Leka Bungo Berisha ka ndryshuar shume. Per keq!

Leka Bungo: Berisha ka ndryshuar shume. Per keq!
Regjisori, publicisti dhe aktori i njohur Leka Bungo është rikthyer në Shqipëri pas dhjetë vjetësh. Rezident në SHBA prej shumë vitesh, ai ndodhet në Fier, për të vënë në skenë dramën satirë të Pëllumb Kullës, "Fol me zë të ulët". Në këtë intervistë për "JAVA" ai tregon jetën e tij përtej Atlantikut, si dhe përshtypjet për Shqipërinë që gjeti, pa harruar periudhën aktive në vitet '90 kur drejtonte Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës dhe kur ishte shef i shtypit në Partinë Demokratike

Zoti Bungo, në një intervistë të disa viteve më parë keni thënë tekstualisht se "nuk kam ndërmend të kthehem. Unë do të vij në Shqipëri një, ose dy dite përpara vdekjes. Dhe jo pse varrimi në Amerikë kushton shtrenjtë, por sepse dua të shkoj në parajsë. Që këtej e kam të vështirë, ndërsa nga Shqipëria e kam të sigurt".

Është e vërtetë. Disa vite më parë, në një intervistë për gazetën “Shqip”, ndërmjet të tjerave thashë se do të kthehesha në Shqipëri dy muaj përpara vdekjes, (Jo dy ditë) që të mund të siguroja një vend në “PARAJSË”, qoftë edhe në këmbë.

Nuk e di sepse, por atëherë më ishte mbushur mendja se në Parajsë ishte më mirë se në Ferr. Mirëpo fjalët e mia u “keqkuptuan”. Shumë njerëz, miq apo të afërm, u tallën ngaqë e dinin se unë nuk isha ndonjë besimtar i thekur. Kështu që, nëpërmjet kësaj interviste më krijuat mundësinë që, edhe pse kanë kaluar shumë vite, të mund të sqaroj “keqkuptimin” e dikurshëm. Me fjalën “PARAJSË”, nuk kam pasur asnjëherë parasysh atë të qiellit, por atë të tokës, “KUVENDIN POPULLOR” të Shqipërisë. Më lejoni një çast të këmbejmë vendet dhe të pyes unë: Cila do të ishte përzgjedhja e juaj në qoftë se do t’u ofronin alternativën: “PARAJSËN” apo “KUVENDIN POPULLOR” ?

Parajsa është e mbushur me lule, me njerëz të mirë; koha është gjithmonë e bukur; atje të gjithë këndojnë këngë popullore; një grup analistësh të përjetshëm kalojnë sa në një studio televizive në një tjetër; emisionet televizive drejtohen nga gazetarë të pavarur, edhe më të pavarur se Blendi Fevziu; atje nuk ka varrezë, sepse njerëzit vetëm lindin; në parajsë asnjeri nuk vjedh, megjithatë zgjedhjet i fiton gjithmonë Partia Demokratike; njerëzve u shkon ndërmend të bëjnë seks; ndërtojnë shtëpi pa lejen e K.RR.T-së e të tjera… Në të kundërt, KUVENDI popullor, nuk ka asgjë nga ato që përmenden më sipër. Atje ka vetëm TENDERA. Jam i bindur se një njeri si ju, në moshë të re, qe nuk është mësuar me sakrifica, do të zgjidhte pa hezitim PARAJSËN, ndërsa unë, përkundrazi, do të preferoja KUVENDIN.
 
Ju jeni sot në Shqipëri, më saktë në Fier, duke vënë në skenë një pjesë të mikut dhe kolegut tuaj Pëllumb Kulla. A mund të na thoni diçka më të detajuar rreth këtij projekti artistik?

Në Shqipëri jam kthyer pas dhjetë vjetësh. Më kishin thënë se janë bërë aq shumë ndryshime saqë nuk do ta njihja. Në të vërtetë, më shumë ndryshime kam pësuar unë se Shqipëria. (Me përjashtim që nuk jam në moshën e INTERNETIT.) I pa njohur për mua, Baftjar Zeqo, Kryetari i Bashkisë së qytetit të Fierit, më ftoi për të vënë në skenë një shfaqe në teatrin e qytetit të tij. Duke jetuar prej vitesh larg, i trembur nga kriza artistike për të cilën isha informuar nga shtypi, nga i njëjti shtyp që kisha mësuar se për nga arritjet në fushën e ekonomisë renditeshim menjëherë pas Gjermanisë, në fillim hezitova… Puna për vënien në skenë të dramës satirë të Pëllumb Kullës, për të mos thënë e veprës më të mirë të krijimtarisë së tij, ka nisur ditë më parë në teatrin profesionist të qytetit të Fierit.

Tre janë gjërat qe do veçoja: Së pari, kam filluar provat në studion e teatrit, në atë studio ku plot dyzetedy vjet më parë u bë mbledhja që vendosi dënimin tim për “Pikëpamje moderniste dhe ndikime borgjezo-revizioniste në fushën e artit dhe të kulturës”. Së dyti, spektakli i kësaj drame është bashkëpunimi im i parë me njërin nga miqtë e mi më të afërt, jo vetëm në jetën artistike. Së treti, në këtë shfaqje do të interpretojnë kolegët, miqtë e mi të ngushtë qysh në bangat e shkollës, kolosi i skenës shqiptare, Robert Ndrenika (Nderi i Kombit) dhe aktori i shquar Viktor Zhusti. Afishja e shfaqjes, zor se do të ketë hapësirë për titullin e veprës. Emrat e artistëve të mësipërm kanë aq shumë tituj sa…

Megjithatë, ajo që më jep sadisfaksion të veçantë është se pjesa më e madhe e trupës së aktorëve profesionistë të teatrit të Fierit, Astrit Hasani, Todi Llupi, Shpëtim Shehu e të tjerë do të “rrinë” në spektakël me dinjitet, përkrah emrave të mësipërm. Nuk më gënjen mendja se do të bëjmë çudira, por shpresoj që publikun nuk do ta zhgënjejmë, përkundrazi do t’i ofrojmë një spektakël me dinjitet profesional. Mbështetja e Bashkisë, veçanërisht e kryetarit të saj, i cili nuk paskësh qenë vetëm kryetar por edhe njeri i mirë, madje kam frikë se edhe më i mirë se ç’duhet, më kanë krijuar besimin se Premiera do të jetë gati ditët e para të muajit të ardhshëm. Dhe më në fund, lidhur me pyetjen e mësipërme, do të shtoja: vite me radhë, pas shumë përpjekjesh, me ftesën që më bëri mua, qyteti i Fierit ia arriti qëllimit që një regjisor amerikan të realizojë një spektakël në skenën e tij.
 
Keni qenë një ndër figurat kryesore të medias në vitet '90, shef i propagandës në Partinë Demokratike, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës dhe kryetar i këshillit drejtues të Televizionit Shqiptar. Duket si një shekull më parë, e megjithatë nuk është shumë larg. Si e kujtoni nga SHBA, ku jetoni prej vitesh, atë periudhë?

Pyetja juaj i drejtohet një periudhe kur isha larguar përkohësisht nga skena. Drejtor artistik i Televizionit Shqiptar… Drejtor i Q.N. të kulturës…  Në qoftë se do të më duhej të veçoja një ngjarje nga ajo periudhë, ngjarje nga ato që nuk mund të shlyhen nga kujtesa dhe ngjajnë me gotën e verës që, pasi ta provosh, nuk është nevoja të pish të gjithë fuçinë për të marrë vesh se si është vera, do të ishte: ...

Në prag të zgjedhjeve bëhej një mbledhje e rëndësishme në të cilën merrnin pjesë disa nga krerët e Partisë Demokratike, eksponentë të propagandës, shtypit të saj dhe drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar (i vetmi në atë kohë). Diskutuan, folën, gënjyen, u zunë, thanë, u zotuan… Dikur e mora edhe unë fjalën: “Bash për këto debate që bëhen në këtë mbledhje kam disa ditë që përpiqem të flas me Doktorin, por nuk kam arritur ta takoj.

Kështu që të gjitha sa kisha ndërmend të diskutoja me të, po ua them juve, i bindur që do t’i shkojnë në vesh brenda një ore, në mos më parë. Sipas meje, shqetësimi kryesor nuk duhet të jetë cilësia e gazetës “Rilindja Demokratike” apo tirazhi i ulët i saj. Preokupacioni ynë duhet të jetë Radio Televizioni Shqiptar. Situata atje është alarmante. Në revistën televizive të mbrëmjes, e cila zgjat një gjysmë ore, përveç Doktorit, ka raste që del edhe ndonjë tjetër. Një zonjë shtëpie që duhet të gatuaj për të nesërmen, kur sheh në ekran doktorin për të shtatën herë thotë me vete: “Prap AI…lëre televizorin grua dhe bëj gjellën” Ndërkohe që duhet të ndodh e kundërta. Kur zonja e shtëpisë të ishte duke gatuar gjellën dhe në ekranin e televizorit të shfaqej për herë të parë AI, ajo të thoshte: “Lere o grua gjellën dhe shiko televizorin se po flet AI…”. Thashë ato që kisha për të thënë dhe u ula.

Një nga udhëheqësit e Partisë Demokratike, që ishte ulur pranë meje, më pickoi tek gjuri dhe më foli nën zë: “E HËNGRE!”. Nuk kaloi më shumë se një javë dhe atij i doli fjala. Ministri i Kulturës, i cili ishte bërë i tillë me propozimin tim, më pushoi nga puna (si drejtor i Q.N.K.-së) për mosrealizimin e detyrave, dy ditë pasi më kishte shpërblyer me një milion e gjysmë lekë për tejkalimin e tyre.
 
Është zakoni që figurat publike të disa viteve më parë, të larguara nga Shqipëria prej kohësh, pyeten rreth mënyrës sesi e shohin dhe përjetojnë atë që ndodh në vendin tonë. Ju si do ta komentonit atë që shihni sot teksa udhëtoni nëpër Shqipëri? Në çfarë situate ndodhet vendi ynë i përbashkët sot?

Pas viteve 90-të, shumë shqiptarë u larguan nga vendi i tyre. Një pjesë emigruan në Europën Perëndimore, ndërsa të tjerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte një IKJE  e madhe. Sipas gjykimit tim, shumica e tyre lanë vendin për një jetë më të mirë. Dhe mirë bënë. Vetëm në New York, në një sipërfaqe prej një kilometri katror, jetojnë edhe sot e kësaj dite katër regjisorë:

Piro Mani, Artist i Popullit, Pëllumb Kulla, Mjeshtër i Madh, Kristaq Dhamo, Artist i Popullit dhe Leka Bungo, Mjeshtër i Madh. Shumë të tjerë, nga fusha të ndryshme të artit, gjallojnë në të katër anët e Europës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përgjatë këtyre viteve, kam lexuar shpesh në SHTYPIN SHQIPTAR për aktorë që kanë “tronditur” Hollivudin, për piktorë që kanë hapur ekspozita në sallat më luksoze të Manhatanit, dyert e të cilave janë thyer nga vizitorët e panumërt, për koncerte të këngëtarëve shqiptarë, biletat e të cilëve shiten një vit më parë, për modelet që kanë pushtuar pasarelat e Amerikës, për darkat, drekat, bisedat, shëtitjet, miqësirat e artistëve të “shquar” shqiptarë me Al Paçinon, Robert De Niron, Julia Roberts etj… Mirëpo, për fat të keq, unë, nuk kam arritur të shoh asnjërin prej tyre, nëpër skena, ekspozita, apo pasarela… Madje, pjesën më të madhe të tyre i kam hasur duke punuar në profesione që nuk janë edhe aq shumë të profilit artistik, por punëtorë pastrimi, roje nate, kameriere, shitëse buke, punëtorë ndërtimi etj…

Artistët shqiptarë, ata që kanë “TRONDITUR” artin botëror, janë shumë të pakët në numër dhe mund të numërohen me gishtat e një dore. Dhe aq mund të ishin. Shumë artistë që kanë emigruar rreth njëzet vjet më parë, të zhgënjyer, të lodhur, të malluar, kanë tentuar të kthehen në vendin e tyre, por e dini ç’ka ndodhur me ta? Sapo kanë zbritur në aeroportin e Rinasit, në vend të tabelës “Mirëserdhët!” kanë lexuar: “vende s’ka”, si dikur nëpër hotele. Kjo do të ishte normale, në qoftë se vendet do të ishin të “ZËNA” nga ata që DUHEJ  t’i zinin. Mirëpo, për fat të keq, që të jesh regjisor, nuk ka të bëjë edhe aq talenti, mjafton të kesh shalë të mira. Këngëtare e famshme nuk mund të bëhesh nga zëri, por nga madhësia e cicave. Që të jesh artist i kërkuar duhet të kesh qenë patjetër në burg apo të jesh marrë pak me drogë...
 
Mjaft nga ish-kolegët tuaj të dikurshëm drejtojnë sot shtetin në nivele të ndryshme. A dëgjoheni me ata kohë pas kohe?

