Leonard Cohen Duken ndjekur Suzanen

Leonard Cohen: Duken ndjekur Suzanen
Elrod, me të cilën ka sjellë në jetë vajzën Lorca; Verdal, balerina e adhuruar; Vega, mikesha e një jete, dhe ajo e këngës më të dëgjuar në botë. Tani, falë një libri me poezi të pabotuara më parë, kantautori kanadez tregon pak copëza intime dhe i rikthehet tek i njëjti emër: Suzanës së dashur.

Nëse mendoni se plakja është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një njeriu në botë, atëherë uluni para një ekrani televizori apo kompjuteri, pasi më parë keni vendosur video-albumin “Songs from the Road” të Leonard Cohen. Do të kaloni aty nga viti 2008 deri në fund të 2009-s, nga Glasgow në Manchester, nga  Göteborg në Royal Albert Hall të Londrës, nga Helsinki në San Josè, nga “Lover, Lover, Lover” tek “ChelseaHotel” nga “Bird on the Wirea Closing Time”, tek “The Partisana” apo “Waiting for the Miracle”. Për të mund të themi se është këngëtari që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë zbukurohet, bëhet elegant dhe i ëmbël. Është ai këngëtari i aftë të tradhtojë veten me një tur botëror që ka prekur 84 vende, tetë më tepër se vitet e tij. Leonard Cohen është i bindur se mënyra më e mirë për të mos e ndjerë kohën është ta posedosh atë, të merresh me dëshirat dhe një profesion që e ke pasion, të shkruash këngë dhe dëgjosh muzikë. Gjithmonë me elegancë, fjalë të zgjedhura me kujdes dhe me domethënie të veçantë, ashtu siç i mësoi e ëma që kishte një zë jashtëzakonisht të bukur dhe i tregonte histori hebrenjsh e duke kënduar këngë ruse dhe hebreje.

Eleganca është fjala që e karakterizon. Në filmin e prapaskenave, të xhiruar nga Lorca, vajza fotografe e sjellë në jetë nga lidhja me Suzanne Elrod, vajzën 19-vjeçare të njohur në vitin 1968 në derën e një ashensori në Hotel “Plaza” në New York, Leonard dehet i tëri nga duartrokitjet e një publiku që nuk njeh moshë. Suzanne Vega, në parathënien e librit të tij të ri me poezi tregon: “Dikur u takuam në Los Angelos. Ishte e diel herët dhe u takuam në pishinën e hotelit për të ngrënë mëngjes. Kishte veshur xhinse, këmishë, çizme cowboy-sh dhe një pulovër. E adhuroj formalitetin në veshjet e tij. I thashë se kisha vënë re që shpesh vishte kostumet dhe jo xhinset klasike si këngëtarët e tjerë të muzikës folk. Ai m’u përgjigj: ‘Im atë ka qenë rrobaqepës.

Punën e veshjes e kam merak vetë’”. “Parasites of Heaven” është titulli i librit të tij më të ri me poezi të ndjera e plot jetë, që u publikua në Kanada për herë të parë në vitin 1966. Aty mblidhen poezitë dhe prozat e shkruara prej tij që prej vitit 1957 gjatë kohës kur ai vet po niste të formonte personalitetin e tij. Udhëtime, gra, “putanat janë gratë e mia ideale”, ambicie të shfrenuara, amfetaminë, marijuanë dhe të preferuarit e tij, Garcia Lorca dhe poeti hebre, Louis Dudek, që i jepte letërsi në McGill University të Montrealit, por mbi të gjitha Irving Layton, një nga autorët më të mëdhenj kanadezë të shekullit XX që në fillim si nxënës pastaj si mik i tha: “ky djalosh ka atë që është thelbësore për një poet të ri: arrogancën dhe mungesën e eksperiencës”. Por në libër flitet edhe për Suzanne Verdal, balerinën që ai deshi, por kurrë nuk e pati. Kjo nuk është eksperienca e parë e të shkruarit për Cohen.

Në vitet ‘60 ai kishte shkruar dy romane që u bënë të famshëm vetëm kur autori i tyre mori famën e një prej kantautorëve më të mirë në botë. Shumë më vonë tregoi se nuk kishte qenë albumi “Highway 61 Revisited“ i Bob Dylan që e kishte shtyrë drejt muzikës, por nevoja për të mbajtur frymën gjallë: “Një ditë e kuptova se me librat nuk mund të paguaja asnjë faturë. Nuk kisha dëshirë të jepja mësim, nuk ishte fusha ime. Kisha nevojë të ecja më shpejt. Kështu nisa një rrugë tjetër, por nuk kam pasur kurrë një strategji. I bëj gjërat ashtu si të më vinë”.  Kënga ‘Suzanne’ në vitin 1966, dekretoi suksesin universal në nivel muzikor. "Various positions", është cilësuar nga fansat dhe kritikët si një prej albumeve të tij më të dobët. Por pavarësisht kësaj, aty ndodhet kënga e tij më e famshme, “Halleluja”, një nga këngët më të famshme në botë.

  Në 1988 ishte radha e "I'm your man", album ku Leonard braktis kitarën për të kaluar tek tastiera. Në vitin 1992 doli "The future", për të cilin u vlerësua me dy çmime, njëri në Kanada tjetri në Britani. Në vitin '97 doli përmbledhja e parë e sukseseve. 2002 ishte vitit i daljes së ‘Greatest Hits’. “Dear Heather", në vitin 2004 u prit mirë nga publiku, por jo nga kritika. Në dy vitet e fundit ka publikuar plot tre albume live. Dalja e fundit diskografike është "Songs from the Road", e vitit 2010.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama