Libri Letërsia në rrezik është një nga tekstet e T. Todorov, i njohur me disa libra, teorik dhe studimor, botuar disa kohë më parë, që në fakt shënon një qasje interesante për rreziqet që i kanosen letrares në gjithëkohësi. Në faqet e tij kemi të pasqyruar shqyrtimin e një lëngate tjetër, si me thënë të një sëmundje të butë të letrares, të paralajmëruar kohë më parë, që një tekst të ketë lidhje me letërsinë, të studiohet prej shkencës letrare, dhe të formatohet formalisht në vargje, në prozë apo në dramë si letërsi, dhe të ketë mungesa të ndjeshme në marrëdhënie me letraren, madje nganjëherë t’i mungojë plotësisht ajo, e megjithatë ta sundojë skenën letrare. Merreni me mend lëngimin e letrave shqipe, të qarkuara nga simptoma (shenja) të shumta jashtëletrare. Kthimi te ky libër ngjau prej një rrethane specifike, kinse të furisë së debateve, mbase debatesh të sajuara, si dhe në shumicën e vetë pabukëse, të pranishme në shtypin shqiptar prej disa javësh.
Të kuptohemi, nuk është e keqja te debati, përgjithësisht i munguar në shoqërinë shqiptare, aq më tepër në mjediset akademike, të cilat më së shumti gjallojnë, të ngujuar nën vellon e titujve të shumtë dhe të institucioneve të asfiksuara, ndonëse të shkundur nga dija, dhe të lidhur ngushtësisht vetëmse me qerret politike, por te rrekja e mjerë, që sherrin zemërak, personal dhe krahinor, politik e jashtëletrar, ta paraqesin si një debat të mirëfi lltë, e ku madje sharjet të shiten si argumente të fundmë, të dijes bashkëkohore. Pikërisht, ky sherr biografi k i radhës, mbushur me mllefe dhe një zhurmë shurdhuese për spiunër, sigurimsa, hapje-mbyllje dosjesh, heronjsh dhe antiheronjsh, në fakt është një ledh tjetër, si me thënë është një refuzim tjetër i estetikës, padyshim edhe më i madh se të gjithë të tjerët, sepse tashmë të gjithë fl asin në emër të lirisë duke cenuar për ditë lirinë e tjetrit, lirinë e lexuesit që nuk ua ka ngenë broçkullave, e mbi të gjitha lirinë e letrares, e cila zakonisht frymon e pandotur prej mbetjesh jashtëletrare.
Sherrnaja, e mbrapshtë dhe pa vlerë, që ndizet sa herë e lypin nevojat, diku më përtej letrares, pra vetëm me shkase politike dhe të mbizotërimit të mjediseve mediatike, e kanë vënë letërsinë shqipe në një rrezik serioz, në një refuzim estetik të radhës, dhe ka gjasa që ta lënë përjetësisht nën sqetullat e mediokritetit. Po, letërsia shqipe është e vërtetë që ka kohë që është e zhytur në shërbesë dhe parullëzim, ideologji dhe sociologji, por në sistemin ku kemi hyrë, mëtimi për ta sunduar skenën me çdofarë mjeti dhe me pallavra mediatike, del fare zbuluar, pra zakonisht të del prapanica jashtë, sepse nuk arrihet më që të mbyllen sytë, veshët dhe gojët e të gjithëve. Letërsia shqipe, veçmas të tjerash, tashmë gjendet e rrezikuar nga shumë lëngata, e midis tyre, sa për fillim, po përmend vetëm disa:
- Leximi i letërsisë si biografi , i bëmave dhe të pabëmave të akshit dhe akëcilit shkrimtar, pra duke mbetur kështu peng i modelimit të djeshëm, ku autorët ndaheshin, madje me vijë demarkacioni të fortë, në përparimtarë dhe reaksionarë. E tanimë, në distancën e kaq viteve të sistemit demokratik, fare mirë mundet që të flitet, nëse do ta shohim letërsinë si të tillë, për realizmin socialist të djeshëm, që funksiononte sipas verifi kimit bardhë e zi, dhe tashmë përballë tij, mund të fl itet për një realizëm demokratik të sotëm, që vetëm sa ka përmbysur skemën, në zi dhe bardhë. Nëse për të parin, së paku teorikisht kemi rënë dakord se është i pavlerë dhe madje e shajmë gjithë ditën, me të dytin po sillemi paksa çuditshëm, madje krejt si të verbër, ose me gjasë si shërbëtorë të kësaj kohe, duke harruar se edhe realizmi demokratik është veçse ana tjetër e medaljes, që në fakt e vë në zgrip ekzistencën dhe vlerësimin e letrares, sepse në thelbin e vet mbetet një refuzim i pastër i estetikës. Leximi biografik është veçse vijimi i hullisë thelbësore të leximit sociologjik dhe ideologjik të letërsisë, pra duke mbetur kështu gjithnjë larg tekstit, ku fl e vlera letrare.
- Moralitetin me të cilin duan ta mbështjellin sërish letraren, që buron vetëmse prej leximit biografik dhe ideologjik të letërsisë. Vetvetiu vijmë te një çështje e ndërlikuar, lidhja në mes etikës dhe estetikës. Historia, në fakt, ka vërtetuar përgjithësisht se ato ecin paralelisht, porse njëherësh, etikja dhe estetikja, nuk kanë asnjë pikëtakim ndërmjetshëm. Një shoqëri, e hapur dhe e lirë, pamëdyshje që duhet të ngrihet mbi vlerat morale. Nga ana tjetër, arti i fjalës dhe çdo lloji arti tjetër, bazohet vetëmse mbi themelet estetike.
Pra, dihet nga shumëkush, aq më tepër nga doktor-profesorët e institucioneve, shkollore dhe të shpallura si shkencore, se letërsia ekziston dhe funksionon, përfundimisht më përtej rrafsheve të etikës dhe moralizimit të shenjave letrare. Në këtë nahinë tonë, pra në kopshtin tonë letrar, pa shumë shkëlqim, sidomos në marrëdhënie me artet dhe letërsinë, përgjithësisht ngatërrohen punët, sepse letrarja verifi kohet duke u bazuar në kriteret e moralit, e qëllon shpeshherë që e moralshmja të verifi kohet me mjetet letrare. Dje, domethënë në kohën e sistemit monist, shoqëria ishte e ndarë, në të lidhur me komunizmin, dhe sipas vetë sistemit, në ata që e kundërshtonin atë. Pra, komunizmi me të gjithë përbërësit e saj, me Sigurimin e Shtetit, me spiunët dhe bashkëpunëtorët e tij, me anëtarët e partisë dhe simpatizantët, ishte projektuar si një vlerë morale dhe përfaqësuese e shoqërisë shqiptare, e cila u shemb përdhe me ardhjen e demokracisë.
- Amoraliteti, pra qëndrimi i pamoralshëm, në mënyrë absurde dhe frymëmarrëse, po zë vend gjithnjë e më shumë në optikat shqyrtimore të letërsisë. Ky moment, i panevojshëm për t’u ndërlidhur me dëshminë letrare, shpërfaqet me tamtame, sa të zë lemeria se ku po e zhysin sërish letërsinë, me gjasë trajtimin e saj, lidhet me moralizimin e zakonshëm me të cilin e kemi shoqëruar ekzistencën e letrares. Puna është se amoraliteti, pra mungesa edhe e etikës formale, po duken shenja të frikshme për ta paraqitur botërisht dhe me krenari absurde, si majën e verifikimit të drejtë dhe kulmor të letrares. Puna ka mbërritur deri aty sa sigurimsat dhe spiunët e djeshëm (gjithë soji i bashkëpunëtorëve), sa ka një përpjekje serioze për t’i paraqitur si heronjtë e sotëm. Pas pak kohësh, servilët dhe spiunët e sotëm, me siguri po përgatiten që të jenë heronjtë e nesërm.
Po viktimat e djeshme, ku janë? Një pjesë në amshim, një pjesë tjetër të dhunuar, dje në burg e sot me shpërfi llje të plotë. Po ata që nuk patën asnjë lidhje me sigurimin dhe spiunët, përse duhet të dhunohen sistematikisht nga bishtpërdredhurit e politikës së dalëboje? Amoraliteti, sidomos ky i tanishmi, është ngritur duke përdorur dosjet, pra jo duke bërë një lojë të ndershme, të hapen dhe të pastrohemi nga mbetjet e së djeshmes, ose të mos hapen dhe të na lënë rehat, por jo të hapen kështu me përzgjedhje për nevojat klanore dhe politike të caktuar, duke dhunuar shoqërinë sërish me të pavërteta, dhe në rastin më të mirë me gjysmë të vërtetat, që janë shumë afër shpifjes dhe territ të zakonshëm informativ.
Prania e pengojcave, të rrethimit të letrares, tanimë me marifete mediatike dhe qëndrime jashtëletrare, bën që të mos hapet realisht debati për letërsinë, për mediokritetin e djeshëm dhe të sotëm, që para së gjithash përlindet nga ndërkëmbëcat moralë dhe amoralë, ndaj alternativave të ndryshme letrare, të pranishme dje dhe sot. Mbase, e vlen ta kthejmë kokën, një çast të vetëm, për të parë se ku noton letërsia shqipe tani. Letrarja ose thelbi i asaj, që rëndom është quajtur letërsi, ka të bëjë:
A - Me letraren serioze, pra atë pjesë të shkrimit letrar që e vijon ekzistencën në shtratin e hershëm të letërsisë si proces estetik.
B - Me letraren joserioze, e cila përdor arsenalin e mjeteve letrare, por edhe duke i “shpërfytyruar”, pra librat komercialë.
C - Me letraren bestseller, një tip ligjërimi që gërsheton shkrimin serioz dhe komercial të letrares, ku natyrisht përfshihen edhe librat historikë, fi lozofi kë, sociologjikë, seksologjikë etj., që ka si matës nivelin e shitjes, dhe libri tanimë është kthyer në mall.
Rrethanat ekzistenciale të funksionimit të letërsisë, sidomos ato të ikje-ardhjeve të modernes dhe pasmodernes, rrymave dhe shkollave letrare, e bën të pashmangshme verifi kimin nëpërmjet tejqyrës mirëfi lli letrare. Kundrimi në brendësi të materies tekstologjike, e ndërlidhur me heqjen dorë prej leximit biografi k, duhet shoqëruar edhe me shqyrtimin krahasimtar të atij teksti me letërsinë e mëhershme, brenda dhe jashtë vendit. Ky verifikim dhe shqyrtim i domosdoshëm, tashmë i letrares si tekst dhe formësim artistik, krijon premisat dhe parakushtet për t’u përfshirë në shtjellat e funksionimit si letrare të librave që botohen me ritëm kozmik, dhe po kaq shpejt lihen anash skenës letrare, natyrisht pjesa mediokre e “prodhimit” letrar.
Rishtas jemi në një gërshetim të letrares dhe joletrares, të artit me mungesën e plotë të tij, të estetikes dhe joestetikes, domethënë të letrares së pastër, por edhe të një rreziku ndaj letrares, që ekziston vetëm si vlerë estetike, dhe të asaj që shpesh shihet si e tillë, edhe pse gati i mungojnë vlerat dhe shenjat letrare. Ky tip librash, të cilët e kanë vlerën sipas shijes dhe botëperceptimit të botuesit dhe të lexuesit, që nuk lexon tekstin letrar, por famën dhe “kopertinën”, për një masë lexuesish, jo rrallë edhe studiuesish, edhe praninë joletrare, siç është fjala për letërsinë komerciale, ose bjerrja e saj në tipologjinë e shkrimit, enkas për librat bestseller, e emërtojnë shpesh si kulmim letrar, duke tentuar të habisin të tjerët kur për vete nuk janë çuditur aspak.
Në këtë rast mediokriteti shkrimor bashkëlidhet me mediokren studimore dhe ia zënë frymën letrares, e mandej gatiten të zënë fronin e gjenive të letrave (sa shumë ka pjellur toka jonë) të çdo kohe, ndonëse nëpër rreshta nuk fanitet asnjë shenjë letrare, që të yshtesh për ta lexuar, sepse na ka pushtuar shkretëtira e mungesave të vlerave.