Leterkembimi Bregu - Harito Je analfabete funksionale

Leterkembimi Bregu - Harito: Je analfabete funksionale

Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu dhe ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, kanë replikuar me njëra-tjetrën me letra protokollare, ku nuk kanë kursyer dhe ironitë për gabimet drejtshkrimore.

Më datë 1 nëntor, ish-ministrja Bregu i kërkon informacion ministres Harito lidhur me largimet nga puna, numrin e punonjësve me kontrata dhe urdhrat e Kryeministrit Rama për ristrukturimin e ministrive. Në shkresën e protokollit me Nr.1903 Majlinda Bregu ka bërë një lapsus drejtshkrimor, duke shkruar togfjalëshin “Urdhrat e Kryeministri përkatës”, kur në të vërtetë sipas saj synonte të shkruante “Urdhrat e Kryeministrit përkatësisht:”.

Por në shkresën e ministres Harito, e cila i është dërguar 15 ditë më pas, nuk u jepet përgjigje asnjëherë prej kërkesave, por vihet në pah gabimi drejtshkrimor. “Në shkresën Tuaj prot.nr.1093, datë 1.11.2013, ndonëse ndonjëherë zgjedhjet inovative gramatikore të ligjit ‘bashkëlidhni këtij informacioni Urdhërat e Kryeministrit përkatës’, mund të na e vështirësojnë kuptimin e qartë të togfjalëshit, shpresojmë sidoqoftë të kemi kuptuar thelbin e kërkesës Tuaj për informacion mbi procesin e ristrukturimeve të institucioneve qendrore”, thuhet në letrën e ministres Harito, e cila shton më tej se përgjigjet do i kthehen nga çdo dikaster përmes Këshillit të Ministrave.

Por në një letër të dytë, demokratja Bregu nuk ngurron ta quajë ministren e Inovacionit si analfabete funksionale, së cilës iu deshën 15 ditë punë për të kuptuar një letër të thjeshtë. Bregu ka vënë në dijeni për këtë ngjarje kreun e Kuvendit, Ilir Meta dhe Kryeministrin Edi Rama, duke thënë se gabimi drejtshkrimor ishte bërë nga sekretariati që me një ‘backspace’ ka fshirë dy germa.

“Konstatoj me keqardhje të madhe se Juve Ju janë dashur më shumë se 14 ditë punë analfabetizëm funksional-quhet kjo në shqip, për të hedhur në letër 10 fjali me mision shmangien nga dhënia e përgjigjes. Është detyrim i Juaji kushtetues të ktheni përgjigje me shkrim, për të gjitha çështjet e kërkuara dhe jo të bëni pingpong institucional në kurriz të transparencës”, thuhet në letrën e Bregut.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama