Legjenda Raul Zidanin nuk e imagjinoja dot kurre si trajner

Legjenda Raul: Zidanin nuk e imagjinoja dot kurrë si trajner

Raul Gonzalez ka vendosur të nisë karrierën si drejtues në LA Liga, duke u marrë me vëzhgimin, organizimin e projekteve dhe zhvillimin e futbollit. Ky pozicion e lejon atë që të jetë i lidhur ende me sportin, por nuk e përjashton mundësinë që të provojë eksperiencën e trajnerit. Ai kujton se nuk e ka menduar kurrë Zidanin në këtë rol, por beson se puna me Ançelotin e ka ndihmuar shumë francezin. Ish-kapiteni i Realit kujton gjithashtu gabimet e klubit për largimin e Visente del Boskes apo mesfushorit Klod Makelele...

Raul 10

Si është jeta e re e Raulit?

Paksa më ndryshe. Nuk jam duke dhënë kontributin tim në fushë, por gjithsesi përjetoj emocione duke parë se si evoluon futbolli në La Liga, me pozicionin e ri si vëzhgues.

Jeni përshtatur me statusin e ri?

Unë kam kaluar nga futbolli i luajtur, në biznesin e futbollit. Por, janë të dyja të lidhura me njëra-tjetrën. Unë jam gjatë gjithë kohës duke parë ndeshje, duke studiuar projekte, duke planifikuar organizime turnesh. Mendoj se nuk kam dalë nga natyra e jetës që kam bërë edhe më parë.

Mendoni se futbolli po bëhet shumë biznes?

Ka ndeshje që janë të mërzitshme, sepse rezultati ka më tepër vlerë, sesa spektakli. Rezultati paguhet financiarisht, jo spektakli. Por, nuk dua të mendoj se biznesi e udhëheq futbollin.

Si e komentoni stilin e lojës së Atletikos së Madridit apo Leiçesterit?

Janë dy skuadra që luajnë me zemër dhe tregojnë karakterin e tyre në fushë. Atletiko nuk është rastësisht praktikuese e atij stili loje, pasi e ka perfeksionuar me kalimin e kohës. Ka fituar një titull kampion dhe ka qenë dy herë finaliste e Champions-it. Pra, gjithçka është e mirëplanifikuar.

Ksavi ka thënë që një ekip i madh nuk luan si Atletiko. U gabua me këtë deklaratë?

Në kohën time, nuk ishte e mjaftueshme të fitoje trofe, por duhet të dhuroje spektakël. Atletiko nuk është në nivelin e Barcelonës apo Realit, gjithsesi arriti të eliminojë klube si Barça dhe Bajerni i Mynihut, para se të mundej në finalen e Ligës së Kampioneve. Në të tilla raste, pak rëndësi ka spektakli.

Raul 15

Ju jeni më tepër simpatizant i Guardiolës apo Simeones?

Unë dua futboll sulmues. Ai të bën të ndihesh më i lumtur kur fiton, sepse ke përdorur në perfeksion të gjitha detyrat. Mund të mbrohesh duke qëndruar në gjysmëfushën tënde, por mund të mbrohesh edhe duke sulmuar. Janë mentalitete të ndryshme futbolli, por që duhet të jesh 100% i saktë që të kesh sukses.

Mund t'ju shohim si trajner?

Ka shumë njerëz që më thonë se do bëhem një trajner i zoti. Unë e pëlqej si pozicion, pasi më bën të jem më pranë lojtarëve. Por, nuk e kam vendosur ende të ardhmen. Do ta bëj kur të ndihem më gati. Gjithsesi, të jeni të sigurt që skuadra ime do jetë shumë sulmuese (qesh). Do bëja një miksim midis Bajernit të Guardiolës, Dortmundit të Klopit dhe Realit.

Keni kohë pa folur me Guardiolën?

Po, ka kaluar goxha kohë.

Besoni se do ta ndryshojë mentalitetin e lojës në Angli?

Unë jam i sigurt që Pep do t'i argëtojë tifozët e Sitit. Edhe pse te Bajerni i Mynihut nuk fitoi Champions-in, shumë prej tifozëve janë të kënaqur me punën e tij. Guardiola ndryshon çdo ditë. Edhe Gjermania ka kopjuar shumë nga sistemi i tij i lojës. Nuk dyshoj që në Angli do lërë gjithashtu gjurmë.

Kur ishit shokë ekipi te Reali i Madridit, ju keni thënë që Zidanin nuk e shikonit dot si trajner. Pse?

Ka qenë përshtypja ime. Futbollistët flasin shpesh me njëri-tjetrin, sidomos për taktikën e lojës, apo të komentojnë vendimet e trajnerit. Zinedin nuk komunikonte dhe më dukej e çuditshme që një ditë ai mund të bëhej trajner. Më dukej i painteresuar për këtë pozicion. Por, duke punuar me Ançelotin dhe më pas duke provuar me ekipin e dytë të Realit, me sa duket ka ndezur dëshirën e tij për këtë profesion.

Pse është kaq e vështirë të jesh trajner i Realit?

Sepse ke shumë presion mediatik dhe mbi të gjitha duhet të menaxhosh një grup të përbërë nga futbollistë të mëdhenj, ku të gjithë mendojnë se meritojnë të jenë titullar. Zidan ka mësuar shumë nga Ançeloti në këtë pjesë. Ai ka ditur se si të menaxhojë ekipin dhe t'i bëjë ata të besojnë se së bashku mund të ngrenë trofe të rëndësishëm.

Reali ka ndryshuar 11 trajnerë në 13 vite. Janë shumë?

Po, janë vërtet shumë. Gjithnjë e kam thënë që kam pasur më shumë trajnerë, sesa vite në Madrid. Disa nga dy herë, si Kapelo apo Kamaço. Mendoj se mund të kem punuar me 18 apo 19 trajnerë...

raul del boske

A është e vërtetë që Reali gaboi me largimin e Del Boskes?

Visente qëndroi më shumë se të gjithë dhe punoi me projekt afatgjatë. Klubi kishte stabilitet, ekipi ishte në qetësi, futbollistët i kishin të qarta detyrat. Mendoj se gjithçka funksiononte. Duke e parë tani, mbase u gabuan që e larguan, por ka raste që duhet të marrësh një vendim.

A mund të ishte bërë Del Boske "Fergusoni i Realit"?

Po, mund të ishte. Profili i punës së Del Boskes do ia lejonte një gjë të tillë. Por, kurrë nuk do ta marrim dot vesh këtë gjë.

A ka nevojë Reali për një drejtor sportiv, duke qenë se mungon prej disa vitesh ky rol?

Është një pyetje për presidentin, jo për mua. Në mentalitetin që kam unë për ndërtimin e një klubi, është një pozicion i rëndësishëm.

Mendoni se Reali ka nevojë për Pogbanë?

Nuk e di. Ai është një lojtar i madh, por duhet të vendosë stafi teknik nëse përshtatet me sistemin e tyre të lojës. Cilësia nuk është gjithçka.

Zidan përdori Kasemiron si mesfushor qendre dhe funksionoi. Mos ishte një kopje e lojës së Realit me Makelelen?

Është e nevojshme të kesh një futbollist që shkatërron dhe ndërton njëkohësisht. Ndihmon dy reparte me kontributin e tij dhe u lehtëson detyrat shokëve të formacionit. Por, Kasemiro është përdorur edhe nga Rafa Benitezi, ndaj kontributi i tij dihej.

A vuajti Reali largimin e Makeleles?

Ka qenë futbollist shumë i rëndësishëm, por nuk ka vlerë të bëjmë bilancet e tyre. Aktualisht, madrilenët kanë mesfushorë të shkëlqyer si Toni Kros dhe Luka Modriç. Apo edhe Hames Rodrigez që përdoret si "xhol". Tashmë është më e lehtë t'i përshtatësh lojtarët dhe nuk është e domosdoshme që të kesh një futbollist të profilizuar për një pozicion specifik. Futbolli modernizohet çdo ditë e më tepër.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama