Leke te reja vs. leke te vjetra (Foto)

Leke te reja vs. leke te vjetra (Foto)
Lekë të reja apo lek të vjetra? Nuk ka “lekë të reja” apo “lekë të vjetra”, ka vetëm “lekë” me një parashtesë që tregon vlerën e monedhës apo kartëmonedhës që kemi në dorë, prapashtesat ia kemi vendosur ne duke na bërë të kuptohemi me vështirësi edhe kur flasim shqip. 100 lekë (po flasim për monedhën që ka të stampuar Mbretëreshën Teuta) e barazvlefshme me 0.8 euro apo mesatarisht me 1 dollar, janë 100 lekë dhe kurrsesi 1 mijë lekë.

Në fakt, kjo dilemë na shoqëron që prej 46 vjetësh, periudhë në të cilin Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi të rivlerësoje monedhën kombëtare duke hedhur në treg monedha të reja në raportin 10 me 1. Pra, të gjitha prerjet që ishin 100 lekëshe do të zëvendësoheshin me ato 10 lekëshe, monedha 500 lekëshe me të tjera 50 lekëshe e kështu me radhë. E megjithatë, pavarësisht se kanë kaluar 46 vjet nga ai vendim, shqiptarët vijojnë t’i thërrasin 10 lekëshit 100 lekësh dhe 1 000 lekëshit 10 000 lekësh.

Një bukë kushton mesatarisht 90 lekë por mund të kushtojë edhe 900 lekë! I gjithë dallimi është tek shifra që shprehim, në të dyja rastet shitësi dhe blerësi kuptohen me njëri-tjetrin, problemi lind tek turistët që vizitojnë Shqipërinë dhe më shumë tek të folurit në publik, ku shumëkush, zgjedh dhënien e shifrave kryesisht në euro apo në dollar për t’i shpëtuar këtij “kurthi”.

Por cilat janë shkaqet e këtij fenomeni? Koleksionistët shpjegojnë se një problem i tillë u trashëgua sepse pavarësisht ndryshimit që u bë, institucionet shtetërore vijuan t’iu emërtonin monedhat dhe kartëmonedhat me vlerën e vjetër duke shkaktuar konfuzion në popull. Por ka edhe një shkak tjetër, i cili më shumë është psikologjik sipas tyre. Thuash 1 000 lekë të bën të ndjehesh dikur ke më shuma para se sa kur thua 100 lekë, sipas tyre.

Sa gjasa ka që kjo anomali të rregullohet dhe të gjithë të kuptojnë të njëjtën vlerë? Gjithandej vërehet një sensibilizim në lidhje me këtë fakt. Restorantet, lokalet, njësitë tregtare apo të shërbimeve i pasqyrojnë çmimet e tyre në formën e rregullt. Pra, nëse një palë këpucë kushtojnë 50 dollarë, çmimi në etiketë është 5 000 lekë, por nga blerësit në pjesën më të madhe të rasteve lexohet si 50 mijë lekë!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama