TIRANË, 3 Nëntor /ATSH- I. Vata/ -Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, zhvilloi sot një inspektim në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë.
Inspektimi kishte për qëllim normat e cilësisë dhe transparencës së shërbimeve të pajisjes me leje drejtimi dhe targa qytetarëve.
Ministri Haxhinasto paraqiti veprimet për riorganizimin e procesit të testimit për leje drejtimi, duke eliminuar mundësitë e ndërhyrjes dhe manipulimit si dhe u ndal edhe në rastet problematike, duke iu bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo lloj shkelje ndaj punonjësve të kësaj drejtorie në platformën online të saj.
"Çështja e shërbimeve nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Transporti dhe Drejtorive Rajonale, është një çështje shumë e rëndësishme dhe ka fokus të plotë nga ana e Ministrisë së Transporti dhe Infrastrukturës, për të ndryshuar rrënjësisht cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Qëllimi i të gjithë këtij stafi është që t'i shërbehet sa më mirë qytetarëve për sa i takon kërkesave të tyre për shërbime të ndryshme, për dhënien ë lejeve të drejtimit, për dhënien e lejeve të drejtimit ndërkombëtare, për kontrollin fizik të automjeteve dhe për të gjithë nevojat e tjera që ato kërkojnë", tha Haxhinasto.
Po ashtu, ministri Haxhinastu theksoi se "Ka filluar një reformë, e cila do të synojë drejt një procesi shumë më transparent dhe shumë më të thjeshtë për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për këto shërbime. Përveç kësaj, do të jetë një proçes i cili do të jetë shumë më i sigurtë për të gjithë ata që duan të marrin lejet e drejtimit të automjetit. E them i sigurtë sepse shpesh herë na janë raportuar parregullsi të caktuara, në disa raste edhe për korrupsion në marrjen e lejeve të drejtimit, gjë që me reformën që jemi duke zhvilluar synojmë të reduktohen deri në maksimum". /a.ke/