Leka Zogu Shqiperia eshte ne rrezik

Leka Zogu: 'Shqiperia eshte ne rrezik'
“As edhe një peshqesh të thjeshtë, nuk u jap grekëve”. Pastaj, një buzëqeshje i vizatohet në të gjithë fytyrën, kur kupton se parabola që ka bërë me frazën e famshme të Lakoontit tek Virgjili, është kuptuar si duhet. Monarku shqiptar, Leka Zogu, në të gjithë dukjen e tij ka një gjuhë të veçantë të pafolur, e cila shkon më së shumti për t’u krijuar komfort njerëzve përballë. Dhe, vërtetë, duhet ta kenë pasur të gjithë këtë impresion të parë me të. Ai, vetë, instinktivisht, për ata që i takon për herë të parë mundohet të mos i vendosë në siklet dhe flet ngadalë. Vetëm se, edhe për disa minuta “sikleti” mbetet pezull në ajër.

E vërteta dihet: Monarku shqiptar ka ardhur në Shqipëri shumë vite më parë, ftuar nga Parlamenti shqiptar, por pas një fushate të madhe denigrimi. Ai, vetë, me kujdes në intervista u është shmangur provokimeve, nuk ka ofenduar dhe gjithmonë ka pritur...Në fakt, ajo që ka mbetur nga kundërshtarët e tij, ka pasur të bëjë me gjëra që lidheshin me rininë e tij të hershme, hobetë e tij për armët luftarake dhe fizikun. Ai thjesht ka pritur dhe nuk i ka kushtuar shumë vëmendje. Ia ka lënë kohës që t’i kurojë të gjitha. Aktualisht, është duke u përpjekur për kthimin e pronave dhe për të ruajtur pozicionin e tij, të baraslarguar nga palët, duke mëtuar gjithnjë dialogun. Në të vetmen përpjekje që bëri personalisht vite më parë, Monarkia arriti kuota të larta në Referendum. “Dhe, fituam”, -thotë . Historia ka mbetur tashmë pas. E ardhmja përpara.

Në këtë ditë të vrenjtur tetori 2010, e gjejmë njësoj duke pritur në një poltron të madh, rrethuar me dy qentë e tij dhe me një qetësi skajore. Ka një grip jo të lehtë, por megjithatë i është bindur fjalës, që na ka dhënë për intervistën. Kortezinë e tregon me një vështrim të ngrohtë dhe me dy duar elegante, që të tregojnë vendin përballë. I kemi kërkuar, përmes njërit prej eksponentëve të shquar të Legalistëve, Z.Murat Basha, që ta pyesim për gjithçka. Përgjigja e monarkut ka qenë pozitive dhe ndaj ne mundohemi ta pyesim për shumë gjëra, por koha në dispozicion është e pamjaftueshme dhe ai vetë jo shumë në formë, ndoshta mbetur nga një operacion i rëndë në këmbë vite të shkuara. Për të gjitha përgjigjet qetë, qëndron dhe flet modest dhe gjithnjë respekton të atin e tij, mbretin e dikurshëm të shqiptarëve, Ahmet Zogu I. Është i ndërgjegjshëm për vështirësitë dhe gabimet e shqiptarëve, por në kokë ka vizion tjetër për Shqipërinë. “Shqipëria etnike” është term i kaluar, thotë ndërsa mëton për një lloj Commonwealth-i të shqiptarëve...

Ju falënderojmë për kohën që keni gjetur në lidhje me pyetjet tona. Shqipëria është duke pasur zhvillime të mëdha në aspektin ndërkombëtar, por ndërkohë në vend mbizotëron një konfuzion prej luftës së dy kaheve kryesore politike. Si e shikon Lartmadhëria e tij këtë situatë dhe cila mendoni se do të ishte receta për të dalë nga kjo situatë?

“Unë, personalisht, e shikoj këtë situatë si të rrezikshme për Shqipërinë. E shikoj të atillë sepse për derisa ne, nuk arrijmë t’ia dalim vetë mbanë kësaj situate atëherë do ta kemi shumë e shumë të vështirë, për të qenë në gjirin e Bashkimit Evropian. Por, të jemi të ndërgjegjshëm situata është e krijuar dhe ndaj na duhet tash të gjejmë një përgjigje. Dhe, ajo përgjigje, për mendimin tim, vjen thjesht nga dialogu. Vetëkuptohet ka vërtetë probleme të korrupsionit dhe të varfërisë dhe të tjera, që të gjitha bashkë përbëjnë ato që përmbajnë akuzat e ashpra për njëri-tjetrin (që për mua personalisht s’janë të hijshme), por i mbetem mendimit se dialogu është i domosdoshëm”.

A mendoni se rrjedha e ngjarjeve politike dhe vetë zhvillimi i vendit në dekadën e fundit, e ka nxjerrë disi në periferi idenë monarkiste në Shqipëri?

“Ideja e monarkisë është një e vërtetë e ditur dhe e provuar, sepse fundi i fundit mbretëria shqiptare ka ekzistuar edhe pse për një kohë të shkurtër. E megjithatë, edhe sot e kësaj dite, ka mjaft ndër shqiptarët që e respektojnë këtë formë qeverisje. Më duket se ka referenca të mira për monarkinë dhe këtë e ndjej nga lidhjet, nga kontaktet direkt me njerëzit, të themi është disi më pak te rinia e sotme, por jemi të ndërgjegjshëm se ka një rrënjë të mendimit monarkist ndër shqiptarë”.

A e mendoni në këtë kuadër, si një shans të humbur unikal dhe historik, referendumin e vitit 1997 për formën e regjimit në vend, ku fitoi Republika dhe ku ju kontestuat ashpër rezultatin?

“Bota mbarë e di se unë atë kohë e kam fituar Referendumin. E megjithatë, nuk u përgjigja ashpër edhe pse gjithçka duhet që të kini parasysh duhet marrë në kontekstin e duhur kohor. Tu kthehemi ngjarjeve të atyre kohëve: atë mëngjes, ministri i brendshëm, që na kishte dhënë leje për tubimin në sheshin e Skënderbeut, ishte larguar. S’kishte njeri dhe na ra neve vetë përgjegjësia për të bërë diçka. Atëherë i thashë vetes: Duhet të shkojmë në shesh. Dhe, shkuam. Mendimi s’ishte kurrsesi të themi për njëfarësoj reagimi të ashpër, si është thënë deri më tani, por ka qenë një demonstratë paqësore. Ashpërsia erdhi nga pala tjetër që veproi mbi njerëzit tanë, kur këta sapo shpërndaheshin”.

Në atë kohë ka bërë përshtypje uniforma juaj ushtarake. Kishte ndonjë domethënie kjo?

“Po. E kishte një kuptim të thjeshtë: Që edhe ne dimë të flasim...”.

Çfarë rrjedhe do të kishte Shqipëria, nëse do të njihej fitorja e Monarkisë atëherë? I kishit planifikuar hapat nga ku do të ngrihej forma e re e regjimit?

“Kisha planifikuar me kujdes ato momente nga ku do të kishte një shtytje përpara të avenirit të popullit shqiptar. Por, nuk qëlloi t’ia dilnim mbanë. Atëherë, pse duhet të vazhdojmë të flasim për gjërat që s’ia dolëm dot ashtu si duhej”.

Çfarë do të kishte ndryshe kjo lëvizje nga ajo që bëri babai juaj, Mbreti Zog?

“Fillimisht do të ngrija xhandarmërinë, e cila si subjekt nuk ekziston sot. Do të bëja pak a shumë këto që ka bërë edhe Shkëlqesia e tij Zoti Sali Berisha. Por, do të bëja dhe shumë gjëra të tjera. Diçka më tepër do t’i kushtoja bujqësisë kombëtare. Dhe, po ashtu do t’i kushtohesha shumë edhe mjedisit, sepse jam i trishtuar me ato që i ndodhin mjedisit këtu. Më duket sikur janë sharruar të gjitha pyjet. Këto ishin disa gjëra...”.

Po dënimin me vdekje?

“Unë do ta ktheja dënimin me vdekje, për një farë kohe. Ndërsa, sa për këtë kohë, nuk besoj se do ishte e nevojshme. Krimi, për mendimin tim, ka rënë dhe ato gjëra të cilat ndodhnin në vitin 1997 dhe 1998 nuk po bëhen më. Atëherë them se ka ardhur koha për të mos e përdorur më”.

Prej një dekade, Juve jeni aktiv në jetën publike, duke u bërë një nga figurat qendrore të saj. Si do ta përkufizonit në mënyrë sintetike këtë jetë të re që zgjodhët, pas shumë e shumë vitesh në mërgim? Si e ka përjetuar lartmadhëria e tij Leka i Parë rezidencën dhjetëvjeçare në Shqipëri?

“Qëndrimi im ka qenë një gjë e përcaktuar: për të mbajtur një ekuilibër mbi palët dhe e gjitha kjo me qenë në një vend të baraslarguar nga ku mund të komunikohet me të gjithë. Kështu që, kemi pasur mundësi të komunikojmë dhe kanë ardhur nga të gjithë palët dhe kemi folur”.

Si ndjeheni kur gjendeni përpara kundërshtarëve të monarkisë. Çfarë keni folur apo ndërruar me ta?

“Një njeri, i cili punon, kuptohet se do të ketë shumë kundërshtarë por dhe do të ketë miq. Për mua, s’është hera e parë që jam ballafaquar me kundërshtarë. Por, gjithsesi, mjafton një kortezi dhe gjithçka kalon”.

Ka pasur shumë debate në media lidhur me procesin e kthimit të pronave, ndaj familjes tuaj? Si do t’u përgjigjeni atyre që mendojnë se ato iu janë rikthyer në disa raste, duke anashkaluar procedurat ligjore në fuqi?

“Dhe, të themi se problemet vazhdojnë ende! Por, nga ana jonë, as edhe njëherë të vetme nuk i është bërë anashkalim ligjit shqiptar. Me pak fjalë, jemi duke pritur që të na kthehen pronat. Deri më tani, kemi këtë pallatin këtu ku jemi dhe pronën në Durrës. Është në proces, Vila e Shkodrës që na ka marrë deri më tani dy vjet e ca përpjekje dhe nuk e di ku do të shkojë më akoma”.

Këto Ju kanë lodhur?

“Janë shumë gjëra të tjera që më kanë lodhur...”.

Cilat janë?

“Është dhembja e madhe për popullin shqiptar. Nga ekonomia, nga papunësia, nga nevoja për të gjetur një rrugëdalje për jetesë”.

Edhe njëherë për situatën pasi Shqipëria përjeton sot një krizë të thellë politike. Si e përjeton Leka i Parë këtë debat të ndezur mes palëve? Përse nuk ecën siç duhet ky vend, edhe 20 vjet pas rrëzimit të komunizmit?

“Për mendimin tim, kjo ka ndodhur sepse akoma shqiptarët nuk e njohin demokracinë ashtu si duhet. Akoma janë duke përdorur mjete mendore të kohës së komunizmit dhe kjo vetëkuptohet se shkakton këtë problem. Vazhdojnë gjërat të trajtohen thjesht, sikur janë klani i atij apo i këtij tjetrit. Por, ngadalë dhe ngadalë dhe kjo do të kalojë”.

Ja u keni vënë në dukje zyrtarëve shqiptarë?

“Kemi pasur biseda të këndshme dhe kemi shkëmbyer mendime të ndryshme me Kryetarin e shtetit shqiptar, Kryeministrin, Kryetaren e Kuvendit, politikanë por s’është vendi im për të dalë jashtë disa kornizave të caktuara”.

Është folur shumë por ende nuk ka hapa për ardhjen e eshtrave të Mbretit në Shqipëri. Çfarë përfaqëson për ju kthimi në atdhe i eshtrave të atit tuaj, Ahmet Zogut?

“Komisioni është kryer. Kryetar është Lulëzim Basha. Edhe Princ Leka është pjesë e këtij komisioni, ashtu si edhe në të janë disa përfaqësues të Ministrisë së Kulturës. Është paraparë si kohë që kjo do të bëhet më 2012-ën, një kohë që përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë. I gjithë procesi do të vendoset në veprim në këtë vit kremtues. Është menduar që të jetë në vendin, ku dikur ka qenë Nëna Mbretneshë, Sadije Toptani”.

Si do të jetë?

“Është Ministria e Kulturës, e cila do të vendosë për formën. Por, ne besojmë se memoriali, kushtuar Tij, do të jetë pak a shumë si Ai, që ka qenë i ideuar dikur i Nënës Mbretneshë dhe madje në të njëjtin vend”.

Mendoni se zhvillimet ndërkombëtare në të ardhmen do të sjellin në tryezë idenë e Shqipërisë Etnike?

“Ka shumë mënyra interpretimi. Po ashtu, shumë njerëz e shikojnë këtë mundësi. Unë, vetë, e shikoj që tashti që ka filluar tregu ekonomik të lidhë Shqipërinë me Kosovën dhe me shqiptarët e Maqedonisë dhe me vendet e tjera fqinje, diçka ndryshe. Para së gjithash, besoj se fjala Shqipëri Etnike është fjala e tejkaluar, sepse Kosova është shtet në vete dhe Shqipëria po ashtu shtet në vetvete. Ato në një farë mënyre mund të lidhen në një si lloj Commonëealth...te shteteve shqiptare”

Pse nuk e keni artikuluar dhe më parë këtë lloj organizim britanik?

“Për arsyen e thjeshtë sepse s’është mendim im. Por, më parë, këtë e ka thënë Arbër Xhaferri, ndërsa më duket se kanë filluar dhe të tjerë të mendojnë në atë formë”.

Nëse do të rivendosej regjimi monarkist nga mendoni se do të ishte më mirë të fillohej për drejtimin e Shqipërisë?

“Në dritën e kohës që jetojmë është një ndryshim i madh. Por, për t’u shprehur më duhet të kem tagrin që të kem të drejtën e një fjale për të thënë, se përndryshe do konsiderohem si fytyrë e vjetër apo thjesht si kryeplak. Më duket se është një pyetje, që është ende shumë herët për të ma bërë”.

A ka nevojë, sipas jush, që të rishikohet historia e Shqipërisë? A ka ende familja mbretërore rezerva për historinë zyrtare që qarkullon në Shqipëri dhe për ato që janë thënë për familjen mbretërore?

“Nuk e ndjek shumë televizorin. Por, Ju po më thoni rezerva? Kur disa njerëz dëshirojnë të shajnë, atëherë për mua le të vazhdojnë të shajnë. Unë s’kam as dëshirën dhe as përpjekjen që t’i njoh. Vetëm se kur shpifin, atëherë unë kam të drejtën t’i çoj në gjyq ashtu siç kam bërë disa kohë më parë me “Gazetën Shqiptare”. Fundi i fundit, dua që shtypi të jetë i lirë, por ne s’kemi arritur në këtë pikë, edhe pse jemi në rrugë e sipër...

Sa i përket historianëve, dua të them se kur njeriu nuk sheh apo nuk do të shohë, për mua ai konsiderohet si një njeri që nuk ka ndonjë interes të zhvillojë vendin, por thjesht një njeri që ka mbetur në një terr dhe aty dëshiron që të mbesë tërë jetën”.

Është një personazh që përshkruhet në letërsinë shqiptare dhe që ia ka dalë të jetë deri në rangjet më të larta në Oborr. Para disa kohësh ka dhënë një intervistë të gjatë. Si është historia e tij e vërtetë? Është shumë fikshën?

“Ai është personazh i vërtetë. Isuf Mullaj, për të cilin po flasim, ishte një Legalist i vendosur në Belgjikë. Njëherë e kanë bërë edhe sekretar dege. Unë jam takuar me të dy-tre herë ndërsa babai vetëm njëherë me të. Qysh, apo si ka dalë nga Brukseli- nuk e di sepse aktiviteti në atë kohë ishte më i pakët. Tani doni të më pyesni që ka vepruar si spiun i mirë apo jo?! Për mua të them të drejtën, gjërat që ka thënë janë diçka fare fallco. Jo pak, por tërësisht fals. Megjithatë, sido që të jetë, le të vazhdojë të flasë”.

Është e vërtetë që përfaqësues grekë i kanë kërkuar në mërgim babait tuaj një shkëmbim favoresh që përkundrejt ndihmës për tu rikthyer në pushtet, Mbreti Zog tu linte pjesën e Vorio-Epirit dhe që babai juaj u ka thënë: Më mirë Enver Hoxha sesa Ju!

“Është krejtësisht e vërtetë. Unë kam qenë atje vetë si fëmijë. Por, më kishin ulur në një cep të dhomës, ndërsa ai vetë më tha më parë: Dëgjo, mëso por mos fol. Kuptohet ashtu ndenja, derisa mbaruan bisedat dhe atje e dëgjova dhe këtë”.

Si e perceptonte mbreti, Enver Hoxhën . A është e vërtetë që e ka ndihmuar?

“Jo tamam. Ai kishte një bursë të Nënës Mbretëreshë, ashtu si shumë djem të tjerë shqiptarë, që të ndiqte shkollën në Universitetin e Grenoble. Ai ndenji atje nja dy muaj. U largua dhe më në fund u punësua në Konsullatën shqiptare në Bruksel. Atje ngacmoi dhe kasën dhe ndaj e kthyen në Shqipëri!”

A është e vërtetë që Mehmet Shehu i ka kërkuar ndihmë me shqiptarët e tjerë të internuar në Francë, pas Luftës së Spanjës?

“Nuk e kam dëgjuar një gjë të tillë. Por mundet. S’di detaje më shumë për të”.

Pak kohë më parë Qeveria shqiptare bëri një marrëveshje detare me qeverinë e Greqisë, e cila u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Si do i gjykoni këto gabime, thjesht teknike apo me një prapamendim të caktuar nga qeveria jonë?

“Gjykata Kushtetuese është të themi tek e fundit organi më i lartë i një vendi. Duhet me e pranu pa asnjë mëdyshje verdiktin e saj. Dhe, sidomos për një gjë të tillë. Por, unë vetë s’do t’i jepja as edhe një peshqesh të thjeshtë Greqisë”.

Shqiptarët shumë shpejt mendohet se do të lëvizin pa viza në vendet e hapësirës SHENGEN. Në prillin e vitit të ardhshëm, lidhur në këtë kuadër, mendohet regjistrimi i popullsisë ku do të kërkohet dhe indikacioni i etnisë. Mendoni se kjo mund ta cenojë përbërjen strukturën demografike të shqiptarëve?
“E shikoj shumë të rrezikshëm sepse p.sh. minoriteti grek ka qenë por edhe është një minoritet që mundet të bashkëpunohet. Megjithatë, në një të ardhshme në një mënyrë apo në tjetër edhe duhen marrë masa. Çfarë masa? Ja të themi, për shqiptarët, që banojnë në Greqi, duhet që të kenë dy dokumente: kartën e identitetit në Greqi dhe atë në Shqipëri dhe kjo mund të jetë një nga masat?”


Mbreti Zog në vitet ‘30, për shkak të disa veprimeve, mbylli të gjithë shkollat e huaja dhe kërkoi një lloj reciprociteti me vendet e huaja...
“Unë e gjykoj si një mendim të mirë që të dërgonte për të bërë një marrëveshje reciproke. Po Shqipëria pse nuk është kaq reciproke sot? Më duket se Atëherë po shkojmë në thelbin e një problemi që s’jam gati që t’ju përgjigjem”.

Të largohemi disi. A është e vërtetë se keni luftuar në Vietnam?

“Po. Kam qenë në Vietnam me trupat e quajtura “Vietnam Raingers”. Ishte një mision ku isha caktuar si vëzhgues por thjesht për disa kohë tek të ashtuquajturat “Bajonetat”, trupat speciale amerikane në Front. Gjithësisht vetëm gjashtë javë. Kam qenë i përqendruar në dy fronte. Njëherë në veri dhe pastaj në jug vendit”.

Si do të përfaqësoheni në zgjedhjet e ardhshme dhe a keni menduar për ndonjë platformë të veçantë?

“Momentalisht është formacioni politik, Partia e Legalitetit, që duhet të vendosë dhe u takon atyre që të flasin. Unë jam shqiptar dhe në përpjekjen e tyre monarkiste, do jem gjithnjë pranë tyre...”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama