Behar Gjoka flet për letërsinë moderne në Shqipëri. Kur ka hyrë ky koncept nëpërmjet shkrimeve të autorëve shqiptarë. Studiuesi Gjoka mendon se fillimet e para kanë qenë në vitet ’30-të nëpërmjet autorëve si: Konica, Kuteli, Koliqi apo edhe Migjeni. Këta janë autorët që bëjnë ndryshime rrënjësore krahasuar me shkrimin e prozës së mëparshme, tregon Gjoka në një intervistë për gazetën “Shekulli”. Gjurmë të tjera të zhvillimit të letërsisë moderne, gjenden edhe në vitin 1971, ku veçohet Anton Pashku. Ndërsa momenti më i diskutueshëm i letërsisë moderne shqipe është pas viteve 1944, për të ardhur deri te sqarimi i letërsisë pas viteve 1990. A mund të shkruajnë të gjithë? A ka nevojë lexuesi për ndërmjetësues?
Zoti Gjoka, kur ka hyrë koncepti modern në letërsinë shqipe?
Koncepti modern është gjithëpërfshirës. Përfshin qytetërimin, historinë, përfshin gjithçka, ashtu sikurse edhe letërsinë. Për mendimin tim letërsia moderne në Shqipëri ka hyrë gati në një moment që nuk është shumë larg nga i asaj në botë. Bëhet fjalë për vitet ’30-të nga autorë si: Konica, Kuteli, Koliqi, Migjeni në prozë etj, të cilët bëjnë ndryshime rrënjësore krahasuar me shkrimin e prozës së mëparshme. Në kuptimin e prurjes së problematikës sociale, të realizimeve kritike, por shpeshherë edhe të disa formave krejtësisht moderne, jo krejtësisht të reja, por në kuptimin që ndoshta i kanë rezistuar kohës. Po ashtu edhe në poezi që në fakt ka një fillim pak më të hershëm, sepse modernitetin e gjejmë në simbolizmin e Asdrenit, e gjejmë pastaj në poetikën e Lasgushit, e gjejmë edhe te vargjet e lira të Migjenit. Pra mund të flitet për një atmosferë moderne të letërsisë shqipe, që gati-gati është e përputhur me atë që ndodh në letërsinë e huaj moderne. Por ka një ndryshim sepse nëse në botë moderniteti erdhi edhe nëpërmjet shkollave letrare të mirëfillta, në letërsinë shqipe, është në fakt një atmosferë individuale.
Çfarë nënkuptoni me atmosferë individuale?
Këtu do doja që të hidhja një hipotezë që të vë në siklet sepse studiuesi i mirënjohur Sabri Hamiti ka kryer një punim të detajuar: “Shkollat letrare shqipe”. Është term shumë i diskutueshëm, sepse termi “shkollë letrare” do të thotë që të dëshmosh me traktat, që të kesh pasues etj., ky është një problem krejtësisht më vete. Por çfarë po ndodh? Kur i qasemi modernitetit i shfaqemi nga nevoja që ka shkolla dhe nga nevoja për të parë se deri ku shkojnë gjurmët.
Cili është momenti më i diskutueshëm në letërsinë moderne shqipe?
Momenti më i diskutueshëm i letërsisë moderne shqipe është pas vitit 1944. Mund të mendoja se ka një gjurmë në vitin 1971, ku merë pjesë edhe Anton Pashku, por edhe kjo nuk u zhvillua. Në njohjen time, në qasjen time ndaj autorëve, ku kam pak a shumë gjithë piketën e letërsisë shqipe që është letërsi bashkëkohore që në kuptimin më të gjerë të fjalës, për të ardhur te letërsia pas viteve 1990, që është letërsia e sotme, duhet sqaruar.
Çfarë duhet sqaruar?
Me këtë nënkuptoj se letërsia bashkëkohore mund të jetë edhe moderne, por që edhe mund të mos jetë moderne. Kjo do të thotë se të jesh bashkëkohor i këtij momenti, mund të kesh lidhje dhe mund të mos kesh lidhje me të. Mendoj se, modernitetin në letërsinë shqipe në vitet 1944-’90 duhet ta kërkojmë në tri vende. Së pari duhet ta kërkojmë të ndërthurur me modelin e realizmit socialist në veprat e Kadaresë, Agollit, Qosjes, Arapit etj. Them të ndërthurur sepse, autorët që kanë ndërtuar në Shqipëri, autorët që kanë qenë nën trysni nga modeli i realizmit socialist, nuk mund që t’i botonin veprat nëse nuk do të kishin segmente të caktuara, në vepra të caktuara.
Megjithatë mendoj se, tekste të veçantë të Kadaresë, ndonjë tekst i Agollit, ndonjë tekst letrar i Qoses, apo i Arapit, kanë dhe shenja të ndërthurjes me modernitetin, me atë prirjen individuale, me atë prirjen për të dalë matanë modelit të realizmit socialist. Së dyti modernitetin e shikoj edhe te letërsia e disidencës, te letërsia e kundërvënies, kam parasysh këtu sidomos veprën e Kasëm Trebeshinës. Sipas Robert Elsie, surrealiteti, pra bota surreale është kundërvënia ndaj realizmit socialist që, i dha shansin dhe ndoshta poetikën që të realizojë një vepër arti që është e përkundër dhe moderne njëkohësisht. Kur them vepra e tij është moderne, kam parasysh tekstet që kam lexuar, sepse mjerisht Trebeshina dhe sot e kësaj dite vijon që të jetë pjesërisht i botuar. Megjithatë “Kënga shqiptare”, e Trebeshinës ngelet një epope e jashtëzakonshme dhe të tjera raste si këto janë modeli më i qartë i surrealizmit. Së treti mendoj se letërsia moderne gjendet edhe në atë që quhet letërsia e trojeve etnike edhe në diasporë.
Çfarë doni të thoni me letërsi klasike?
Kur them klasike kam parasysh që është një përvojë e konfirmuar. Nuk e di nëse mund të vërë dikush në diskutim se Kadareja ka romane të jashtëzakonshme, në kuptimin e ndërthurjes me realizmin socialist, por edhe të modernitetit. Problemi këtu për mua vjen dhe ngatërrohet pas viteve ’50. Kjo letërsi për mua është e lexuar, por jo shumë e vlerësuar me çmime. Mesa duket ne jemi tek ajo situatë ku nuk jetojmë dot pa mite. Prandaj jam i mendimit se, letërsia jonë duhet të çlirohet nga mitet. Ky është një problem që do të thotë se, jemi në një situatë që është një vlerë e konfirmuar dhe se harrojmë që të shkojmë pak më tutje.
Ky lumë poezie e proze është një dëshirë për t’u çliruar
Po thoni se ka autorë që ende nuk janë sa duhet në vëmendjen e lexuesit...
Kur them se ka disa autorë që nuk po vijnë në vëmendjen e lexuesit shqiptar, kam parasysh këtu Luljeta Lleshanakun, që vjen si fituese e një çmimi. Por nuk më intereson kjo pjesë, më intereson poetika e saj, në intereson ngjizja e modernitetit në këtë moment. Unë në momentin që përmend emra jam në një lloj sikleti sepse realisht lexoj nga të gjitha hapësirat. Mendoj se në këto moment poeti Alban Bala është nga më prodhimtarët, por edhe nga më origjinalët, në kuptimin e poezisë, e marrëdhënies që ka ai me modernitetin. Po ashtu mund të përmend edhe Anila Kurtin, e cila do të botojë librin e tretë. Ajo sjell një poezi të çliruar nga të gjitha pragmatikat politike.
Erjus Mezini me romanin “Shansi i dytë”, më ka bërë që të mendohem se po ndodh ndryshimi në letërsinë shqipe. Po ashtu është edhe ajo se çfarë ka ndodhur me Blushin, që nuk do të thoja se është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kësaj kohe, por Blushi është një nga autorët që eksperimenton dhe prodhon. Do të thoja se ndryshimet poetike, apo në prozë të Agron Tufës, në tekstet poetike të Arian Lekës, apo në situata në të cilat letërsia po rreket që të krijojë fytyrë moderne të sotme dhe fytyrë moderne të vitit 1944. Gjithmonë kemi një vonesë faze, kemi një moment që ne komunikojmë kryesisht duke mbetur në të djeshmen, por shikoj një shans që nëse do të çlirohemi nga shkrimtarët udhëheqës, nga mitet, që patën fatin t’i ndihmonin sistemet, unë mendoj se shkrimtari duhet të bëjë punën e shkrimtarit. Shkrimtari duhet që të realizojë mrekullisht atdheun që quhet letërsi, dhe atdheu që quhet letërsi mbi të gjitha ka atributin e të qenit i lirë. Letërsia nuk është atdheu i diktateve dhe i diktatorëve, por është pasqyra ku shpirtrat e përthyer, shpirtrat e vrarë, shpirtrat e mbrapshtë, ata të shëmtuar dhe të pastër janë pjesë e këtij kopshti.
Pra jeni që të shkruajnë të gjithë...
Absolutisht që po. Por kur them që të shkruajmë të gjithë nënkuptojë edhe shakanë, edhe ironinë, sepse një popull që përkthehet në shkrimtar, në poet, është tregues i faktit, që ne kemi mungesë lirie. Nëse e vë re, shikojmë se shqiptari për shumë kohë lirinë e tij ia dhuroi Partisë së Punës. Sot herë ia dhuron njërës parti, e herë tjetrës. Prandaj ky lumë botimesh, ky lumë poezie e proze është një dëshirë për t’u çliruar.
Si mund të shkojmë te letërsia e mirë?
Do të shkojmë jo duke paragjykuar, do të shkojmë jo duke ndërtuar një model sikur mësimdhënësit mund të kenë tagrin për të thënë të vërtetën, por e vërteta është aty, askush deri më sot nuk ka bërë librin për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje.
Kritika e recensës, prezantim vlerave të mirëfillta
Po a ka nevojë për ndërmjetës lexuesi?
Mendoj se është term i pagjetur. Pse mendoj i pagjetur? Sepse interesa të caktuara do të çojnë te libri shkencor, interesa letrare te libri letrar etj. Poezia nuk lexohet tematikisht. Poezia, proza dhe çdo gjë lexohet estetikisht, pra nëse ne duam që të shkojmë të letërsia e mirë duhet që ta lexojmë si tekst, duke lexuar si tekst do të kuptojmë nëse ka ujë apo ka estetikë, art e kështu me radhë. Në këtë kuptim unë do të thoja se kritika e recensës, kritika e prezantimit tashmë duhet që të shoqërohet edhe me atë që quhet verifikim i vlerave të mirëfillta dhe verifikim i heshtjes së mungesave. Nuk mendoj se kritika letrare apo studimeve do të duhet që të merren më historinë e mungesave sepse, do të ishte një kontribut krejt i lodhshëm. Mendoj se do të mbyteshim me një pikë ujë në atë që quhet det i letërsisë dhe do të humbnin në atë pyll të tmerrshëm k,u është e vështirë që të ndash letërsinë nga ajo që nuk është letërsi. Ka një raport tek e fundit se me librin e mirë, librin modern, librin jo thjeshtë të blerë, jo thjeshtë të lexuar, ka gjithmonë një akt të parë që zgjon interes, ka gjithmonë një moment të dytë që do ta argumentosh zgjimin e interesit, ose që ka ardhur jo për arsye letrare.
Unë kam gjithmonë parasysh tekstet dhe jo autorët kur flas. Në këtë periudhë janë botuar edhe libra të politikanëve të mirëfilltë, por që tashmë nuk i mban mend askush, kjo tregon se tek e fundit se ishte një përpjekje për t’u çuditur dhe prandaj duhet të kthehemi te pjesa serioze e marrëdhënies me letërsinë, jo me letërsinë si kontribut, jo me letërsinë si situatë ku secili shpërndan grada apo merë grada. Unë do të thosha se letërsia është bota e të gjithëve, është universi, fryma, është e sotmja dhe e nesërmja, është shpirti tek e cila, secili “zhgarravit”, shkruan atë çka bota do ta pranojë apo jo. Do ta pranojë në kuptimin që do ta hipotekojë si vlerë, ose do ta lërë anash, por që gjithmonë këmbëngul në një pikë. Ne mbartim një mentalitet të pushtetit të djeshëm, sepse pushteti i djeshëm merrte përsipër sesi duhet të shkruash, edhe sot pavarësisht lirisë së kushtëzuar nga kushtetuta dhe të drejtat, mentaliteti është te burokracia.
Përse mentaliteti është te burokracia?
Kur them te burokracia kam parasysh burokracinë letrare, burokracia nuk siguron shijen e tij, por sugjeron paragjykimin e shijes së tij. Ky është një lloj problemi, këtu kam parasysh Tomas Eliotin, i cili thotë midis të tjerash: “Shija e mbrapsht e leximit”. Kështu mund të kemi parasysh se në këtë moment letërsia që njihet më shumë është ajo e realizmit socialist, letërsia që është në programet e letërsisë shqipe, është përsëri letërsia realizmit socialist, ajo tani quhet moderne dhe ky është një problem. Janë bërë disa konferenca për këtë gjë, por ajo është letërsi e realizmit socialist që ka edhe shenja moderniteti.
Sepse është shekulli XX-të, sido që jenë mbyllur portat, ishte krijuar gardhi, ishte krijuar një pamundësi komunikimi. Letërsia është si pika e ujit, që shpërthen situatën, në këtë kuptim edhe guri duke goditur dalëngadalë gjen hapësirë për të komunikuar. Nëse e merë se çfarë ka ndodhur me letërsinë shqipe, se çfarë bënin autorët për të botuar, mund të mendosh se censura ka qenë e tmerrshme, por vetëcensura ka qenë edhe më, për marrëdhënien me letërsinë. Pse? Sepse është normale që të kërkosh të botosh, dhe në emër të botimit të kërkosh të përshtatësh, të bësh kompromise. Kompromisin nuk e shikoj si faj, por është rrethana për t’u bërë të pranishëm në letërsi. Mirëpo çfarë ndodh? Në këtë moment duhet të them se ka ndodhur një kompromis, me letërsinë dhe me artin. Letërsia në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, e përfshin këtë gjë.
Letërsia shqipe në diasporë
Dua të them se nëse poezia në Shqipëri ishte e detyruar që të ishte në shtjellat e realizmit socialist, poezia e Azem Shkrelit, poezia e Ali Podrimjes, e Farudin Gungës, e Rrahman Dedës etj., janë në shtjellat moderne. Po ashtu edhe në prozën e Anton Pashkut, në dramatikën e Beqir Musliut, e Teki Dervishit etj. Padyshim që për të dalë në diasporë kemi dy modele që do të thoja se lanë Shqipërinë për arsye politike. Këtu kam parasysh Martin Camaj dhe Arshi Pipën.
Njëri burgoset pasi arratiset dhe tjetri burgoset sepse donte të arratiset, për arsye krejtësisht politike. Çuditërisht ajo që ndodh me Camajn është e paimagjinueshme në kuptimin e modernitetit. Moderniteti nga Camaj ilustrohet në vepra të tilla si: “Bualli”, “Rrathë” etj. Natyrisht që ky ka një sfond bashkëkohor. Do të thosha se termi bashkëkohor fillon në vitin 1944 dhe vjen deri në ditët e sotme. Mendoj se tashmë për studimet letrare kjo pjesë është sa moderne, sa bashkëkohore aq edhe klasike.