Një incident për pak sa nuk u kthye në tragjedi për skuadrën e Leiçesterit që ndodhet vetëm tri pikë larg fitimit të titullit kampion në Angli.
Pas fitores së arritur ndaj Suonsit, skuadra e Ranierit u ftua në një ceremoni në Londër për t'iu dorëzuar edhe një çmim për rezultatet e arritura.
Sipas "Daili Mail" futbollisti Demarai Grey për pak sa nuk humbi kokën kur zbriti nga helikopteri.
Ai doli nga krahu i gabuar dhe iu drejtua pjesës së pasme të helikopterit, por ndërhyrja e menjëhershme e personelit që ndodhej në pistë shmangën tragjedinë, pasi ai mund të përplasej me helikën e pasme e cila ishte ende në lëvizje.
Nëse futbollisti do të kishte vazhduar drejtimin që kishte marrë, përplasja me helikën do të kishte qenë fatale për të. Nga ky incident lojtar i 'dhelprave' nuk pësoi lëndime, por vetëm sa u frikësua me atë që i ndodhi.