Letersia shqipe ndodhet ne zgrip ekzistencial

Letersia shqipe ndodhet ne zgrip ekzistencial

Krijimi i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, është një sfidë e ndërmarrë. Është një sfidë për të kuptuar se ne kemi nevojë që të komunikojmë pak më ndryshe, kemi nevojë që të kundrojmë se çfarë ka ndodhur me kulturën, me librin, me letërsinë shqipe në shtjellat e kohës. Është sfidë për shkak se vetë fati i librit, edhe i autorit shqiptar ndodhet në këtë moment, në një zgrip ekzistencial. Shkrimtari, autori, për probleme ekonomike, ndodhet në një moment, që mund të thuash se: “E drejta e autorit ka ikur në drejtim të paditur!”. Kjo metaforë në fakt nuk e shfaq thelbin e gjithë situatës, por në fakt jemi në një situatë pak më të vështirë. Natyrisht që bashkangjitur me të drejtën e autorit, është edhe fati i letërsisë shqipe. Në gjykimin tim, letërsia shqipe, e cila na mundësoi që të rilindim si komb, gjendet në një moment jo kaq të lehtë, do të thosha në një moment jetik. Them kështu për vetë faktin se rrënimet globale, ekonomike, politike, edhe shumëçka tjetër, e vështirëson ekzistencën e kulturës. Nga ana tjetër letërsia është identiteti, është e vetmja gjë me të cilën ne mund të shkojmë, mund të komunikojmë, mund të ballafaqohemi, si ekzistencial. Natyrisht nuk është se Qendra “Pjetër Budi” merr përsipër zgjidhjen e të gjitha problematikave, por guxon, sfidon veten, sfidon këtë kohë, pa kohë. Sfidon këtë kohë tepër të vështirë. Po ju them me bindje se e kam biseduar me miq këtë ide, edhe të gjithë fillimisht e kanë konsideruar si t’i hysh detit në këmbë, por mesa duket pa ide, pa pasion, apo pa dëshirë, është e pamundur, që të bësh ndryshimin.

Unë do të thoja se e gjithë ajo situatë na çoi tek ideja fillestare, që të merremi me disa problematika që ne i ndeshim shpesh, por që bëjmë sikur nuk i shikojmë, ose realisht nuk i shohim, sepse janë pikërisht ato ide, që kanë të bëjmë me anën e një gjykimi personal, por tashmë në tentativën për t’u institucionalizuar në 25 vjet të demokracisë, të sistemit ku jemi. Kam shpresuar që do të ndodh një ndryshim i madh në marrëdhënie me letërsinë e hershme. Në fakt jemi te një moment, që letërsia e hershme është monument, është vlerë historike, është vlerë gjuhësore, edhe që vihet në dyshim se është vlerë letrare. Nuk e di, shpesh e dëgjojmë që letërsia e mirëfilltë fillon me De Radën, edhe Naimin. Çuditem se si mund të këtë letërsi të mirëfilltë, edhe të pamirëfilltë? Aty ku ka vargje, aty ku ka tekst autorial, padyshim që ka letërsi, por çështja e nivelit është tjetër gjë. Më kuptoni drejt. Po të mos ishte ajo periudhë e ndritur, pjesë e Rilindjes Europiane, nuk e di se çfarë gjuhe do të flisnim. Ata misionarë, ata martirë të gjuhës do të duhen që të kthehen në panteone, sepse në fakt janë ura e parë, që na kanë vendosur në marrëdhënie me Perëndimin, me qytetërimin, me aspiratën, edhe me ëndrrën ku ne duam që të shkojmë. Së dyti, unë do të thoja që kam shpresuar, kam dëshiruar dhe kam hedhur herë pas here ndonjë mendim, se çfarë do të ndodh me letërsinë e realizmit socialist? Letërsia e realizmit socialist është ulur këmbëkryq në kokën tonë. Çfarëdo që të bëjmë, është mjaft e vështirë, sepse ka një arsye përveç të tjerave, që gjithmonë njeriu bën atë që është më e lehtë.

Të mësuar me këtë model në gjykimin tim, është vështirësishët i ndryshueshëm realiteti i marrëdhënies me këtë letërsi. Tentuam që të kthejmë Fishtën, e kthyem përmbys, tentuam që të kthejmë Konicën, e kthyem çerek, tentuam që të kthejmë Koliqin etj. Kemi tentuar me edhe me Trebeshinën, Arshi Pipën, që janë pjesë e vlerave letrare. Por e cilave vlera? E vlerave që nuk paragjykohen, e atyre që janë pjesë e letërsisë reale të letrave shqipe, e vlerave në të cilat unë do të them se nuk e di, sesi mund që të guxohet, që të mendohet panteoni i letrave shqipe pa këta korifenj. Kemi mbetur mendjembyllur në raport me atë që thuhet se: A ka njeri që mund të japë përgjigjen e letrave shqipe, se çfarë është letërsia? Letërsia nuk është ideal që udhëhiqet, por është aspiratë shpirtërore. Është atributi i njerëzve të lirë, është vetë njeriu. Natyrisht liria të cilën ne e meritojmë çdo ditë. Nuk është se na e dhuron dikush, na e paketon, na e sjell në një çantë, edhe na thotë: “Urdhëro ja tek e keni, përdoreni. Jo liria është një atribut që udhëton me njeriun, që e meriton të jetë i tillë, në këtë kuptim në vështrimin tim, në të gjitha aspektet e letërsisë bashkëkohore çfarë po ndodh? Përse korifenjtë e realizmit socialist janë përsëri maja e marrëdhënies sonë?

Nuk jam që të përjashtohet askush, nuk jam që një metodë të caktuar duhet që të zëvendësojë të tjerat. Të hapur, të lirë. Pa qenë të lirë, nuk jemi të barabartë. Pa qenë të barabartë, nuk jemi të lirë. Le ta kuptojmë njëherë e mirë, sidomos në marrëdhënie më kulturën, në marrëdhënie me letërsinë. Së treti, ajo që e bëri pak më të domosdoshme marrjen e kësaj nisme, e cila është sfidë edhe përgjegjësi, lidhet edhe me një fakt, se sa vjen edhe flitet se nuk ka letërsi shqipe. Por kush është ai, që e merr përsipër këtë gjë? Sa vjen e thuhet se nuk ka letërsi për fëmijë. Por kush është ai që e merr përsipër këtë gjë. A janë bërë analiza, a është argumentuar? A kemi arritur në përfundime jo paragjykuese, sepse ka një problem. Është shndërruar komunikimi mjaft i vështirë, është komunikim me kështjella pa dritare, është komunikim ku secili ka të drejtë të thotë çfarë të dojë, jo çfarë të duash. Të thotë argumentin, shijen, idetë. Kjo është një ftesë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ne, kundra nesh, vetëm që të dialogojmë realisht për letërsinë, për fatin e kulturës, për fatin e librit shqip.

Në kërkim të rrënjëve të letrave shqipe

Hysni Ndreu

Qendra Shqiptare e Studimeve letrare “Pjetër Budi”, bashkë me organin e saj botues, revistën “Pasqyra e t’rrëfyemit”, vijnë si një alternativë në kërkim të rrënjëve të letrave shqipe. Duke pasur emrin “Pjetër Budi”, të poetit dhe prozatorit të parë të letrave shqipe, synojmë që me veprimtaritë tona të shkojmë gjer në zanafillën e literaturës në gjuhën shqipe. Megjithatë, kjo qendër, krahas vëmendjes së shtuar për fillesat e lëvrimit letrar, me po atë përkushtim do të ndalet në të gjithë spektrin shkrimor të letrave shqipe, i cili përgjithësisht karakterizohet nga vlerat, mungimet dhe, sidomos nga prania e dritëhijeve në qëndrimin dhe vlerësimin e periudhave të ndryshme.

Në fokus të qendrës së studimeve letrare do të jetë edhe letërsia e sotme shqipe, me të gjithë mozaikun e vet, qoftë modeli i realizmit socialist, qoftë letërsia e ndaluar, qofshin librat e shkruar pas ’90-s, ku ndeshen rektima të ndryshimit të lëvrimit letrar. Kjo qendër shqiptare, e konceptuar si e të gjitha hapësirave ku shkruhet libri shqip, do të jetë vatër e vlerësimit, njohjes, rivlerësimit dhe analizës së faktologjisë letrare, si dhe e interpretimit të saj në mendimin kritik, eseistik dhe studimor. Format tipike, të verifikimit dhe rivlerësimit të vlerave letrare do të jenë tryezat, konferencat shkencore, takimet dhe debatet e hapura me autorë dhe lexues, mbi çështje të veçanta dhe problematika të letërsisë e të qëndrimit ndaj saj.

Si qendër shqiptare, veprimtaria e saj do të jetë e shtrirë në të gjithë hapësirën ku flitet dhe shkruhet gjuha shqipe, si dhe në diasporë, duke u përpjekur kështu që të thellohet njohja e letërsisë shqipe, të nxitet leximi dhe vlerësimi i saj, madje duke kërkuar hapësira më të gjera komunikimi përmes përkthimit të saj në gjuhët më të rëndësishme të botës. Dalja në skenë e qendrës “Pjetër Budi”, si një alternativë tjetër jozyrtare, nuk është thjesht për të analizuar dhe shmangur prirjet nihiliste në marrëdhënie me vlerat e letrave shqipe, shpeshherë të shqiptuara edhe nga vetë institucionet, por për të thënë fjalën e vet në këtë hapësirë ku kultura dhe libri mbijetojnë në rrethana të vështirësive të jashtëzakonshme.

Sado që të punohet nga ana e institucioneve që kemi, me ato ngarkesa vepruese dhe paragjykuese, përsëri në marrëdhënie me kulturën dhe literaturën, nuk mbushen të gjitha hapësirat. Libri dhe kultura është një hapësirë e pamatshme dhe e papushtueshme. Më tepër është një hapësirë zgjedhjeje dhe përzgjedhjeje, në kërkim të teksteve që përmbushin shijen dhe kërkesën për prani vlerash.

Autorët, poetë e prozatorë, studiues e përkthyes, kritikë e lexues, që janë ofruar pranë qendrës, kanë nxitur idenë tonë për të patur edhe një alternativë tjetër, e cila të japë kontributin e vet në zbardhjen e vlerave gjithëkohore e gjithëhapësinore të letrave shqipe dhe që nuk vjen në skenë për t’iu kundërvënë shkaktarëve të shumtë të monotonisë ku notojnë kultura dhe letërsia jonë.

Rrymimet e shumta globale, të pranishme në fushat ekonomike dhe politike, në të cilat dita-ditës po integrohemi edhe ne, janë një arsye më shumë për të përvijuar më qartë identitetin tonë, kombëtar dhe moral, kulturor dhe artistik. Pasaporta më e mirë e identitetit të qenies shqiptare ka qenë dhe do të jetë kultura e letërsia shqipe, me të gjithë shenjat dhe mungimet e veta. Në fakt, qysh me “Mesharin” e Buzukut, ajo ka hedhur mrekullisht urat e komunikimit me qytetërimin europian.

Njëra nga shtyllat kryesore të ekzistencës dhe funksionimit të qendrës do të jetë botimi i revistës “Pasqyra e t’rrëfyemit”, e cila do të vijë si një pasqyrë e mendimit kritik, studimor dhe eseistik, për zbulimin dhe vlerësimin e vlerave letrare. Po kaq, revista, e cila mban emrin e njërit prej librave të Budit, do të jetë një pasqyrë e mendimit të lirë, e mendimit ndryshe, e debateve të ndryshme në interes të letrave shqipe, mbi autorët dhe tekstet letrare, mbi fenomenologjitë e letrave dhe interpretimeve. Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” dhe revista e saj, “Pasqyra e t’rrëfyemit”, do të jenë portë e hapur për vlerat dhe një dritare e mendimit të lirë, një sy më shumë i pranisë letrare në gjuhën shqipe.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama