Pikturat e tij duken naive në dukje. Ai i largohet portretizimit klasik të njerëzve, duke i deformuar qëllimshëm. Është mënyra e tij për të ironizuar karaktere e fenomene. “Mbikalim” quhet ekspozita që mban punë të dhjetë viteve të fundit, e çelur në galerinë “Zeta”, që do të qëndrojë e hapur deri më 22 dhjetor. Kurator, dramaturgu Stefan Çapaliku. Një mbikalim Europe me shumë lëvizje, sheshi “Skënderbej” i mbushur me njerëz që mbajnë kravata të gjata, e një të tillë e mban edhe monumenti i Skënderbeut, situatë në autobus apo në studion e Picassos. Lekë Tasi vjen përmes një alegorie të hollë, ku shprehja estetike është kultivuar nga një jetë e gjatë.
Ekspozitës i keni dhënë titullin e një pikture tuajën, “Mbikalimi”. Ka një simbolikë pirjet asaj që shihet?
Kjo ishte një ide e Stefan Çapalikut dhe unë e pranova. Këtë pikturë e kam realizuar mbi përshtypjen shumë goditëse që pata nga Europa kur dola për herë të parë. Më ka mahnitur. Ka një anë të mirë dhe një të keqe. Është përplasja e lëvizjeve, e fateve, ku njeriu bëhet i parëndësishëm në krahasim me ambientin. Më ngjan me procesin nëpër të cilin kalon qytetërimi, shumë gjëra mbesin prapa e të tjera dalin. E gjithë kjo lëvizje e madhe të jep kënaqësi estetike, deri në momentin kur nuk bëhet e bezdisshme.
Në pikturat e tuaja ka një prirje të trajtimit të karaktereve drejt pikturës. Është mënyra juaj për të ironizuar e mbajtur qëndrim?
Po t’i referohesh artit të shek XX do shohësh plot shembuj të tillë deformimesh, të cilat disa mund t’i quash edhe karikatura, por kjo nuk besoj se është rasti i pikturave të mia. Në këtë rast vepron edhe dëshira për të interpretuar, për të theksuar diçka dhe për të nënvlerësuar diçka tjetër. Ndonjëherë mund të duken edhe fëmijërore, por është një situatë groteske, të cilën unë e ndërtoj të tillë.
Cilat janë fenomenet që ju shqetësojnë?
Individualizimi. Ka një rrafshim për njerëzit dhe konsideratat ndaj tyre, nuk bie më në sy individualiteti dhe origjinaliteti. Kjo sepse interesat kërkojnë numra, kërkojnë ithtarë, pa e lënë origjinalitetin të hyjë në zonën ndikuese.
Ndodh edhe në art?
Më duket se po.
Nga se vjen?
Dikush është i gatshëm të shërbejë për një ide, dikush tjetër nuk është i gatshëm. Merita e njërit dhe e tjetrit vlerësohet në bazë të këtij shërbimi deri diku militant.
Ju mbani vite të gjata mbi shpatulla. Keni përjetuar diktaturën, internimin dhe këto 20 vite në liri. Sa ka ndryshuar njeriu shqiptar?
Një qytetar ka të drejta dhe duhet t’i kërkojë ato. Kjo përmbi të gjitha ka rëndësi për mua. Veçanërisht të drejtat e mendimit dhe shprehjes. Nuk mund të themi që sot nuk e kemi këtë të drejtë, por nuk ka ndikim. Për këtë duhet solidariteti i gjithë intelektualëve. Unë e quaj këtë pasojë e të thënit të të vërtetës. E vërteta të bën të lirë në kuptimin moral, sidomos në një vend si Shqipëria që ka qenë me ngërç historik.
Sa ka ndikuar jeta që ke bërë, privimet që ke pasur në përjetimet e tua dhe pastaj në shprehjet në pikturë?
Piktura ime ka qenë krejt e pavarur nga këto përvoja negative. Kur pikturoj, nuk filtroj vështirësitë e jetës. Kjo është një avantazh, sepse nuk ndikon te cilësia. Unë mund të luftoj, të vuaj, të grindem me të tjerët, por kur arrij te piktura jam krejt i lirë nga këto.
Megjithatë, piktura juaj ka aktualitet…
Në pikturë nuk bëj stërhollime nga aktualiteti politiko-moral, por vetëm nga aktualiteti fizik. Mbresat filtrojnë temperamente, karaktere njerëzish ose kujtime nga e kaluara, por nuk mendoj se kam disa konkluzione morale në pikturë, kam vetëm mbresa që i trajtoj.
Por është denoncuese?
Po, ka një lloj diskreditimi. Njeriu e ka zonën e shëmtisë të zhvilluar, nuk janë engjëj njerëzit.
Ju reflektoni gjithnjë një lloj pozitivizmi. E keni pasur këtë edhe kur ju internuan në Grabjan në Lushnjës?
Po, kam qenë gjithmonë optimist. Besimi dhe mendimi që provat janë për njeriun më kanë bërë të tillë.
Si e shihni Shqipërinë e ditëve të sotme?
Një fushëbetejë idesh, interesash, rrymash, por shpresoj të dalë për mirë. Populli shqiptar lodhet shpejt nga përrallat, por nga ana tjetër është edhe konformist. Duhet që disa të njerëz të zgjedhur të kenë cilësinë shprehëse dhe cilësinë e veprimit që ta nxjerrin nga konformizmi dhe ta çojnë te dinjiteti.
Si duhet të ishte?
Duhet të ishte më e hapur ndaj ideve të vërteta. Kjo rrymë nacionaliste që e hapën këta të rinjtë sikur na kthen krejt mbrapa. E shoh të rrezikshme këtë ide. Nacionalizmi na çon në probleme. Duhet t’u përshtatemi normave europiane dhe me punë serioze të arrijmë në ato të drejta për të gjithë arealin shqiptar.
Ju keni shkruar në vitin 2009 edhe një libër me përjetimet tuaja. vazhdoni ende?
Po, vazhdoj të shkruaj, por po sprovohem në një ese mbi historinë tonë të vonshme, në këto 100 vjet për çështje të veçanta dhe për figura historike me aq sa unë i njoh. Po mundohem që çdo gjë që them të jetë e vërtetuar publikisht. Nga ana tjetër kam edhe ditarin mbi udhëtimet dhe njerëzit që takoj. Nuk di sa kohë do kem. Kam bërë gabimin që nuk e kam marrë kompjuterin më herët, i kam në copa letre.
Kush është?
Lekë Tasi u lind më 1929 në Athinë. I ati, Koço Tasi, ish-anëtar i Parlamentit dhe i qeverisë, kishte emigruar në fund të l924-s si opozitar i Zogut. Riatdhesohet më 1941. Leka, studion muzikë dhe në periudhën l946-l967; punësohet si violençelist në Radio, Filarmoni dhe më vonë në Teatrin e Operës. Në l975 internohet familjarisht në Grabjan të Lushnjës, ku kalon 15 vjet. Fryt i kësaj periudhe të vështirë është libri i tij me titull “Grabjani rrëzë kodrave”, botuar në 2009. Emërohet inspektor në Sekretariatin e Fesë më l99l, ku shërben deri në l998. Pas vitit 1998 jeton si artist i lirë: pikturë dhe letërsi. Merr pjesë në disa ekspozita pikture dhe shkruan artikuj në shtyp, duke u përqendruar më shumë në korrigjimin e shtrembërimeve të periudhës komuniste në historiografi. Ka botuar gjithashtu romanin “Korridori me vetratë” më 2004.