapitale të qarkullueshme që do ndihmojnë ekonominë e familjes suaj. Ne kemi pasur një plan shumë të qartë për legalizimet dhe dua ta kujtoj që unë personalisht bashkë me Lamen dhe disa të tjerë kemi qenë të parët që kemi folur për legalizimet, kur ishim në bashkinë e Tiranës në fillim të rrugëtimit tonë për të transformuar Tiranën”,- u shpreh kryeministri. Rama theksoi se qeveria e tij e njeh legalizimin si detyrim vetëm për ata që kanë ndërtuar një shtëpi për të futur kokën, ndërsa për shtëpitë e dyta legalizimi do të bëhet me faturë të plotë.

“Ne morëm vendimin që gjithë procesin ta bëjmë falas.Ndryshimet do të na bëjnë ti qëndrojmë zotimit që kemi dhënë për legalizimin. Ne kemi pasur një plan shumë të qartë për legalizimet dhe dua ta kujtoj, ne kemi qënë të parët në Shqipëri që kemi bërë plan për legalizimet. Por plani pësoi një ndryshim të rëndësishëm në fund të fushatës, ku duke dëgjuar qytetarët u përballëm me faktin se familje të panumërta kishin përgatitur letra deri edhe 3 herë. Shtëpitë do të kthehen në kapital të qarkullueshëm:. Në 8 vjet 160 mijë familje nuk kishin marrë përgjigje. Ne morëm vendimin që gjithë procesin ta bëjmë falas. Veç faturës së shtetit u është dashur të paguani edhe atë të pushtetit. Në dy vjet janë hapur shumë gjyqe prej legalizimeve kuturru. Nëse ne do të bëjmë legalizimin falas, do të marrim lekët nga ata që kanë dhënë. Legalizimi bëhet si një borxh ndaj gjakut dhe sakrificave ndaj atyre që janë pronarë të një shtëpie ku kanë hedhur të gjithë djersën. Paketa jonë është shumë e plotë. Gjëja e parë që ndryshon është skema e veprimit e cila kthehet në të kundërt. Tashmë nuk shkon qytetari tek shërbimi por shërbimi që vjen tek familja. Skema e vlerësimit të trojeve, përsa i përket atyre trojeve që janë me pronarë apo shtetërorë do të ndryshojë se nuk mund të ketë të njëjtën vlerë toka. Nga ana tjetër ne kemi ndryshuar skemën e dokumentacionit. Kush do të bëjë dokumentacion, do të shkojë në hipotekë dhe do të bëhet pronar i shtëpisë. Këtë proces e kemi të përqendruar të zonat informale, sepse ka shumë familje që janë në vështirësi ekonomike, edhe për këto do të ketë trajtim të veçantë.Legalizimi bëhet në radhë të parë si një borxh ndaj gjakut, sakrificave dhe mundit të atyre që janë sot pronarë të një shtëpie ku kanë hedhur gjithçka kanë pasur. Për ata bëhet legalizimi në radhë të parë, të tjerët të rrinë në radhë dhe të paguajnë”, tha ai.

Më tej kryeministri sqaroi përfitimet që do të kenë qytetarët që paguajnë menjëherë për tokën, në rast se nuk e kanë ndërtuar shtëpinë në tokën e tyre. Por sipas tij, qeveria ka menduar edhe për ata që deklarojnë se nuk kanë mundësi të paguajnë sot.

“Nëse qytetari deklaron se nuk paguan dot, se nuk ka mundësi, objekti do të legalizohet, do regjistrohet në hipotekë, por me kufizim hipotekor, domethënë që ti ke një detyrim që e kufizon pronën tënde, ti mund ta shesësh por kufizimi hipotekor i kalon atij që e blen. Nëse nuk paguan dot menjëherë, do që ta fusësh me kufizim hipotekor, nuk do të përfitosh nga 20% i uljes që paguan kur paguan menjëherë, plus letrat me vlerë. Nëse edhe pas një viti nuk e ke paguar sërish, nuk do përfitosh më as nga letrat me vlerë. Përsëri e theksoj shtëpia është e jotja, në këto kushte lirisht, shitet blihet jepet me qira, çohet dhe në bankë merret dhe kredi, por kufizimi nuk është pozitiv në afatgjatë”,- u shpreh kryeministri.

Ndërkohë shefi i qeverisë informoi qytetarët se procesi i legalizimeve nuk do të kufizohet me detyrimet e papaguara ndaj kompanive të energjisë elektrike.

“Ne do të vendosim për çdo tapi një barrë hipotekore 10%, por jo se do paguani tani. Nëse ju do paguani 400 mijë lekë për legalizimin kur toka nuk është e jotja, atëherë do t’ju marrim 360 mijë lekë dhe 40 mijë lekëshin do ta lemë barrë hipotekore, që ju do ta hiqni pas dy vjetësh kur të tregoni faturat e energjisë. Në shumën e legalizimit do t’ju marrim 40 mijë lekë më pak, do t’jua lemë të paguani energjinë elektrike dhe t’jua lemë barra atje. E rëndësishme është të paguani të gjithë energjinë, të futeni në sistem. Janë të gjitha kushtet që ta mbyllim këtë proces më faqe të bardhë për të dy palët. Ne jemi gati, kush është gati nga ju thjesht duhet të ndjekë procesin dhe të marri tapinë në dorë”,- deklaroi Rama.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama