Leonard Bombaj Adoleshentet urbane ne muzikal

Leonard Bombaj: Adoleshentët urbanë, në muzikal
Një legjendë muzikore zbret nga qielli në skenë. Ai ka në dorë një klikër magjik dhe bën: Stop, Play, Pause, gjithë shoun. Një grup adoleshentësh bëjnë art në një tarracë në Tiranë. Disa vajza formojnë grupin “Bitterswets”, por nuk kanë poet, kompozitor. Disa djem vetëquhen heronj, bëjnë hip-hop, me sjellje Kung-Fu. Ata grinden me botën, por edhe me veten. Legjenda udhëheq aventurën e tyre të çuditshme, në një tarracë të çuditshme, drejt një fundi ku spektatorët do të ndihen të çuditshëm. Është një shfaqje e cila do të vijë me muzikë të Klodian Qafoku, koreografi të Llaqi Nako, skenografia nga Erald Bakalli, kostumet të përgatitura nga Elva Bella, drejtor ekzekutiv, Taulant Cacellari, dhe me vargje të Elona Hysenit dhe Leonard Bombajt, ku ky i fundit është edhe producent dhe skenarist i evenimentit.

Duke u nisur nga motoja se arti i fëmijëve ka nevojë për mbështetje, organizatorët tregojnë se veçantia e projektit qëndron në faktin se vetë fëmijët artistë kanë formuar një delegacion me një mision të caktuar. Ata janë aktivizuar në një fushatë sensibilizuese kundrejt shumë bizneseve të ndryshme për të mbështetur artin e fëmijëve. Kështu, për herë të parë “Kripëmjaltëzat” nuk patën nevojën e një sponsori gjeneral, por çdo gjë ka ardhur si rrjedhojë e vetë këtij aktiviteti, duke e cilësuar si “biznesi në ndihmë të artit të fëmijëve”. Itinerari i muzikalit do të jetë në datat 24, 25, 26, 27 maj, ora 19:00. Gjithashtu në muajt qershor dhe korrik fëmijët do të organizojnë edhe një turne nëpër Shqipëri në qytetet: Vlorë, Durrës, Fier, Lushnje, Korçë, Elbasan, Shkodër, Lezhë. Ndërsa më 28 qershor të këtij viti, ata do të jenë në Festivalin Botëror të Arteve Performuese në Sibenik të Kroacisë.

SUELA FURRIKU : Gazeta Standard

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama