Pas pothuajse një shekulli nuk ka kuptim të rrish e të mundohesh që të kuptosh arsyet që detyruan Brodin të mos përmbushte vullnetin e mikut të tij. Vetë personi në fjalë ka thënë shumë herë të tijën, duke mbërritur në një përfundim bindës: librat i takojnë atij që i lexon, jo atij që i shkruan; të privosh njerëzit nga veprat e Kafkës është më kriminale se të tradhtosh një mik…
Më e vështirë (edhe pse jo me pak e padobishme) është të futesh në mendimet e Kafkës gjatë kohës që ishte duke vdekur.
Përse dëshiron të djegë gjithçka? Edhe nëse e dëshironte këtë gjë kaq shumë, përse nuk u mor personalisht? Le të supozojmë që ishte koshient dhe donte që nga librat e tij të mos mbetej asnjë gjurmë, vetëm se nuk ka pasur kurajën ta bëjë vetë punën e pistë… mbetet për t’u shpjeguar një zgjedhje kaq radikale. Çfarë fshihet pas? Mos ndoshta një shtirje e kotë? Sedra e lënduar e një burri, i cili ka dhënë shumë dhe në këmbim ka marrë kaq pak? Apo, për të disatën herë, është një gjendje turpi që ia shkakton vetvetes si një autocensurues i famshëm?
Ose bëhet fjalë për një gjest ekstrem modestie: Franc Kafkës i vjen turp nga shkrimet e tij. I gjykon qesharake, të fryra, të tepruara dhe të padenja për të kënaqur pritshmërinë e tij. Nga ana tjetër, dëshiron t’u kursejë prindërve, të cilët janë të destinuar të jetojnë më gjatë se ai, përballjen me shkrime të çuditshme që mund t’i zhgënjejnë. Dëshiron të prehet në paqe, por druhet se turpi i një personazhi të famshëm, mund të jetojë më shumë se ai vetë.
Është më e dobishme t’i fokusosh kërkimet diku tjetër. Ishte Milan Kundera që na paralajmëroi të tregohemi të kujdesshëm e të mos rrëmbehemi prej “kafkologjisë”. Ose e thënë më ndryshe, nga një mënyrë të analizuari “librat e Kafkës jo në kontekstin më të gjerë të historisë letrare (historisë së romanit europian), por thuajse ekskluzivisht në brendësi të mikrokontekstit biografik”. Kundera ankohet për keqkuptimin e pistë të krijuar nga Maks Brod, ai e quan fajtor se e transformoi rastin letrar të Kafkës në një rast njerëzor. Por, po ta shikosh mirë, dhe miqtë e tjerë nuk mbeten pas. Johannes Urzidil, Kurt Ëolff, Friedrich Thieberger…Ja se çfarë shkruan Hugo Bergmann, shok shkolle i Kafkës nga Izraeli: “Thuhej se Kafka shkonte në Palestinë, për popullin hebre dhe për veten e tij në veçanti, për fillimin e jetës së re, një fillim të ri të vërtetë drejt pastërtisë shpirtërore, në realizimin qiellor mbi tokën e Jeruzalemit”.
Që Kafka kishte treguar simpati për lëvizjen çifute, është një e dhënë e konstatuar, por që të mbante në të një shpresë të tillë transformimi, të thuash qesharake, është pak. Më mirë t’i besojmë një dëshmie më autoritare, që i përket epokës në të cilën Kafka ishte ende gjallë dhe i panjohur, bërë nga dora e një prej njerëzve që e donte më shumë, dhe që çdo gjë ia shprehte pa qejfmbetje, Milena Jasenka. Siç dihet, letrat e Milenës dhe Kafkës kanë humbur. Por jo ato që ajo shkëmben me Brodin, pikërisht në ditët, në të cilat po konsumohej fundi i dashurisë miqësore me Kafkën. Në një prej tyre, gjejmë të shkruar: “Ju më pyesni se si është e mundur që Franci ka frikë nga dashuria dhe nuk ka frikë nga jeta. Por unë mendoj se nuk është kështu. Ai e koncepton jetën ndryshe nga njerëzit e tjerë. Mbi të gjitha paranë, bursën, zyrën e këmbimeve, makinën e shkrimit i shikon si gjëra mistike, për të janë enigma të çuditshme përballë të cilave nuk ka absolutisht sjelljen që kemi ne”. Shikoj qysh tani kafkologun e dyshimtë që fërkon duart, gati për të krijuar përçarje rreth misticizmit kafkian.
Në realitet, duke u bazuar në atë që thotë Milena misticizmi i Kafkës është thjesht një mungesë patologjike e sensit praktik, ose nëse preferoni, një kthjelltësi e tepruar. Milena tregon një anekdotë qesharake - e denjë për Mr.Bean: Kafka në zyrën e postës mban reston e gabuar të dhënë nga një nëpunëse e hutuar. Në këtë situatë Kafka, më tepër se një shenjt interpreton pjesën e një kopraci kokëfortë. Për Kafkën është esenciale që të jetë korrekt me të gjithë, por me sa duket jo me punonjësit e zyrave postare. Me pak fjalë, po t’i japësh të drejtë Milenës, asketizmi i Kafkës nuk është tjetër veçse një mospërputhje e dyshimtë me botën përreth. Kjo letër e Milenës ishte në periudhën në të cilën Kafka punonte me dy tregimet e tij kryesore “Strofulla” dhe “Vuajtje e parë”. Maja më e lartë e artit kafkian: Me “Kështjellën” ka arritur një ekuilibër midis ashpërsisë formale dhe thellësisë poetike, duke thyer përgjithmonë prizmin e padukshëm që ndan faktin real nga ëndrra abstrakte. Ka bërë atë që Breton nuk ëndërron as ta imagjinojë. Dhe e ka bërë thuajse instinktivisht. Nuk është e vështirë të kuptosh kush është individi i çuditshëm i rrethuar nga armiqtë që na flet në tregimin e “Strofullës”. Është një punë e padobishme për t’i dhënë identitet. (“Kafka nuk mund të kuptohet nëse nuk lexohet në letër”, thotë Roberto Calasso).
“Vetmia radikale e qiramarrësit të tregimit “Strofulla”, nuk është ndryshe nga ajo e akrobatit të cirkut në tregimin “Vuajtje e parë”, ku ky i fundit, akrobati, kalon ditë e natë mbi trapez. Një pararendës i shfrenuar i Baronit që qëndron atje lart, edhe sikur bota të shembet. Kontakti me sipërfaqen tokësore e asgjëson. Trapezi është shtëpia e tij ideale. Në qoftë se qiramarrësi i librit te “Strofulla” ka gjetur vendbanim në thellësinë e tokës, akrobati zgjedh qiellin, ajrin si një zog pa krahë: “Nga ana tjetër jeta atje ishte e shëndetshme, kur në stinën e ngrohtë hapeshin dritaret anësore, në atë ambient të zymtë depërtonte ajri i freskët dhe drita e diellit bëhej e bukur.”
Fantazma e Floberit
Gjatë provimeve, profesor Nabokov, koshient për vëmendjen që Kafka u kushtonte interpretimeve alegorike, detyron studentët t’i përshkruajnë mobilien e dhomës së Gregor Samsës, duke i paralajmëruar për përdorimin e shpjegimeve të guximshme frojdiane. Gjatë leksioneve, nga ana tjetër, ka shpjeguar se Flauberi është shkrimtari që ka ndikuar më shumë te Kafka. “Floberi që urrente prozën e shurdhët, do ta kishte duartrokitur mënyrën e Kafkës.” Ky i fundit pëlqente shumë të nxirrte termat që përdorte nga fjalori i drejtësisë dhe i shkencës, duke u dhënë atyre një kuptim ironik, pa asnjë ndërhyrje të ndjenjave personale të autorit; ishte saktësisht metoda, me të cilën Floberi kishte arritur efikasitetin e tij poetik.
Në një letër të vitit 1904 Kafka i rrëfen Brodit që “Tek Floberi ka vetëm ide që lidhen me fakte, jo fjalë të ndjeshme”. Ngjashmëria midis Floberit dhe Kafkës (tashmë një rast klasik i kritikës) të bie menjëherë në sy nga: vendosmëria, disiplina, ironia. Të gjitha këto nuk takohen në stilin rigoroz të jetës së tyre (por këtë le mos t’ia themi Nabokovit). Kafka, para së gjithash, i kërcënuar nga ndjeshmëria e lartë, se në planin profesional mund të krijojë një lloj murgjërie artistike. Një asketizëm “që lind nga konstatimi se jeta dhe arti, edhe pse ngjajnë, u përkasin planeteve të ndryshme”. Edhe pse për të ekzistuar, të paktën njëra nga të dyja ka nevojë për tjetrën, është më mirë t’i mbash në një distancë të sigurt.
Floberi thoshte që “artisti duhet t’i bëjë brezat të besojnë se ai nuk ka jetuar”. Më duket se Franc Kafka u është përmbajtur më së miri direktivave të mësuesit, nga kjo kuptohet përse të dy kanë probleme me publikimin. Është legjendar perfeksionimi floberian, sikur e gjithë mjeshtëria e tij të shprehej më së shumti gjatë shkrimit të romaneve se gjatë publikimit. Njëherë i rrëfeu mikut Du Camp, se në qoftë se do të kishte patur para do t’i kishte blerë të gjitha kopjet e “Madame Bovarisë” për t’u vënë flakën.
Një sforco ekonomike, që Kafka mund t’ia kishte kursyer vetes
Kafka në jetë botoi shumë pak. Po të mos kish qenë ndihma e disa miqve, do të kishte botuar edhe më pak.
Kurt Wolf, një nga botuesit e tij të vonë, kujton: “Në atë kohë më tha diçka që nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë më parë nga ndonjë autor, as që do ta kisha dëgjuar më në vazhdim, dhe që për këtë mbetet në mënyrë të padiskutueshme unik, i papërsëritshmi Kafka: “Do t’ju isha përgjithmonë mirënjohës në qoftë se do të refuzoni botimin e dorëshkrimeve të mia në vend që t'i publikoni.”
Duket sikur Kafka nuk ka patur forcë për ta duruar ankthin e botimeve. U shkruan letra me një përmbajtje të tillë, “atyre që ne sot i quajmë botues, duke iu lutur që të mos bënin këtë apo atë. I druhet së tepërmi faktit që një nga shkrimet e tij mund të mbërrijë te publiku. Nuk u trembet kritikave”. Kush mund të shprehte rreth librave të tij gjykime më të ashpra se ato që ai vetë formulonte? Ndoshta publikimi i shkakton këtë ndjesi të brendshme jo të mirë. Botimi është një akt i çmendur.
Në qoftë se shkrimi i një libri i përket letërsisë, publikimi është punë për zyrat e postës. T’i kërkosh Kafkës të botojë është si t’i kërkosh akrobatit të braktisë trapezin. Është një gjest jo më pak i panatyrshëm nga ai që të përfundojë shkrimin e një romani. “Kështjella” nuk është i papërfunduar sepse Kafka nuk dinte si ta përfundonte, por sepse nuk mund të ishte ndryshe. Mospërfundimi i librit është një sjellje e pazëvendësueshme, hakmarrja e një punonjësi të shpirtit që nuk do të humbasë vendin e punës: “Nuk do t’ia dilni të më dëboni nga kështjella ime.”
Kafka si çdo autor modern i madh ka një ide romantike për artin. Alegoria e tij nuk është më pak patologjike se ajo e Malarmesë. Dhe meqenëse ra fjala te romantikët, përse Balzak shpiku “teknikën e kthimit të personazheve”, përveçse që komedia e tij të mos kishte kurrë një fund? Në fund, vetë “Recherche-ja” ishte ndërtuar për të shoqëruar autorin e saj gjer në vdekje. Kush njeh nevojën për të jetuar brenda librave që shkruan e di sa e dhimbshme është kur ata marrin formë përfundimtare dhe, porsi fëmijë mosmirënjohës shkojnë nëpër botë me këmbët e tyre të zbathura dhe dhëmbët e shtrembër.
Kundera shkruan përsëri: “Mjaft më duke shfletuar gazetat e përjavshme politike amerikane apo evropiane, të së majtës apo të së djathtës, nga “Time” deri tek “Spiegel”: kanë të gjitha të njëjtin vizion për jetën, që reflektohet në organizimin e një përmbledhjeje të njëjtë, me të njëjtat rubrika, me të njëjtat forma gazetareske, me të njëjtin fjalor dhe të njëjtin stil, me të njëjtat shije artistike dhe të njëjtën hierarki midis asaj që konsiderojnë të rëndësishme dhe asaj që e konsiderojnë të pakuptimtë. Kjo mënyrë e punës së mediave fshihet pas bindjeve të ndryshme politike dhe shpirtit të kohës sonë, që më duket e kundërt me shpirtin e romanit”. Është e këshillueshme të imagjinosh një Kafkë mrekullisht të shëruar nga turbekulozi, që i ka shpëtuar përndjekjes hitleriane dhe që është bindur nga të tjerët të botojë romanet e tij (por jo t’i përfundojë). Ja këtu, shtatëdhjetëvjeçari i Pragës, me lëkurën që bie në kontrast me “tempujt e zbehtë”, plot sharm të miteve evropiane, në krahë të Donës besnike… Sapo ka mbërritur në Nju Jork ashtu si Karl Rosmani i tij. Tashmë, falë një agjenti shtypi të mrekullueshëm si Maks Brod, Kafka është një shkrimtar i famshëm. Librat e tij janë të mirënjohur në të gjithë botën. Të gjithë e përmendin, për më tepër në mënyrë të paqëllimshme.
Një herë një shoqatë izrealite kërkoi për shtetin e Izraelit me zë të fortë çmimin Nobel. A mund ta mendoni në kopertinën e “Time”? Arrini ta imagjinoni ndërsa firmos një kopje të procesit, ndërsa një zonjë i pëshpërit: Mund t’ia dedikoni vajzës sime Lucy? Është një fansja juaj e madhe. Apo gjatë një konference shtypi, të shpërfytyruar nga flash-et: një gazetar që e pyet sa autobiografik është “Metamorfoza”; një tjetër që a ka në mendje një vazhdim për “Procesin” dhe nëse bën tifo për Sparten apo Slavia Pragën (Për rolin e Fridës mendonim Liz Taylor.
Jo, Zoti Kafka, mos u trembni për ngjyrën e flokëve. Jemi në Hollyëood: një paruke bionde është lejla, lojërat janë fakte)? Kush e di, ndoshta gjithë ky njeriu i famshëm do të kish mundur të gëzonte humorin dhe shëndetin, me siguri dhe portofolin. Ndoshta Kafka kishte kuptuar më herët nga të gjithë se dhe suksesi është një çështje burokratike, por gjithmonë më mirë se sa të dënohesh pa arsye. Por, diçka më thotë për të ishte dëshpëruese - dhe në një farë mënyre edhe poshtëruese - ideja që gjithë ata njerëz të fusnin hundët në atë çka ai kishte shkruar me një kujdes të veçantë.
Përktheu nga origjinali italisht: Valeria Dedaj