Letersia shqipe me lart nga ce mendojme

Letersia shqipe, me lart nga c'e mendojme
Çmimet Kombëtare të Letërsisë, juria përpunon të dhënat për panoramën letrare nga viti 2010. Pas mbledhjes së djeshme të jurisë, kryetari Agron Tufa e vlerëson shumë atë që po ndodh sot me letërsinë shqipe. "Shekulli" boton klasifikimin paraprak të veprave dhe autorëve në konkurrim. Agron Tufa jo vetëm pranoi të komentojë prurjet letrare në prag të Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, por ofroi edhe një listë të ngushtë emrash dhe veprash që po shkojnë drejt finales së konkursit, çka nuk ka ndodhur në vitet përpara.

Pas mbledhjes së djeshme të jurisë e përbërë nga Persida Asllani, Virgjil Muçi, Balil Gjini dhe Bardhyl Londo, Tufa në pozitën e kryetarit, bëri të ditur për gazetën të dhënat e panoramës letrare nga viti 2010. Në listën paraprake vëren ndër të tjerë emrat e Zija Çelës, Idlir Azizit, Rudi Erebarës etj. për prozën, e Zef Zorbës, Arjan Lekës, Preç Zogajt për poezinë, Ardian Klosi, Aristidh Ristani, Jonila Godole, Mimoza Hysa, Dritan Çela për përkthimin, Kiço Blushi dhe Jani Boçari për letërsinë për fëmijë, e me radhë.

Fundi i janarit, fillimi i shkurtit, është koha e ndarjes së çmimeve shtetërore që mbështen prej më se një dekadë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.Cili ishte rezultati i mbledhjes së sotme të jurisë së Çmimeve Kombëtare për Letërsinë?

Rezultati ishte ai që prisnim prej kohësh: ngushtimin e rrethit të vlerave sipas titujve në të gjitha zhanret. Me gjithë ndjekjen individuale e të natyrshme të botimeve përgjatë vitit 2010, detyra, përveçse voluminoze, ka qenë vlerësimi dhe krahasimi në mënyrë skrupuloze në drejtim të risisë dhe rëndësisë së veprave.

Kemi qenë të detyruar të mos bëjmë diferencime në arritjet më cilësore të botimeve pa u mbyllur data 31 dhjetor 2010, kohë kur mbaron dhe ISBN-ja e fundit e regjistruar në Bibliotekën Kombëtare. Ndërkaq listat e ISBN-së nuk e përfaqësojnë përfundimisht
gjendjen e peizazhit të botimeve vjetore, pasi procedura e regjistrimeve ndodh shpesh të vonohet, kështu që kemi shqyrtuar imtësisht katalogët e botimeve vjetore të shtëpive tona botuese.

Vepra që merret në shqyrtim, duhet me patjetër të jetë botuar në Shqipëri dhe të jetë e katalogizuar me ISBN në BK. Nuk mendojmë se na ka mbetur ndonjë peng, që të kemi harruar ndonjë autor apo vepër. Si do ta përshkruanit panoramën e prurjeve letrare për vitin 2010, për dukuritë që shfaq, qoftë edhe për ndonjë zbulim që pritet t'ia prezantojë publikut ky konkurs. Përkundër shpërndarjes së keqe të librit, realiteti i botimeve të "shokon" për mirë.

Ka një prurje të paimagjinueshme në shumë zhanre. Zhanri i prozës së gjatë, romanit, ka një "bum" cilësor me emra relativisht të rinj, por të ngulitur, krahas autorëve gjerësisht të njohur. Ndërkaq që tek proza e shkurtër vihet re një kopraci. Dikur vendin e parë e zinte poezia.

Por tendenca e narrativës së gjatë flet për një konsolidim të sistemit letrar, çka lajmëron, se letërsia po funksionon si sistem zhanresh në mënyrëgjithnjë e më demokratike, pavarësisht një mungese relative të ndikimit të teorive dhe kritikës letrare.

Sigurisht edhe poezia ka një rivalitet të fortë emrash e titujsh. Sipas meje ka dhe "zbulime", qoftë në kritikë & teori, qoftë në strategjinë e rrëfimit apo vargut. Bindem gjithnjë e më fort se letërsia shqipe është shumë më lart nga opinioni që kemi ne për të.

Në mënyrë specifike, dhe parë me sytë e një letrari jo thjesht të kryetarit të jurisë, parashikohet një konkurrim i vërtetë i vlerave letrare? Padyshim! Autorët shqiptarë nuk janë të rastësishëm dhe vijojnë t'i kushtojnë vëmendje përsosjes stilistike, gjuhës dhe konceptimit artistik dhe filozofik te veprës letrare. Me këtë unë nënkuptoj "cilësinë", konturet e autorit. Kjo e bën gjykimin shumë të vështirë dhe me përgjegjësi, çka do të thotë të mirëargumentosh zgjedhjen tënde.

Në Shqipëri të gjithë krijuesit njihen me njëri-tjetrin, në një mënyrë a në një tjetër. Problemi qëndron tek gjykimi "i kulluar", i pastruar në maksimum nga subjektivizmat, në mënyrë që zgjedhjen tënde ta argumentosh jo sot për sot, por gjithmonë. Që zgjedhja e vlerës të mos jetë e relativizueshme në kohë, pa vrarë mendjen se si do të pritet, kush do të kënaqet e kush do të brengoset.

