Letersia qe bejme sikur e njohim

Letersia qe bejme sikur e njohim
Visar Zhiti tenton të klasifikojë autorët dhe veprat që u shkruan në kundërvënie me ideologjinë e regjimit komunist. "Letërsia e dënuar" nuk është shkruar mbi një metodë shkencore, por mbi kujtesën dhe dëshmitë për periudhën 1944-1990. "Administrata është shteti në miniaturë", thotë Visar Zhiti kur e ka lënë pas Ministrinë e Punëve të Jashtme, i emëruar aty prej dhjetë ditësh, me të mbaruar mandatin e atasheut për kulturën në Ambasadën Shqiptare në Romë.

Karrierën burokratike e ka filluar në dy vende, shtëpia botuese "Naim Frashëri" dhe administrata e Parlamentit të Shqipërisë (ish Komiteti Qendror), që kishin frymëzuar dënimin e tij si poet në vitet tetëdhjetë, siç dëshmon akt-ekspertiza e krijimeve të tij.
Letërsia dhe ideologjia, autori dhe shteti, është subjekt i vazhdueshëm i shkrimeve të Visar Zhitit.

Në panairin e fundit të librit në Tiranë prezantoi sprovën letrare "Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar" ("Omsca-1", 2010). Teksti u ribotua shumë shpejt. Ishte hapur ndërkohë një diskutim për letërsinë e realizmit socialist dhe nën rrezen e qëndrimeve shkencore, në një kapitull shtesë autori reflekton duke vënë përballë termi "realizëm socialist" termin "realizëm i dënuar".

Me pak fjalë, ky është anti-realiteti si një ndodhi reale, e jetës, e fateve njerëzore më njërën anë dhe si një botë fiction, e letërsisë, si shmangie nga skema e metodës zyrtare të realizmit socialist, më anë tjetër. Në librin "Rrugët e ferrit" të cilin e pati klasifikuar si një zhanër të ri të quajtur burgologji, Zhiti ka bërë përpjekje ta trajtojë anti-realitetin jo si propozim teorik, por si rrëfim i përvojave personale në hetuesi, kampin e Spaçit, në burgun e Qafë-Barit, ku vuajti dënimin në vitet 1979-1987.

Shkruan aty: "Diktaturat e majta dhe të djathta kanë shumë frikë nga librat. Prandaj ato i bëjnë të gjitha që nga zhdukja e dorëshkrimeve e deri te likuidimi fizik i autorëve. Në Berlin, hitlerianët dogjën mes entuziazmit 10.000 libra. Doganierët në Angli dogjën 499 copë të "Uliksit" të Xhojsit. Në Kinë gardistët e kuq disa ditë me radhë digjnin biblën. Ndërkaq filloi aktiviteti i fshehtë i botuesve. Samizdat quhet. Kështu u shtyp në Bashkimin Sovjetik "Doktor Zhivago", më 1956."

Sprova e fundit ku rimerr ide dhe informacione nga tekste të tijat të mëparshme, kalon nëpërmjet përshkrimit si më lart, të fatit të librit të ndaluar, një kapitull letraresk ku megjithatë, në mënyrë spontane autori del te një krahasim i parimeve të ndalimit të sistemeve komuniste dhe religjioze. "Nuk e kam pasur qëllim", përgjigjet autori, "komunizmi është një lloj feje, por pa Zotin." Te "Origjina e dhunës" ai prezanton rastin shqiptar të letërsisë së dënuar, me një klasifikim të autorëve të zhdukur, me vetëvrasje, vrasje, arratisje, burg qysh në krye të herës, në ag të instalimit të regjimit, më 1943. Letërsi e dënuar është sipas Zhitit përcaktimi për atë letërsi "që u dënua për kumtin që bartte, kumt që binte ndesh me ëndrrën komuniste, me kohën e re, me njeriun e ri, një ëndërr që shihte përjetësinë e atdheut.

U ndalua edhe për shkak të biografisë së autorëve të cilët shikonin letërsinë si diçka më vete, të papërzier me politikën." Ai tregon se sprova është bërë nga kujtesa, nuk ka shfletuar dosje. Qëllimi ishte që të sensibilizojë opinionin se ekziston një letërsi e cila nuk po spikat, nuk po konturohet dot për shkak të rrethanave të jashtme penguese, jo për shkak të vetë letërsisë.

"Humbim kohën për gjëra që nuk kanë fort rëndësi, si për shembull cili është romani i parë i letërsisë moderne shqipe. Ky diskutim nuk është pjesë e letërsisë, por e historisë së letërsisë dhe për mua letërsia nuk është e barabartë me historinë e letërsisë. Këto e reduktojnë letërsinë.

Ne nuk mbajmë parasysh se u pengua Kasem Trebeshina, nuk u quajt Kin Dushi, letërsia në diasporë, e kam fjalën për Ernest Koliqin. Politika ka ndërhyrë në letërsi, shteti ka ndërhyrë në letërsi, dhe shkrimtarët i kanë shërbyer shumë shtetit dhe politikës". Me sentencën kishte autorë që te letërsia nuk i çoi liria por robëria, Zhiti ka bërë një ndarje të qartë të letërsisë së vërtetë, të autorëve të talentuar që s'kishin nevojë që për të shkruar të provonin burgun. Këto fatalitete ai mendon nuk janë vetëm me shkrimtarët e burgjeve, janë dhe për ata që s'ishin në burgje, dhe nuk duhen marrë në konsideratë. Pse nuk është i kënaqur, pse nuk e quan të mbyllur këtë diskutim, 20 vjet më pas? "Ndjeja nëpërkëmbjen kur është thënë që kjo letërsi na zhgënjeu.

Nuk është qytetare të thuhet kjo dhe së dyti nuk e kemi njohur dhe studiuar akoma këtë letërsi. Pse na zhgënjeu? Pse u fut në burg Kasem Trebeshina, Astrit Delvina, Arshi Pipa? Për të mos bërë letërsi. Dhe ata bëjnë aktin tjetër: shkruajnë dhe atje ku nuk lejohej, ku dhe janë vrarë për këtë gjë. Të paktën treguan që nuk asgjësohet dot dëshira për të shkruar dhe pa këtë dëshirë nuk mund të ketë letërsi. Në një vend ku nuk të lejohej pena dhe ti të nxjerrësh një libër prej andej! Kjo e nderon kulturën e një populli. Ata që e nëpërkëmbin bëjnë alibinë e veprës së atyre që shkruajtën në kushte komode, me shpërblimin më të madh."

Puna e ngathët dhe me nge e studiuesve e kritikës me "panteonin e nëndheshëm" e mërzit, po aq sa mënyra e përfaqësimit të autorëve të kësaj letërsie në tekstet shkollore. E mërzit kjo plogështi që sikur provon se gjërat vazhdojnë ashtu siç ishin, se ç'ishte e mirë atëherë del se na ka qenë e mirë dhe për sot e përgjithmonë, se shqiptarët paskan qenë kuaj të verbër. Ai ka vënë re se hartuesit e teksteve shkollore janë mjaftuar me pjesëmarrjen e Trebeshinës apo Koliqit, por jo që të përfaqësohet kumti i letërsisë së tyre.

Autori e pranon se në mënyrën si i është servirur opinionit publik "letërsia e sirtarëve", nuk kanë ndikuar për mirë edhe zërat nga "radhët tona" të cilët i kanë bërë jehonë me mediokritetin, klithmat, me politizimin. Zhiti e përmbledh këtë situatë me shprehjen latine "fitimtarët imitojnë të mundurit e tyre". Megjithatë ai ka shpresë se do të ketë kohë të shohim që letërsia që nuk komunikoi me lexuesin, ka qenë një letërsi tjetër, kundra një realiteti që nuk e lë jetën. "Është e qartë se ajo letërsi që nuk ka jetën tënde nuk bëhet jetë e të tjerëve."

Kush është

Visar Zhiti (1952) u lind në Durrës, u rrit në Lushnje, u shkollua në Shkodër dhe punoi mësues në Kukës. Qysh në vitin 1972 nis të botojë poezi në periodikë letrarë. Më 1973 ishte duke përgatitur për botim përmbledhjen "Rapsodia e jetës së trëndafilave" kur ndodhi goditja në kulturë dhe arti nga Plenumi IV i Partisë së Punës. Autorë të shtëpia botuese "Naim Frashëri" bëhen hartues të akt-ekspertizës e tij në tetor 1979. Aty shkruhet: "Ky letrar ka vazhduar me ndërgjegje të ecë në gjurmët e një poezie të huaj për shoqërinë tonë dhe të mbushur me dije të gabuara politike, me koncepte dekadente, ose "të majta" dhe me një ndikim të hapur të poezisë moderniste reaksionare.

Në të gjitha variantet e sjella në redaksi ai ka po ato poezi, po atë koncept për poezinë, gjë që dëshmon se ai me bindje ka vazhduar të ecë në një rrugë të gabuar politike dhe artistike. Fantazia e sëmurë, paqartësia dhe hermetizmi, ekuivoket e rrezikshme me nëntekst politik, konceptimi modernist kanë qenë disa nga tiparet kryesore të poezisë së tij.

Duke analizuar për së afërmi dhe tërësisht poezinë e këtij letrari, arrijmë në përfundimin se gabimet janë të rënda dhe bien ndesh me gjithë zhvillimin e poezisë sonë të realizmit socialist... Ky pseudo-poet me imitimet e shëmtuara të artit reaksionar është përpjekur të mbjellë barëra helmuese në kopështin tonë të pastër letrar dhe të prishë kështu atmosferën tonë letrare." Visar Zhiti u arrestua më 8 nëntor 1979 në Kukës. U dënua në prill 1980 me 13 vjet burg në Spaç, më pas në burgun e Qafë-Barit. Në janar 1987 u lirua dhe punoi në fabrikën e tullave në Lushnje. Në vjeshtë 1991 emigroi në Itali ku punoi deri në korrik 1992.
Deputet i pavarur për një vit në Parlamentin Shqiptar, dhe më 1997 atashe për kulturën në Ambasadën Shqiptare në Romë, deri më 1999.

Përmbledhjen e parë poetike "Kujtesa e ajrit" e botoi më 1993; vëllimi i dytë "Hedh një kafkë te këmbët tuaja" që u botua më 1994, përmban 110 poezi të burgut krijuar ndërmjet viteve 1979-1987, të cilat ia "kishte shpëtuar" kujtesa.

Ka botuar edhe përmbledhjet poetike "Mbjellja e vetëtimave" (Shkup 1994), "Dyert e gjalla" (Tiranë 1995), "Kohë e vrarë në sy" (Prishtinë 1997), "Si shkohet në Kosovë" (Tiranë 2000). Autor i vëllimeve me tregime "Këmba e Davidit" (1996), "Valixhja e shqyer e përrallave" (1997). Ka përkthyer në shqipe lutje të Nënë Terezës, nga Federico Garcia Lorca dhe Mario Luzi. Më 1991 është vlerësuar në Itali me çmimet "Leopardi d'oro" dhe më 1997 me "Ada Negri".

Përkthyesi i Zhitit në anglishte, albanologu Robert Elsie, dallon në krijimtarinë e tij mbi të tjera humanizmin: "Ajo që dallon Visar Zhitin është respekti i thellë absolut për gjithçka njerëzore. Kjo kronikë tmerresh të kohës është pa kurrfarë frymë ligësie e urrejtjeje dhe pa atë tiparin kaq shqiptar - thirrjen e palëkundur për hakmarrje."

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama