Tek vështrimi mbi Qytetin e provincën, Sabri Hamiti lë mënjanë qytetin si metaforë dhe mit të qëndresës, dhe merret me atë letërsi e cila lidhet me qytetin si mënyrë e jetesës, si ndjeshmëri, mendësi, mënyrë e komunikimit, më në fund si kulturë qytetërimi. Hamitit vendos të parin në rend ndër shkrimtarë shqiptarë, Faik Konicën si nismëtarin e risive të modernitetit.
"Me Dr. Gjiplërën, si personazh intelektual e si vepër, Konica jep një përshkrim të Durrësit e të Tiranës të viteve '20 të shekullit '20, duke bërë më tepër një kirurgji të jetës sociale e mendore, duke diferencuar shtresimet shoqërore e mentalitetet e këtyre rretheve, për të ngritur një kritikë përmbysëse të tyre, duke pasur për bazë teorinë e tij mbi levantinizmin e qyteteve shqiptare."
Sipas Hamitit, dhe këtu janë në mendje të gjithë autorët e përfshirë në diskutim, vetëm prozatorët modernë të letërsisë shqipe na ndihmojnë të hyjmë në trajtimin e vërtetë të temës.
Ai përmend Shkodrën e viteve '30 ashtu siç e "prezanton" Ernest Koliqi te "Tregtar famujsh" duke portretuar marrëdhëniet ndërmjet shtresave të qytetit: të tregtarit e të shkrimtarit, të gruas e të mashkullit, të idealistit e pragmatistit, të dashurisë e të interesit, të dijes autentike e të shpifjes, të kulturës, të intelektualit e të pseudointelektualit. Kurse Migjeni me "Novelat e qytetit të veriut" e sheh Shkodrën qendrën e tragjedisë e të mjerimit psikologjik e social.
E me radhë Korça e Sterjo Spasses tek romani "Pse?!", Dibër-Tirana e Haki Stërmillit tek "Sikur të isha djalë", Gjirokastra patriarkale e Musine Kokalarit tek vepra "Siç më thotë nënua plakë", Gjirokastra e paradokseve sipas Kadaresë, Tirana virtuale prapë sipas Kadaresë, Anton Pashku tek tregimi "Kënaqësitë e Megapolisit" e paraqet qytetin e madh si traumë dhe antitraumë njerëzore.
Hamiti e kalon në mënyrë sintetike pothuajse gjithë shekullin letrar, e prapë, atij çështja i mbetet e hapur: "Sa mund të ketë fisnikëri të shpirtit e kulturë aty ku ka mjerim të trupit e luftë për mbijetesë, qoftë ne qendër, qoftë në periferi."
Për prof. Dr. Artan Fugën studimi i korit antik në tragjedinë greke sipas një këndvështrimi të mbështetur te vepra e F. Niçes "Lindja e Tragjedisë" e çon tek përfundimi: arti nga njëra anë i ikën qytetit real dhe ndërton një qytet të dytë virtual. Ndërton një realitet që funksionon ndryshe. Por, nga ana tjetër, ai rizbret në tokë, sepse është i detyruar të flasë një gjuhë që e kuptojnë që njerëzit.
Matteo Mandalà nga Universiteti i Palermos bën "dy shëtitje tiranase të Besnik Strugës", duke iu referuar një vepre shumë të përfolur ose si e letërsisë së realizmit socialist ose jashtë skemës së kësaj metode: "Dimri i vetmisë së madhe" të Ismail Kadaresë i botuar më 1973. Mandalà heq paralele me poetikën e dy veprave të James Joyce-it "Dublinasit" dhe "Uliksi", kur merret me rravgimet nëpër Tiranë të protagonistit të romanit.
Studiuesi flet për një ismailand, një kryeqytet shqiptar që Kadareja i përshkruan me realizëm të skajshëm joyce-jan rrugët, sheshet, pallatet, statujat, dyqanet, ndërmarrjet. Por personazhi, sikur nuk është i kësaj bote. "Duke menduar gabimisht se Dimri i vetmisë së madhe është një roman historik, ergo edhe personazhet, të gjithë pa përjashtim, janë figura historike. Kuptohet menjëherë se kjo lloj përqasjeje është krejt e gabuar, por dyshoj që me të njëjtën shpejtësi kapet se sa i ndërlikuar është problemi i personazhit letrar."
Mandalà thotë se edhe Kadareja, duke shëtitur në bulevard në drejtim të shtëpisë së tij në rrugën e Dibrës, përktheu realitetin në letërsi, jetën në art. "Nuk përjashtohet fakti që Besnik Struga të jetë dyzimi i Kadaresë Ismailandi." Po me Kadarenë dhe letërsinë e tij është marrë prof. Jean-Paul Champseix nga Universiteti Creteil i Parisit kur flet për qytetin si "një cak apo një strofull për zotin K...". Shqipëria tradicionale nëpërmjet fshatit (Prilli i thyer) kurse qyteti një pikë referimi komplekse.
Champseix flet për qytetin e lindjes së autorit (Kronikë në gur) dhe për qytetin e rrethuar që ka si karakteristikë të tërheqë armiqtë (Kështjella, Dimri i vetmisë së madhe, Nëntori i një kryeqyteti, Përbindëshi apo Darka e gabuar). Ai del në përfundimin se qyteti i lindjes farkëton një mentalitet, sugjeron një estetikë krejtësisht mbrojtëse ndaj çmendurive të kohës, por ai gjithashtu merr parasysh rreziqe.
Po me lëndën kadarejane merren në interpretimet e tyre për marrëdhëniet e letërsisë me qytetin edhe studiuesit Bashkim Kuçuku dhe Shaban Sinani. I pari mbështetet tek romani "Kronikë në gur" për të trajtuar konceptin e qytetit-personazh, ndërsa i dyti për karakterin urban të jetës njerëzore në romanin "Dimri i vetmisë së madhe".
Për Persida Asllanin prozatorët e parë modernë ndërtojnë me këmbëngulje praninë e një qyteti të shumëfishtë: si hapësirë, si panoramë, si interier, si gjendje, si strukturim mendor, si ndërgjegje, si erotikë, si ligjërim, si grupim, si individualizim.
Përmend këtu Konicën, Migjenin, Koliqin, Spassen, Kokalarin. Kurse kur flet për Fishtën pohon se "veç qytetit të tij politik, ai na ka dhuruar gjatë viteve '30 edhe një nga refleksionet e para konkrete mbi organizimin arkitekturor dhe urbanistik të qytetit në faqet e "Hyllit të Dritës", në udhëpërshkrimin "Udhtim në Turki të Re" (1932-1933). Ai provon, madje siç ka bërë shumë më gjerë dhe me refleksionin estetik, një formulim "teorik" të qytetit."
Te "Tripoli(si) letrar në Shqipërinë e shek.XX" Prof. Dr. Ymer Çiraku ngre treqytetësin në metaforë tek e cila ai sheh të projektuara lidhjet e shumëfishta të qytetit me letërsinë "e kundruar kjo simbiozë konkretisht në tre qytete: Shkodër, Pogradec, Gjirokastër".
Çiraku iu referohet këtyre tre qyteteve jo thjesht si vendet ku u lindën autorë kryesorë të letërsisë shqipe, respektivisht Migjeni dhe Koliqi, Kuteli e Poradeci, Kadare dhe Kokalari. Porse në veprën e tyre këta krijues "kanë performuar artistikisht kozmosin e këtyre qyteteve."
Agron Tufa tek "Rrënjët e lirikës urbane", pasi jep një përkufizim të urbanizmit si reflektim në letërsi i qytetit të madh, është i mendimit se nuk ka një paradigmë letrare të qytetit. Sipas tij qyteti "lind me ndonjë përmendje të rrallë, më tepër si kundërvënie qetësisë pastorale shqiptare me metropolet e huaja (motivet e kurbetit, syrgjynit, distancës së largët".
Tufa del në përfundimin se poetët shqiptarë "nuk duan" t'ia hyjnë dialogut me qytetin; poetët e traditës klasike "nuk e përballojnë psikologjikisht qytetin" përveçse si ornament romantik, çka tregon se janë të papërgatitur për një vetëdije të tillë.
Do duheshin pritur vitet '60 që qyteti të zinte vendin që nuk e kishte pasur në letrat shqipe. I këtij mendimi është studiuesja Laura Smaqi e cila në shënimin me shumë interes "Pamje qytetëse në 30 vjet poezi ('60-'80) dallon disa tipe qytetesh: qyteti i hekurt industrial (jep shembullin e poezisë "Ëndërr industriale" të I.
Kadaresë); qyteti si shenjë semiotike ku objekte, monumente, vende të caktuara vishen me kuptime të ndryshme në kohë (shembuj nga poezi të Xhevahir Spahiut, Bardhyl Londos) qyteti si portret njerëzor, si nostalgji e kohës së shkuar dhe si peizazh natyror (poezi nga Rudolf Marku) dhe tipi i qytetit si metaforë e njeriut (Fatos Arapi) etj.
Megjithëse u quajt ndërkombëtare, konferenca "Letërsia dhe qyteti" e organizuar nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Departamenti i Letërsisë në bashkëpunim me Aleancën Franceze, nuk ishte e tillë. Kjo nuk do të thotë se studiues shqiptarë nuk janë gati ta shohin letërsinë brenda temave të tilla, edhe atëherë kur duket sikur letërsisë shqipe i kërkohet diçka që s'e ka.
Shekulli