Fjala e Franc Bekenbauerit është ligj! Të paktën në këtë përfundim pati dalë ish-trajneri i Bajernit, Pep Guardiola. Legjenda e Bajernit dhe Gjermanisë ka qenë mjaft aktiv me mendimet dhe parashikimet e tij këtë Europian. Eksperti gjerman beson te forca dhe karakteri i kombëtares gjermane. Në komentin e tij për "Bild", Bekenbauer analizon ndeshjen ndaj Sllovakisë ku parashtron idetë e tij.
Myler shënon
Ylli bavarez Tomas Myler ndryshe nga dy Botëroret, 2010 dhe 2014 si dhe "Euro 2012", nuk po shkëlqen. Gjermanisë i mungojnë golat e tij. Ai humbi shumë raste të pastra goli ndaj Irlandës së Veriut, por nuk e ka shijuar ende emocionin e të qenit golashënues. Bekenbauer ka parandjenjë se kjo ndeshje do të jetë e Tomas Mylerit. "Kam një parandjenjë shumë pozitive që ndaj Sllovakisë do shënojë Myleri. Kam besim se ai do çlirohet në këtë finale dhe do bëjë një paraqitje dinjitoze. Loja e tij funksionoi shumë mirë në ndeshjen ndaj Irlandës së Veriut duke dalë i vetëm shumë herë para portës. Nuk pres që Sllovakia të jetë më e fortë sesa britanikët në mbrojtje. Edhe pse ata kanë lojtarë profesionistë dhe me eksperiencë, lojtarët tanë do arrijnë të godasin pikat e dobëta të tyre", analizoi Bekenbauer.
Boateng, "shtylla"
Rikuperimi në kohë i qendërmbrojtësit Zherom Boateng e ka gëzuar së tepërmi kajzerin. "Kisha merak të madh për prezencën e tij në Lilë, por për fat të mirë ai do të jetë. Boateng e ndihmon shumë skuadrën si në lojën defensive dhe në daljen në kundërsulm. Ashtu siç ndërton lojën ai, është e jashtëzakonshme. Nuk kam asnjë dyshim që kualifikohemi dhe Sllovakia do të marrë valixhet", përfundoi Kajzeri.
Mateus parashikon: Gjermania fiton 3-0, do të sfidojë Spanjën
Rekordmeni gjerman Lotar Mateus ka bërë parashikimet e mundshme të finaleve të 1/8-ave. Në analizën e tij për "Bild", ish-kapiteni i Gjermanisë parashikon një çerekfinale Gjermani-Spanjë dhe Francë-Angli. Eksperti gjerman del në përfundim se kampionët e botës do të fitojnë pastër 3-0 kundër Sllovakisë, sot në orën 18:00 në Lilë.
Gjithashtu Franca do fitojë me vështirësi 2-1 përballë Irlandës. Ndërsa për ndeshjet e së hënës, Mateus parashikon fitoren 0-2 të Spanjës kundër Italisë dhe suksesin 2-0 të Anglisë përballë Islandës. Pra, në çerekfinale do të kemi Gjermani-Spanjë dhe Francë-Angli.
Në gjysmëfinale ai beson te kualifikimi i "pancerave", por është i pasigurt në çiftin tjetër, edhe pse organizatorët janë favoritë. Mateus parashikon edhe një fitore 3-1 të Belgjikës ndaj Hungarisë. Ish-trajneri i Bullgarisë pati parashikuar penalltitë te dueli ZvicërPoloni, por gaboi duke dalë në përfundim se "helvetët" fitonin 5-4 në penallti. Në fakt, 4-5 fitoi Polonia.