Jo, me ish kolegët e mi, një pjesë e të cilëve sot janë në majat e administratës shtetërore, ministra, drejtorë e të tjera, i kam humbur lidhjet. Dhe kjo është e shpjegueshme. Në qoftë se ata do të ruanin lidhjet me mua, (apo me armiq të tjerë të rrezikshëm si puna ime), sot nuk do të ishin më ministra, drejtorë…
 
Keni qenë në strukturat drejtuese të PD në një moment kur mjaft nga ata që sot janë rikthyer në këtë parti, asokohe trajtoheshin si “armiq”. A e kishit menduar se për shembull, ish-mocionistët, do t’i shihnit sërish një ditë në tryezën qendrore me Berishën?

Për mua nuk ishte i papritur vendimi i Berishës që t’u afrojë karrige ish-armiqve të tij më të ashpër. Doktori është njeri i kënduar. Madje kam përshtypjen se historinë e ka më përzemër se çdo gjë tjetër. Napoloni, sapo erdhi në pushtet, njërën nga karriget më të rëndësishme ia ofroi Fushesë, armikut më të madh të tij. (Nuk më shkon ndërmend që të krahasoj Berishën me Napolonin, dhe as Neritan Cekën me Fushenë.) Sidoqoftë, nga kapitulli i historisë, i atij të “KTHIMIT” të tradhtarëve në “UDHËHEQËS” dolën të fituar të dyja palët. Saliu mbeti në kolltuk, ata u ulën në karrige. Me fjalë të tjera, nisur nga ajo që ndodhi, unë dhe një takëm si puna ime, në qoftë se do të kishim shkruar libra kundër Doktorit, libra që ta bënin leckë me soj e sorollop (edhe më keq se Frrok Çupi), në qoftë se do të luftonim për ta eliminuar si lider duke kandiduar për t’u bërë kryetar të Partisë Demokratike, në qoftë se do të krijonim Parti të re për t’iu kundërvënë asaj të Saliut,(afërsisht si Genc Pollo), në qoftë se do të kishim rrëmbyer armët apo do të hipnim mbi tank në vitin 1997 për ta rrëzuar nga pushteti, (pothuaj si Arben Imami)… sot e kësaj dite do të ishim minimumi MINISTRA. Mirëpo, kur të vijnë mendtë, s’t’i hanë as qentë…
 
Po për Eduard Selamin çfarë mendimi keni? Si ju është dukur vendimi i tij për t’u rikthyer pas kaq vitesh dhe mënyra sesi ky rikthim po konkretizohet?

Vendimi i tij është personal dhe… nuk mendoj se kam të drejtë për ta gjykuar.
 
Është një temë e vjetër debati teza e ndryshimit ose jo të Sali Berishës. Sa ndryshim (ose ngjashmëri) ka mes “Berishës së parë”, presidentit të vendit dhe këtij “Berishës së dytë”, kryeministrit aktual?

Dikur, atëherë kur njerëzit shkulën shtatoren e Enver Hoxhës dhe e tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e Tiranës, unë mendoja se në bazamentin e mbetur bosh duhej të vendosej busti i Sali Berishës. Atëherë Berishën e konsideroja: “Benz Mercedes që sapo kishte dalë nga uzina dhe që kishte një defekt të vockël, ata që e prodhuan kishin “harruar” t’i montonin marshin indietro. Kështu mendoja atëherë. Ndërsa sot jam i mendjes që Saliu, jo vetëm ka ndryshuar, po nuk ngjan aspak me Berishën e viteve 90-të. Sot ai është si një Benz Mercedes që ka vetëm një marsh, atë INDIETRO. Ka ndryshuar shumë. Për keq.
 
Pas vitit 2005 në Partinë Demokratike erdhën një numër figurash të reja në moshë, të panjohur apo gjysmë të panjohur. Si ju janë dukur këto prurje të reja, ju që keni qenë në PD qysh në hapat e saj të parë?

Kam pasur, kam dhe do të kem bindjen se në këtë botë, nuk ka TË VJETËR dhe të RINJ. Në asnjë fushë të jetës. As në shkencë, as në art, as në sport as…Sipas gjykimit tim, bota duhet të ketë frikë më shumë nga të RINJTË e VJETËR. Të VJETRIT e RINJ  janë vlera e saj e përjetshme.
 
Le të kalojmë pak tek profesioni dhe jeta juaj në SHBA. Me çfarë merret aktualisht Leka Bungo?

