Revista “Kritika” nisi të botohej në mars të vitit 1944 dhe doli vetëm me katër numra, deri në qershor të po këtij viti. Nga njëra anë, kjo revistë hodhi themelet e kritikës letrare shqiptare, nga ana tjetër, ajo ndikoi në zgjerimin e komunikimit të lexuesit shqiptar me letërsinë e huaj. Themeluesi i saj, Arshi Pipa, kishte si synim që ta shndërronte atë në një organ të mirëfilltë kritik, sidomos duke u përpjekur të përvijojë kahet e një kritike të tekstit si të tillë, gjë që është përmbushur më së miri në të gjitha numrat e revistës. Këtu do të përpiqemi të vëmë në fokus vetëm pjesën e marrëdhënies së saj me letërsinë e huaj.
Në të gjithë numrat, revista i kushtoi një hapësirë të konsiderueshme kësaj letërsie, e cila përcillet në formën e përkthimit të poezive të veçanta nga veprat e autorëve klasikë botërorë, ose duke ribotuar poezi tashmë të përkthyera më parë. Në shërbim të këtij qëllimi shkon edhe një rubrikë e posaçme, me emërtimin “Libri i Huej”, e cila hapet që në numrin e parë të revistës.
Interesi i veçantë i “Kritikës" për librin e huaj, veçmas për letërsinë e të gjitha gjinive dhe llojeve letrare, duket sidomos te rëndësia që Arshi Pipa i kushton një artikull të plotë çështjes së përkthimit, i cili botohet në rubrikën “Panoramë kritike”, me titull “Mbi përkthimet”. Artikulli hapet me pyetjen: “Ç’ka duhet me përkëthye?”, përgjigjen e së cilës e marrim disa paragrafë më poshtë: “Të gjithë e dijmë se çka: vepra themelore, vepra të shëndosha, vepra edukative në thelb e në veshë, në landë e në stil. Filosofi, art, shkencë: të gjitha janë për t’u-dishrue.” (revista "Kritika", faqe 66)
Autori, me vetëdije të admirueshme letrare dhe kritike, rreshton një sërë mangësish të natyrave të ndryshme përsa u përket teksteve shkollore, historisë, filozofisë, terminologjisë filozofike-shkencore, gjuhës e artit, duke mbërritur në përfundimin se: “Nuk asht turp me përkthye kur nuk jemi vetë të zotët me i plotësue kto të zbrazta... Ma mirë me përkëthye ndonji vepër të vlefshme se me bâ, pa kompetencë, nji librë origjinal, për tekste shkollash, punë qi ka ngjá shpesh ndër né.” (faqe 66)
Dëshirojmë që ta vëmë theksin veçanërisht te ky artikull, pasi, në idenë dhe gjykimin tonë, aty gjendet thelbi i konceptit të Arshi Pipës, mbi rëndësinë dhe dobinë e përkthimit, por njëkohësisht, jepen edhe piketa e trajtohen në një optikë të befasishme çështje teorike mbi atë se si dhe çfarë duhet të përkthejmë. Nga ana tjetër, këtu gjejmë të shqiptuar bazën e orientimit të revistës sa i përket rëndësisë dhe hapësirës që do t’i jepet çështjes së përkthimit dhe marrëdhënies me librin e huaj. Për letrat shqipe të periudhës në fjalë, të dyja këto çështje ishin të një rëndësie jetike, sidomos për ta vënë në binarë koherentë ligjërimin e letërsisë. Fushën e përkthimit, me kahe të rrokshme të formësimit të përkthimologjisë, Pipa e sheh të shkretë, një tokë djerrë. Sidomos më e mangët paraqitet, sipas tij, nga pikëpamja teorike. Prandaj, këmbëngul se, fillimisht, duhet të zotërohet mënyra si të përkthejmë, pastaj ajo çka duhet përkthyer. “Problemi qi na ep kujdes nuk asht: çka duhet me përkëthye, se sa: si duhet me përkëthye. Ma parë si, mandej çka. Nga trajta te landa. Nga stili te vepra”, shkruan Pipa. (faqe 66)
Megjithatë, Pipa nuk ndalet për të na treguar mënyrën se si duhet të përkthejmë, por paralajmëron se kjo çështje do të jetë objekt trajtimi në një kohë tjetër. Ndërkohë, nuk anashkalon rastin për të na treguar se çfarë duhet të përkthejmë: “Dishrojmë, sidomos t’u afrohemi vepravet klasike. Janë ato qi nuk kanë kurr mort, gjithmonë të reja e të freskëta. Janë veprat “ndërtuese”, janë themeli i çdo kulture së shëndoshë. Ndoshta romantizmi, simbolizmi e rrymat e reja moderne kan thanë gjana ma të fuqishme, kan diktue skuta ma të thella, kan zhvillue ndishmënín njerzore në gjanësi e në thellësi. Por klasicizmi ka thanë gjithmonë gjanat ma të drejta... Në kaosin ma të tmerrshëm të ndjenjavet njerzore Sofokli qindron gjithnji i natyrshëm. Poezija klasike nuk ka gabue kurr udhë pse i ka qindrue besnike natyrës”, thotë ai. (faqe 67)
Nuk është e rastësishme pra, që, në numrin e parë të revistës, të vijë, më së pari, një poet klasik; po ashtu, nuk është rastësi që ky poet të jetë Sofokliu, me një fragment të përkthyer nga tragjedia “Edipi mbret” (pa emër përkthyesi). Madje, përtej kësaj, në numrin tre të revistës gjejmë pjesën “Ankimi i Edipit”, por nga tragjedia dhe autori në fjalë, përkthyer prej Henrik Lacajt.
Në një shënim të redaksisë, emërtuar “Panorama kritike – Tue fillue”, në numrin e parë të revistës, faqe 27, përvijohen qëllimet e revistës, jepen sqarime të natyrave të ndryshme, si dhe prezantohet përmbajtja, në vija të trasha, e botimit në fjalë. Ndër të tjera aty thuhet se revista do të ndahet në dy pjesë, ku “... pjesa e parë do të përmbajë prodhimet origjinale e përkthimet, dhe pjesa e dytë kritikën”. (faqe 27). Nga sa më sipër rezulton se, krahas krijimtarisë origjinale dhe kritikës letrare, një vend të veçantë në faqet e revistës do të zënë përkthimet.
Në mënyrë më të drejtpërdrejtë, marrëdhënia e revistës me librin e huaj na vjen nga pohimet e mëposhtme: “Do të çelim herë mbas here edhe ndonji dritare kah bota mendore e jashtme: për me u-ndriçue e për me matë vehten.”, shkëputur nga “Shënimi i redaksisë” (faqe 27) dhe të një përfundimi tjetër: “Për vehten tonë, përkëthimevet do t’u kushtojmë nji pjesë jo nga më të voglat prej mundit tynë.” (shkëputur prej artikullit me titull “Mbi përkthimet”, shkruar nga vetë Pipa, faqe 67.
Për sa më sipër, arrijmë të ravijëzojmë një arsyetim trinivelësh për shkaqet e marrëdhënies së kësaj reviste me letërsinë/librin e huaj:
Së pari, t’i japë sa më shumë informacion atij lexuesi që nuk zotëronte një gjuhë të huaj dhe nuk kishte mundësi apo mënyra të tjera për ta prekur e shijuar librin jo në shqip, si dhe për të zgjeruar hapësirat e komunikimit të gjuhës dhe kulturës sonë.
Së dyti, për me çelë horizonte të tjera, më përtej letërsisë shqipe, jo vetëm ndaj lexuesit të thjeshtë, por edhe ndaj atyre që shkruajnë apo merren me letërsi, me qëllim që të vihen në marrëdhënie koherente me ligjërimin letrar të përbotshëm.
Së treti, që të mund të bëhen edhe krahasime, ballafaqime, analiza e shqyrtime, pra, të peshohet fuqia e letërsisë shqipe në ndërlidhje me letërsinë e huaj, për “me matë vehten."
Revista siç e cekëm përciptazi më sipër, i kushton një rubrikë të veçantë letërsisë botërore, të cilën e emërton "Libri i huej”. Në këtë hapësirë sillen autorë dhe vepra të ndryshme, kryesisht punime në trajtë recensash a paraqitjesh të shkurtra. Në numrin e parë të revistës, faqet e rubrikës në fjalë i kushtohen letërsisë së re amerikane, ku është veçuar drama me titull “Përtej horizontit”, e fituesit të çmimit NOBEL, Eugene O’Neill-it. Autori i kësaj recense, me inicialet J. K., e sheh të arsyeshme të na japë një informacion të shkurtër mbi autorin, pasi, sipas tij: “Për me kuptue mirë veprën e O’Neill-it, duhet me pasë nji farë njohunije edhe mbi jetën e tij.” (faqe 37)
Në numrin e dytë të revistës, kjo hapësirë i lihet letërsisë ballkanike. Recensa në këtë rast është përgatitur nga autori me pseudonimi “Argyrus”, i cili ka përzgjedhur novelistin dhe romancierin rumun Panait Istratin, me veprën e tij në prozë “Kyra Kyralina”. Recensa është më së shumti një përkthim i pjesshëm i një materiali që kishte shkruar shkrimtari frëng, Romain Rollan-i, në paraqitjen që bënte për veprën e Istratit.
Në dy numrat e fundit të revistës, pra, në numrin tre dhe katër, rubrika “Libri i huej” është hequr, por i është dhënë një hapësirë konsiderueshëm më e madhe krahasuar me numrat e mëparshëm, përkthimit të poezisë klasike, ku dominon përkthimi i poezisë lirike klasike greke, i autorëve të tillë si: Kalini, Tirteu, Arkiloku, Simonidi, Alkeu, Safoja, Anakreonti, Simonidi, Bakilidi, Pindari etj. Të tjerë autorë, poezia e të cilëve na vjen në shqip nëpërmjet kësaj reviste, janë: Lukreci, Bajroni, Sofokliu, Virgjili, Gëtja etj., gjë që na zbulon mëtimet dhe përpjekjet serioze për ta vënë ligjërimin e letërsisë e të kritikës letrare shqipe, në marrëdhënie me letërsinë e huaj.