Drejtoria e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” ka nxjerrë një urdhër të veçantë, i cili ka të bëjë me rritjen e nivelit të sigurisë në ambientet spitalore.
Duke pasur parasysh numrin e madh të personave që qarkullojnë në pavijone, drejtoria ka urdhëruar shërbimet të ndërtojnë planin e qarkullimit të pacientëve dhe familjarëve sipas orareve të përcaktuara.
Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, ka firmosur këtë urdhër, i cili është afishuar në të gjitha hyrjet e pavijoneve.
“Me këtë urdhër parashikojmë të ndalojmë trafikun e madh të familjarëve, të cilët shpeshherë zaptojnë pavijonet, dhomat e të sëmurëve. Këta persona do të lejohen të futen tek i sëmuri me orare të përcaktuara, konkretisht çdo ditë nga ora 17.00 deri në 19.00 dhe ditën e diel me një orar paradite nga ora 10.00 deri në 12.00. Do të jetë policia private ajo që nuk do të lejojë qarkullimin e vizitorëve jashtë këtyre orareve, ndërkohë që familjarët e kanë të afishuar urdhrin në derën e çdo pavijoni”, ka pohuar drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi.
Urdhri parashikon të lejohen jashtë këtyre orareve personat që kanë leje-hyrje të firmosur nga drejtuesi i shërbimit dhe kryeinfermieri. Pajisja me leje-hyrje për qëndrimin jashtë orareve të vizitorëve vlen edhe për rastet kur familjarët lejohen të qëndrojnë gjatë gjithë 24-orëshit, si për shembull prindërit e fëmijëve të shtruar, por jo më shumë se një familjar i autorizuar.
Vizitat
“Një tjetër masë shumë e rëndësishme që ne kemi parashikuar të marrim është moslejimi i kryerjes së vizitave dhe konsultave ambulatore në ambientet spitalore me shtretër, si nga shefat e shërbimeve ashtu edhe nga personeli. Konsultat ambulatore të kryhen vetëm në vendet dhe oraret e përcaktuara, ashtu siç i parashikon sistemi i referimit”, ka pohuar Dashi. Për zbatimin e këtij urdhri është bërë edhe mbyllja e 6 portave në godinat e spitaleve të ndryshme, në mënyrë që policia private të ketë mundësi të kontrollojë hyre-daljet e vizitorëve.