Si çdo njeri që lufton për të realizuar dëshirat e tij, shumë vite më parë, edhe unë u nisa drejt tokës ku ëndrrat bëhen realitet, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithëse në moshë të madhe realizova dëshirën që më kishte munduar gjithë jetën për t’u bërë ROJE NATE. Krahas punës, të cilës i isha përkushtuar me mish e me shpirt, u mora edhe me krijimtari. Shkrova komedi, drama, tregime, skenarë…

Dhe, meqenëse veprat e mia nuk ishin të nivelit të Artur Milerit, Mark Twenit etj, tentova t’u jap jetë në Atdheun tim të parë, në Shqipëri. Por asnjëra syresh nuk pa dritën e skenës apo të ekranit. Në disa televizione të “krahut” të majtë me konsideronin si njeri i Berishës, ndërsa në televizionet e “krahut” të djathtë më konsideronin si tradhtar të Berishës!!! Pas vdekjes njerëzit bëhen ose me Djallin, ose me Shën Pjetrin.  Kjo është arsyeja që nuk i kam humbur shpresat.
 
Sa e ndiqni atë që ndodh në Shqipëri, në lidhje me artin, kulturën e kinematografinë në veçanti?

Falë teknologjisë moderne, nga New York mund të ndiqen të gjitha programet e Televizioneve Shqiptare, apo të lexohet shtypi i ditës, madje edhe më parë se tek ju në Shqipëri. Sipas gjykimit tim, në përgjithësi, cilësia e transmetimeve është e nivelit të lartë, me përjashtim të  një stacioni televiziv të Burrelit dhe Televizionit Shqiptar. Djem dhe vajza të talentuara, të bukur, veshur shik, me gusto, interpretojnë në ekranet shqiptare me dinjitet profesional, aq sa ua kanë zili shumë ekrane të Europës. “FERKE”  bën Top Channel. Veçanërisht emisioni investigativ “Fiks Fare”. Përveç mendjes dhe humorit të jashtëzakonshëm të Filip Çakulit, dy interpretët e emisionit, Saimiri dhe Doktori (u kërkojë ndjesë që nuk ua di emrat e vërtetë) nuk i përkasin vetëm Top Channel- it, ata janë BRILANTËT e ekranit shqiptar. Mirëpo, humor nuk ka vetëm në Programet humoristike. Madje nganjëherë të tillë do të gjesh edhe më shumë në shtypin e ditës. Në shtypin serioz të ditës. Në gazetat më prestigjioze, shumë herë, në faqet e para do të mësosh se cila këngëtare i ka cicat më të mëdha, kur i ka periodat X këngëtare, kur ka mbetur shtatzënë Y aktore e të tjera, e të tjera...
 
Cili do të ishte mendimi juaj për trajtimin e ish pronarëve?

Të dyja qeveritë që kanë sunduar përgjatë njëzet viteve në Shqipëri, si ajo e Partisë Socialiste, ashtu edhe ajo e Partisë Demokratike, janë kujdesur me përkushtim të hartojnë ligje të tillë që pronarët të mos arrijnë t’i marrin kurrë pronat e tyre. Sipas gjykimit tim ata do të vdesin ISH PRONARË. Dikur, vite më parë, kam parë një kronikë të Televizionit Shtetëror Shqiptar. Anëtarët e byrosë politike kishin shkuar që të uronin për ditëlindje Enver Hoxhën. Meqenëse ishte ditë dimri dhe këpucët i kishin me baltë, u ndalën te pragu i portës nga frika se mos bënin pis qilimin Persian që mbulonte dyshemenë e dhomës.

Enver Hoxha qeshi dhe u tha: Keni merak se mos bëni me baltë qilimin?! Shkelni pa frikë, i Shefqet Verlacit ka qenë, i atij maskarait! (Verlaci, ai maskarai, e kish blerë dhe e kishte mbajtur gjithsej një vit, ndërkohë që i gjori Enver ia kishte grabitur dhe shkelte mbi të që prej 40 vjetësh). Megjithatë, në historinë e TRAJTIMIT të pronarëve, të dyja qeveritë kanë një meritë të pamohueshme. Ato ngritën në Shqipëri FABRIKËN më të veçantë në botë, FABRIKËN që as një shtet nuk arriti ta ngrinte dot: FABRIKËN E PRODHIMIT TË  PRONARËVE TË RINJ. Ata që deri dje nuk kishin brekë në bythë, me t’u zgjedhur deputetë, sapo emërohen ministra apo drejtorë të mëdhenj, automatikisht shndërrohen në PRONARË. Cili është ai që thotë se përgjatë njëzetë vjetëve nuk janë bërë investime në Shqipëri!
 
Përveç pjesës së Pëllumb Kullës, cilat janë planet profesionale që keni për të ardhmen?

Nuk kam asnjë plan.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama