"E konsideronte veten përgjegjës të fateve të kombit", tha 59- vjeçarja Natalia Bruni, teksa vendoste të mërkurën gjatë ceremonisë mortore një tufë trëndafilash pranë arkivolit të shkrimtarit. "Ishte ndërgjegjja e kombit. Pa të, të vjen ndjesia se askush nuk të merr në mbrojtje".
Nga Leon Tolstoi, te poetja Ana Akhmatova e te fizikanti disident Andrei Sakharov, artistët dhe shkencëtarët më të respektuar rusë kanë luajtur tradicionalisht, jo vetëm rolin e figurave kulturore, por edhe atë të simboleve kombëtare, kampionë të moralit dhe zëdhënës të së vërtetës. Intelektualët e profilit të lartë publik, si Solzhecini, ia përkushtuan jetët këtij misioni - "mposhtjes së gënjeshtrës", siç shprehej vetë Solzhenicini.
Sot, pavarësisht atmosferës me më shumë liri në jetën private, (ndoshta për këtë shkak) nuk ekzistojnë më figura të tilla qendrore kulturore, në gjendje të ushtrojnë respekt me përmasa si ai i Solzhenicinit. Shkrimtarët prodhojnë satira të dobëta në emër të konsumit, askush nuk dërgon më thirrje morale. Shumica e politikanëve opozitarë janë nxjerrë nga skena në vend që të bëhen zërat kryesorë kundër autoritarizmit në rritje. Nuk ekziston kundërpeshë kulturore për t‘iu kundërvënë figurës që dominon tërësisht jetën politike të vendit, kryeministrit aktual Vladimir Putin.
Kjo ndodh pjesërisht pasi një brez i ri rusësh është përfshirë në prirjen globale drejt konsumit, duke u tërhequr nga karrierat dhe nga bollëku i të mirave materiale. Por njëherësh edhe pasi vetë Solzhenicini kontribuoi për diskreditimin e intelektualit publik, duke iu përkushtuar tërësisht kombit, pas kthimit në vitin 1994.
Por edhe pasi terreni politik tani është shumë më kompleks: autoritarizmi i sotëm është më pak monumental nga represioni sovjetik, dhe të tillë janë edhe oponentët e tij.
"Konfliktet e mëdha pjellin njerëz të mëdhenj", - tha Boris Meserer, një skenograf i famshëm i Baletit Bolshoi, teksa ecte gjatë funeralit krah për krah me poeten Bela Akmadulina. Epoka e Solzhenicinit, shtoi, "ishte një konflikt i dukshëm mes njerëzve të ndërgjegjes dhe autoriteteve. Sot nuk e kemi më këtë lloj konflikti".
32-vjeçari Andrei Soldatov, drejton Agentura.ru, një sit në internet që investigon mbi shërbimet ruse të sigurisë, ajo lloj gazetarie e pavarur që po bëhet gjithnjë e më e rrallë teksa Kremlini ushtron gjithnjë e më shumë kontroll. E konsideron nacionalizmin e Solzhenicinit si antidemokratik, ndërsa stilin e të shprehurit prej oratori si ‘të dalë jashtë mode‘".
Megjithatë, me të marrë lajmin për vdekjen e shkrimtarit, Soldadovi u ndje i detyruar të bënte komentin e vet mbi "Arkipelagun e Gulagut", kryeveprën e shkrimtarit që përshkruan bindjen e verbër të policisë sekrete të Stalinit. "Ai mentalitet ekziston ende dhe është shumë e rëndësishme ta kuptojmë, por asnjë shkrimtar tjetër nuk ka ditur ta përshkruajë me kaq qartësi".
"Në epokën e Sakharovit dhe të Solzhenicinit ekzistonte një sistem vigan e brutal", shtoi Soldatovi. "Ishte shumë e thjeshtë të përcaktohej cilët qenë djajtë dhe cilët engjëjt". Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, liberalët rusë idealizuan perëndimin dhe masakruan këdo kishte nostalgji për komunizmin. Por tani, thotë, shohin se shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të përkryera - janë dëshmitarë të luftës së Irakut dhe të rezultateve të privatizimit nën shtysën amerikane. "Mbi këtë tokë nuk shoh asnjë qeveri të pafajshme", - thotë Soldatov.
Ndërkaq vëren se Putini nuk është Stalini: qeverisja e tij është dukshëm shumë më pak brutale. Ndërkohë që ka treguar shumë kujdes për të mos krijuar martirë.
Gjeniu i shahut Geri Kasparov, i cili u përpoq të themelonte një lëvizje opozitare, është ndaluar të lëshojë deklarata në televizionin shtetëror rus, si dhe të kandidojë për president. Por nuk është ekzekutuar, syrgjynosur apo dërguar në Siberi. Ka mundësi t‘u drejtohet liberalëve rusë përmes valëve radiofonike, ndërkohë që në pjesën më të madhe të Rusisë konsiderohet thjesht i injoruar. Autorë si Viktor Pelevin, Vladimir Sorokin, dhe Viktor Erofejev janë damkosur me markën "të rrezikshëm" nga një grup të rinjsh pro Putinit që i hodhën librat e Pelevinit në banjë. Por punët e tyre mund të gjenden kudo nëpër librari.
Njeriu që është përpjekur më shumë të veshë mantelin e profetit të Rusisë, duke dërguar paralajmërime ogurzeza për rrezikun e autoritarizmit nga burgu, është Mikhail Khodorkovski, miliarder i industrisë së naftës. Tani po shlyen një dënim për evazion fiskal dhe shihet gjerësisht si individ i dëbuar nga Putini, për shkak të përpjekjeve për të fituar fuqi politike. Por si edhe oligarkët e tjerë rusë, të pasuruar nga shitja e burimeve natyrore të vendit, gëzon pak mbështetje morale te publiku.
Putini dhe i parapëlqyeri i tij, Presidenti Dimitri Medvedev, treguan pikëllim të madh pas vdekjes së Solzhenicinit, duke i organizuar një varrim me të gjitha nderet e mundshme dhe duke e përkufizuar si njeriun që bëri Rusinë të vetëdijshme ndaj tmerrit të represionit.
Putini ka nënshkruar një marrëveshje dinake me shoqërinë ruse, shpjegon shkrimtari Erofejev: "Ji besnik me mua dhe do jesh tërësisht i lirë në jetën private". Më pas shton, "Mund të jemi budistë apo ateistë, mund t‘i dërgojmë fëmijët në Amerikë apo Japoni. Në këtë situatë Solzhenicini është veç një burrë i moshuar".
Nga : Gazeta Shqip