Të tjerat dihen: bashkë me autorët edhe gjykuesit janë vdektarë. Nuk bëhet fjalë për një gjykatës universal. Tekefundit çdo çmim, deri tek çmimi "Nobel", nuk është "gjyqi i fundit".

Është hera e dytë që ju jeni në jurinë e këtyre çmimeve. Mendoni se ka ndryshuar diçka për mirë në prestigjinin e vet çmimit dhe a ka vend për më shumë, në drejtim të mundësive që iu jepen autorëve dhe veprave fituese? Ka ndryshuar realiteti letrar, kanë ndryshuar individualitetet, ka ndryndryshuar peizazhi i botimit dhe konteksti i vetëkulturimit.

Letërsia është në ndryshim të përhershëm drejt një pozicionimi karshi te Përjetshmes. Ka mjaft emra të rinj, që kanë shënuar rritje të natyrshme artistike dhe japin tonin, diksionin, gjuhën dhe estetikën e shkrimit letrar. Ka ndryshuar dhe vlera financiare krahasuar me tetë vjet më parë kur kam qenë në juri.

Prandaj është me shumë rëndësi, që vepra fituese sipas zhanreve e llojeve, të orientojë lexuesin tonë (por edhe të huaj) tek një vlerë e vërtetë e jo fiktive. Kjo krijon besueshmëri dhe jo zhgënjim.

Por,nëse tregu ynë i librit dhe shpërndarjes është plotë të meta, evidentimi i titujve dhe autorëve, pavarësisht nëse fitojnë a nuk fitojnë,sjell një korrigjim të domosdoshëm në orientimin e vëmendjes.

Ne kemi autorë që kanë botuar një varg veprash dhe askush nuk i njeh, për shkaqe publiciteti, largësish gjeografike apo shpërfilljeje të botuesve dhe librashitësve. Çmimet duhet të synojnë ta ndreqin, sadopak, këtë padrejtësi, që për mua është mëkat. A do të shpallë juria një
listë parafinale kur të bëhen të ditur kandidatët për konkurrentë në secilën gjini?

Patjetër.

Sot janë përcaktuar disa nga emrat dhe titujt që do të vijojnë garën. Ato janë zgjedhur nga secila gjini me më shumë se 30-40 botime. Konkretisht unë po jap një klasifikim paraprak të një rrethi të ngushtë veprash, sipas gjinive.

Proza e gjatë (roman, novelë): 1. Zija Çela: "Goja e botës", roman

2. Idlir Azizi: "Terxhumani", roman

3. Mehmet Kraja: "Hotel Arbëria", roman 4. Ramiz Gjini: "Bibollasit", roman

5. Rudi Erebara: "Vezët e thëllëzave", roman

6. Lindita Arapi: "Vajzat me çelësa në qafë", roman

7. Ahmet Dursun: "Pena e gardianit", roman Proza e shkurtër (tregimi):

1. Ritvan Dibra: "Në kërkim të fëmijës së humbur", tregime 2. Uran Butka: "Dora e shtetit", tregime 3. Ramiz Gjini: "Posta që sjell era", tregime Poezia (vëllim poetik, poemë):

1. Arjan Leka: "Ndreqje gabimesh", poemë

2. Zef Zorba: "Buzë të ngrira në gaz",
poezi

3. Petrit Nika: "Qenia brenda enës", poezi

4. Preç Zogaj: "Nuk ndodh asgjë veç
dashurisë...", poezi

5. Anna Kove: "Djegë ujërash", poezi 6. Zimo Krutaj: "Hojëza fryme", poezi Kritikë & teori letrare:

1. Anastas Kapurani: "Migjeni: parathënie në dy kohë", studim

2. Eldon Gjika: "Cikli filozofik i Lasgush Poradecit", studim

3. Sabri Hamiti: "Poetika shqipe", teori, sdudim & interpretim.

4. Behar Gjoka: "Shkrimtaria e Martin
Camajt", studim

5. Lisandri Kola: "Satira e Fishtës në epikë", studim Përkthimi artistik:

1. Ardian Klosi: "Proza e shkurtër e Kafkës", Franc Kafka, përkthim

2. Aristidh Ristani: "Loja e rruazareve prej qelqi", roman, Herman Hese, përkthim

3. Jonila Godole: "Elegji Duine", poemë, Rajner Maria Rilke, përkthim 4. Severina Pasho: "Ishulli i Mundshëm",

roman, Micchel Houellebesq, përkthim

5. Aristotel Spiro: "Vepra poetike", Konstandin Kavafis, përkthim

6. Mimoza Hysa: "Të vish në jetë", Margaretë Mazantini, përkthim

7. Dritan Çela: "Kryeveprat", Dino Buxati, roman, tregime, përkthim Në letërsinë për fëmijë:

1. Kiço Blushi: "Mos", roman

2. Jani Boçari: "Bor-for, kronikat e Askanit", roman
Letërsia rishtare (debutuese):

1. Manjola Brahaj: "Vajtimi i Kalipsosë", poezi
2. Arti Lushi: "Humus", proza

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama