Ermir Lenjani pritet të zbresë në fushë ndaj "gjelave" si i vetmi futbollist që luan në kampionatin francez. Në një konferencë për mediat pasditen e së hënës mesfushori tha se e njeh shumë mirë Francën dhe se do të japë maksimumin e tij nëse De Biazi i beson aktivizimin.
Lenjani paralajmëroi Francën duke i kujtuar miqësoren e luajtur në "Elbasan Arena" dhe u shpreh optimist për një rezultat pozitiv.
"Gjithmonë kam pozicionin që të ndihmoj mbrojtjen, por edhe të shtyj përpara. Do ta shohim cila do të jetë detyra ime, por fillimisht duhet të përqendrohemi te faza difensive.
Gjithsesi nëse do të kemi shansin të dalim përpara, unë do të sulmoj. Por, më parë duhet të shohim si do ta përgatisim ndeshjen, për të vlerësuar si do të luajmë. Franca e vështirë? E njohim shumë mirë Francën.
Mendoj se po të luajmë me vetëbesim, të paraqitemi si grup dhe si gjithmonë të vrapojmë dhe të luftojmë për njëri-tjetrin, ashtu si në miqësoret ndaj gjelave, jam i sigurt se do të fitojmë ose do të marrim një rezultat shumë të mirë",-tha Lenjani.
Mesfushori preferoi të mos fliste për emra konkret në gabimet ndaj Zvicrës. Ai shtoi se ekipi dha maksimumin në atë sfidë dhe tani duhet të jetë i përqëndruar vetëm në dy ndeshjet e radhës.
"Nuk kemi më kohë të mendojmë për atë që ndodhi me Zvicrën. Tashmë kemi dy ndeshje përpara, të mërkurën me Francën dhe më pas me Rumaninë. Duhet të japim maksimumin. Goli i pësuar, mungesë përqendrim? Nuk mund ta themi këtë. Jemi paraqitur mirë në pjesën e dytë të ndeshjes, por kështu ndodh në futboll",-tha ai sipas "Supersport".