Në gazetën e djeshme "Panorama" keni botuar një replikë me një shkrim të Rudolf Markut në gazetën Shekulli. Së pari ju kërkoj ndjesë lexuesve të Shekullit sepse po reagoj në kushtet kur ata nuk e njohin përmbajtjen e replikës suaj, por vetëm shkrimin që shkaktoi replikën, pra opinionin e z.Marku.
Sipas rregullave etike, që ju thoni se i kini në zemër, mund ta kishit sjellë replikën në "Shekulli". Ne do ta kishim botuar. Ju nuk e bëtë këtë gjë, duke dëshmuar mungesë respekti ndaj lexuesve të Shekullit. Arsyet nuk ka nevojë t'ua them unë. Ato kanë të bëjnë edhe me "minjtë dhe mbretërorët"; këtu bashkohem plotësisht me lojën tuaj të fjalëve në titullin e replikës.
E qartë që ne kemi kënde të ndryshme kuptimi të metaforës, por nuk di pse kam përshtypjen se shumicën e minjve të këtij vendi ju i njihni shumë më nga afër se unë.
Po i lëmë pra, minjtë. Minjtë rrinë mënjanë. Nuk po ndalem as tek paragrafi ku me marifet pranoni se keni qenë në spital atë ditë. Sigurisht nuk do hyj as në ato pjesë të replikës ku ju i drejtoheshit autorit Marku. Ai mund të flasë vetë, nëse e quan të nevojshme.
Unë po ju shkruaj për ato paragrafë të letrës suaj të djeshme ku flisni për detyrimet profesionale, sipas jush, të medias dhe për paditë ndaj mediave, që prapë sipas jush, qeveria ku bëni pjesë, nuk i bën.
Po ju citoj që të jemi korrektë. Ju bëni një lloj apeli për etikë dhe transparencë duke shkruar:
"...Në këtë rast, gazeta që boton shkrimin, kishte si minimum detyrimin për të më telefonuar ..."
Zoti ministër!
Kur i flisni publikut të këtij vendi për të tilla "detyrime" që kanë të bëjnë me etikën dhe transparencën, a përnjimend e keni që e renditni veten tek 'viktimat'??
Shtrydheni edhe ca talentin tuaj zoti Basha. A t'ju gjej unë ca tema shumë më të rëndësishme për të folur mbi etikën dhe transparencën? A mund t'i flisni përshembull, publikut të këtij vendi mbi përgjegjësitë e qeverisë dhe tuajat për Gërdecin, Kalimashin, apo Shkodrën, Ruzhdijen etj?
Është e qartë që nuk do ta bëni, megjithëse ka shumë pyetje ende pa përgjigje mbi këto përgjegjësi. Besoj biem dakord, që këto janë çështje, në të cilat shumë më tepër, ia kini borxh etikën dhe transparencën, këtij publiku, apo jo?
T'ju telefononim? Po besa, edhe mund t'ju telefononim. Por kemi përvojë shumë të hidhur me telefonatat dhe letrat pa përgjigje. Qindra raste të mungesës së përgjigjeve tuaja ndaj trokitjeve të "Shekullit" në administratë, mund të gjenden, por unë po marr një rast të vetëm, meqë është përvojë personale dhe fare e drejtpërdrejtë.
Ka ndodhur kur ministria që ju dikur drejtonit, shpalli se do investonte në Albtelekom rreth 11 milionë euro. Ishte firmosur shitja ndërkohë. Donim të dinim si ishte e mundur që të investohej në një vepër të shitur. Kush hedh akoma lekë në shtëpinë që tashmë e ka blerë dikush tjetër? Sigurisht që duhej të sqaronim veten dhe publikun për këtë shpenzim. U përpoqa të kontaktoja me ju me të gjitha mënyrat dy ditë me rradhë, duke e mbajtur artikullin të pabotuar. Më në fund ju nisa një SMS në celularin tuaj personal. Pyetja ishte: "Z.Basha, përse 11 milionë euro të qytetarëve shqiptarë në një vepër që tashmë është shitur?". Asnjë përgjigje. E nisa prapë. Asnjë përgjigje. E nisa të njëjtin tekst edhe në celularin antikorrupsion të S.Berishës. Asnjë përgjigje. Vendosa ta botoj shkrimin, duke e quajtur të kotë të prisnim më tepër. Më ka ardhur një telefonatë nga S.Berisha, me sa mbaj mend, vetëm pasi shkrimi u botua. Jo vetëm për këtë, jam i bindur se ju nuk do ti përgjigjeshit asnjë telefonate zoti Basha. Ashtu sic nuk i jeni pergjigjur DETYRIMIT tuaj madhor per te dhene shpjegime mbi abuzimet ne rrugen Durres-Kukes. Ju e shmanget me nje truk procedurash detyrimin tuaj per te dale para drejtesise apo jo?
Një paragraf tjetër i shkrimit tuaj thotë:
"...Ne jemi të vendosur si shumicë të mos paditimin median për çfarëdolloj arsyeje nga pozitat tona si zyrtarë. Por kjo nuk është arsye që të lëmë mënjanë një diskutim me themel mbi standardet etike të medias shqiptare..."
I dashur ministër. Po të mos ishim duke folur për një rast tragjik, këtu do më vinte për të qeshur. Prapë do më duhet të sjell veten si shembull. Unë kam ende në xhep një letër që udhëron shoqërimin me forcë të shtetasit Adrian Thano, drejtor i gazetës Shekulli. E dini pse? Sepse një prej kolegëve tuaj në kabinet, pra nga kjo, "shumicë që është e vendosur të mos padisë mediat për çfarëdolloj arsyeje" më ka... paditur ! Ja pra, që ju ia futni kot zoti Basha. Aktualisht autori i këtyre rradhëve është "person nën hetim" për shkak të një padie pikërisht "nga pozitat tuaja si zyrtarë". . Ministri paditës quhet Sokol Olldashi. Sigurisht që drejtësia le të bëjë detyrën e vet, dhe as kisha për ta përmendur, në rast se ju nuk do bënit deklarata të tilla, por meqë jemi këtu, po ju jap një hollësi, që flet prapë për mënyrën si "reagoni" ju në lëndën e etikës dhe transparencës.
Shkrimi për të cilin ka bërë padi z.Olldashi, atëherë në postin që mbani ju sot, i përket vitit 2007. Shkrimi është një raport, për të dhënat e të cilit, z.Olldashi i kërkohej të ishte transparent me publikun. Në të tri numrat e gazetës ku është botuar raporti, i bëhet thirrje në mënyrë të përsëritur z.Olldashi, që të reagojë. Asnjë reagim. Atëherë përse një padi pas tre vitesh? Sepse padia është bërë për tjetër arsye. Nuk po zgjatem me këtë histori, në respekt të hetimit, por puna zoti Basha është kështu: Ashtu si kolegët tuaj, edhe ju, po e shfrytëzoni ndoshta pa dashur, rastin e asaj vajzës së gjorë për të ligjëruar pa rrezik mbi disa parime dhe vlera vërtet të rëndësishme, por fare të pavenda në gojët e atyre që i kanë zgërlaqur e përdhosur ato me kohë.
Më pas shtoni që duhet "..një diskutim me themel mbi standardet etike të medias shqiptare..." (!)
Më prano një këshillë. Mos flisni më për "standarte etike" se është turp. Të besosh se ka etikë apo transparencë një qeveri si ajo ku ju bëni pjesë, zoti ministër, është njësoj si të besosh se mund të bëj bajga një kalë prej druri.
Pra lëreni median dhe "diskutimet me themel" për të. Keni gjëra të tjera shumë më urgjente për ti diskutuar me themel dhe me çati. Një prej tyre është të distancoheni sa më shpejt, dhe jo vetëm ju, nga përpjekja për instalimin e një diktature të dytë në Shqipëri. Sa me shpejt, sepse me pas do jete vone, edhe per vetë ju, per minjte, mbreteroret dhe gjithe të tjerët.
Këtë jua them si një person që kam në media shumë më tepër vite se ju në politikë. Jua them si një drejtues media që kam ruajtur me fanatizëm një profil të ulët publik, pikërisht për shkak se skena publike e këtij vendi është mbushur me ata minjtë që ripërmendni ju në titull. Nuk dëshiroj të bëj pjesë në ta, ashtu sic edhe ju, jam i sigurt, nuk e dëshironi. Jua them edhe si bashkëmoshatar dhe votues i juaji në 2005.
Meqë jemi këtu, sa për ta mbyllur, - zhgënjimin më të madh në replikën tuaj, e pata në rreshtat ku ju shkruani:
"..Në rastin më të parë që do të gjej kontaktet telefonike do t'i telefonoj kësaj familjeje, për t'ia shprehur të gjitha këto edhe drejtpërdrejt..."
Zoti Ministër! Për vdekjen e asaj vajzës, janë bërë telefonata dhe emaile nga zyrtarë të lartë britanikë, sic ju e dini. Parlamentarja Suzan Kramer, Ambasadorja e Mbretërsisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mcllwham, Ministri për Europën, nënsekretari i shtetit David Milliband...
Edhe ata zotërinjtë atje janë politikanë dhe ministra si ju. Veçse ata nuk pritën të botohej ndonjë shkrim në gazetë që 'ti gjenin kontaktet' familjes së viktimës. E bën detyrën e tyre pa vënë tellallin në media dhe sigurisht nuk presin falënderime.
Dhe të mendosh që këta zyrtarë britanikë reaguan kështu për një shtetase shqiptare.. Ju jeni një ministër shqiptar apo jo? Kjo është një ngjarje që ka ndodhur që në 20 gusht të vitit të kaluar dhe për të cilën paska patur kaq shumë interesim. Kurse ju prisni një shkrim të dytë në gazetë për të mësuar mbiemrin e vajzës? Standart i ulët për një ministër të brendshëm
Adrian Thano : Shekulli Online