Mehmeti bën me dije se numri i tyre nuk është i vogël. “Zyrtarisht numërohen mbi 100 maturantë, të cilët nuk janë njohur ende me rezultatet e provimit të parë të detyruar të maturës, letërsisë. Për këta nxënës, të cilët nuk kanë respektuar rregulloren e maturës, do të ndiqet një tjetër procedurë. MASH do të ngrejë një komision të posaçëm, i cili do të përbëhet nga ekspertë të Ministrisë së Arsimit dhe administratorë të procesit të maturës. Ata do të lexojnë fletë për fletë tezat, me qëllim që të marrin vendime për secilën prej tyre”, sqaroi drejtori i arsimit të mesëm në MASH. Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se disa prej maturantëve janë kapur me kopje gjatë zhvillimit të testimit, të cilët me urdhër të administratorëve janë larguar nga provimi, ndërsa shumë të tjerë kanë bërë shënime të ndryshme komprometuese.
Rregullorja
“Do të penalizohen kandidatët që bëjnë përpjekje të fitojnë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit, marrin ose japin kopje apo komunikojnë me nxënës të tjerë. Ndalohen gjithashtu edhe komentet lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit. Nga provimi përjashtohesh edhe nëse përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim, të cilat janë stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu. Rezultatet nuk njihen nëse kandidati mban me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve”, parashikohet në rregulloren e maturës shtetërore të këtij viti.
Kështu duke marrë shkas nga kjo pikë, në rregullore theksohet se ndëshkimi do të jetë i rëndë për ta. Nxënësit që do të kapen me kopje, jo vetëm që do të përjashtohen nga provimi, por do të humbasin të drejtën për t’u testuar në provimet e tjera. Për rrjedhojë, kjo kategori nxënësish do të duhet t’i nënshtrohet procesit të maturës shtetërore vitin e ardhshëm shkollor. Kështu, nëse 100 nxënësit që po presin rezultatet për shkak të parregullsive që janë konstatuar në fletët e provimeve të tyre, do të quhen përfundimisht kopjacë, do të përjashtohen nga matura 2011-2012.
Rezultatet
Pas rreth dy javëve, vlerësuesit publikuan rezultatet në sajtin zyrtar të MASH-it, ndërsa sipas informacioneve, numri i mbetësve është më i vogël krahasuar me vitet e mëparshme. Ndonëse jo zyrtarisht, parashikohet se mbi 1 mijë maturantë janë vlerësuar me notën 4, ndërsa mbi 6 mijë të tjerë kanë marrë notën 10, shkëlqyeshëm. Drejtori i arsimit të mesëm sqaron se numri më i lartë i maturantëve që janë vlerësuar me pikë maksimale regjistrohet në kryeqytet.
Situata - Mbi 100 nxënës nuk e kanë marrë ende notën e letërsisë. Shkak për këtë janë parregullsitë e konstatuara në fletët e provimit
Vendimi - Nxënësit do të presin edhe një javë për të mësuar rezultatet, që do të shpallen së shpejti nga komisioni i ngritur në MASH
Masat - Në rast se në fletët e të rinjve vërehen shënime që bien ndesh me rregulloren, do të përjashtohen nga matura e këtij viti
Projektligji
Miratohet drafti, fillorja me 6 klasë
Komisioni i Medias dhe Edukimit miratoi me unanimitet projektligjin për sistemin parauniversitar. Në prezencë të zëvendësministrit të Arsimit, Halit Shamata, kryetarja e komisionit, Valentina Leskaj, deklaroi se është bërë një punë e mirë, pasi në projektligj janë përfshirë disa sugjerime të Partisë Socialiste.
Drafti parashikon që të mbetet në fuqi sistemi 9-vjeçar, por shkolla fillore të bëhet 6 vjet, ndërsa sistemi në gjimnaze do të mbetet 3-vjeçar. Risi në këtë projektligj është pika për gjuhën e huaj, e parashikuar të hyjë si provim i detyrueshëm në gjimnaze vitin e ardhshëm, ku provimi i parë do të zhvillohet në 2014-n, ndërsa në shkollat 9-vjeçare në vitin 2015. Duke iu referuar draftit, gjuha e parë e huaj do të nisë në fillore në klasën e tretë, ndërsa gjuha e huaj e dytë do të nisë në klasën e shtatë.
Studimet
Ministri Buja: Shtohen kuotat për studentët nga Lugina
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, u rikujtoi krerëve të Luginës së Preshevës se sistemimi i studentëve të kësaj ane në Universitetin e Prishtinës përbën një çështje me rëndësi. Ai premtoi se Ministria e Arsimit do të angazhohet në vazhdimësi dhe se propozim-lista me kuotat e studentëve për pranim në këtë vit akademik do të shqyrtohet seriozisht. “Do të bëjmë më të mirën në këtë drejtim. Probleme kemi me drejtimet e shëndetësisë, arkitekturën dhe Fakultetin e Arteve, duke qenë se këto degë pranojnë numër të kufizuar të studentëve”, theksoi Buja.