Miratohet ligji për legalizimin e 270 mijë ndërtimeve pa leje në shkallë vendi. Me ligjin e ri, i cili pret të kalojë në seancë plenare, do t’iu njihet e drejta e pronës personave që kanë ndërtuar në tokën e tyre dhe në tokën e të tretëve deri në vitin 2009 dhe do t'u njihet e drejta e pronës për sipërfaqen e tokës mbi të cilën kanë ndërtuar. Ligji i ri vendos kalimin e pronësisë të parcelës ndërtimeve ku është ngritur ndërtimi pa leje sipas përcaktimeve që jep ligji për legalizimet. Pas miratimit të ligjit në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese kreu i ALUIZNI-t Artan Lame, ka dhënë tre porosi për qytetarët që kanë ndërtime në proces legalizimi. “Përtej diskutimeve politike unë do të ftoja qytetarët të fokusoheshin në tre çështje të rëndësishme. E para ne do t'i bëjmë legalizimet, e dyta procedurat janë falas dhe e treta qytetarët do të paguajnë shumë më pak e kanë paguar deri tani për këtë proces”-tha Lame Komisioni Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi në tërësi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar””, që pritet të kalojë këtë javë për miratim në seancë plenare.
Pas diskutimeve javën e kaluar të amendamenteve të propozuara nga disa deputetë të mazhorancës dhe opozitës, si dhe vërejtjeve dhe sugjerimeve të ardhura nga komisionet e tjera kuvendore, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese e shqyrtoi dhe miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë, vetëm me votat e përfaqësuesve të mazhorancës në komision. Nënkryetari i Komisionit, njëkohësisht deputet i Partisë Demokratike, Genc Ruli, duke folur në emër të përfaqësuesve të opozitës në komision tha se pavarësisht votës kundër në parim, opozita mori pjesë në të gjitha etapat e shqyrtimit të projektligjit me dëshirën dhe vullnetin e mirë për të dhënë kontributin e saj. “Shprehemi kundër edhe në tërësi, sepse nga të gjitha amendamentet që u propozuan nga deputetët e opozitës dhe që kanë lidhje logjike me njëri-tjetrin, vetëm dy ose tre u morën parasysh, ndërsa të tjerat, ato më thelbësoret u rrëzuan,” tha Ruli, ndërsa theksoi se opozita me ndjenjën e përgjegjshmërisë politike kërkoi nëpërmjet amendamenteve të saj që të mundësohej legalizimi falas. “Vota jonë s’ka sesi të mos jetë kundër kur ju nuk mbani premtimet tuaja,” shtoi Ruli në fjalën e tij duke shpjeguar votën kundër të opozitës. Nga ana e tij, kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi, duke iu referuar votës kundër në parim nga ana e opozitës, shprehu keqardhjen që të njëjtin qëndrim opozita e manifestoi edhe në votimin në tërësi. “Mendova se votat kundër në parim ishin një lapsus i opozitës, por tani e kuptoj qartë që qenka qëndrim. Megjithëse humbët zgjedhjet, megjithëse në tetë vjet qeverisje dështuat në mënyrë spektakolare me legalizimet akoma opozita vazhdon të mos u kërkojë ndjesë qytetarëve për këtë gjë,” tha Shalsi.
5-ndryshimet ligjore
Ndryshimet ligjore parashikojnë gjetjen e një mekanizmi eficient dhe përshpejtues për sa i takon legalizimit të ndërtimit pa leje, që kërkon kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin nëpërmjet: 1) ndërhyrjes në skemën e konfigurimit dhe madhësisë së parcelës ndërtimore me qëllim evitimin e abuzivizmit në përcaktimin e sipërfaqes maksimale për efekt legalizimi. Pjesa e sipërfaqes së parcelës mbi masën e përcaktuar që nuk shfrytëzohet më vete për ndërtim për shkak të konfiguracionit dhe përmasave kalon në pronësi të shtetit, e cila do të përdoret në shërbim të komunitetit, sipas përcaktimit në studimin urbanistik të miratuar;
2) trajtimit të diferencuar për sa i përket vlerës dhe mënyrës së pagesës së parcelës ndërtimore, për kategori të ndryshme të ndërtimeve pa leje në varësi të funksionit të ndërtimit, çka lidhet me aftësinë shlyese, financiare të subjektit që e posedon atë; 3) parashikimit të mënyrave alternative të pagesës siç është pagesa e pjesshme me bono privatizimi; 4) nxitjes për shlyerjen e menjëhershme të detyrimit përmes reduktimit të vlerës. 5) përfshirjes në skema alternative të pagesës së parcelës ndërtimore, të subjekteve që janë në kushtet e paaftësisë paguese dhe posedojnë ndërtime pa leje me funksion banimi.